UBT

KEK-u vdekjeprurës

/ 3 minuta lexim

Raportet e Bankës Botërore kanë alarmuar se nga djegiet e termocentraleve të KEK’ut po shkaktohen tmerrësisht shumë vdekje të parakohshme. Vetëm në vitin 2010, sipas raportit, thuhet se janë regjistruar 835 vdekje të parakohshme dhe 310 raste me bronkit kronik.

Sipas një raporti të Bankës Botërore të lëshuar në vitin 2010, nga djegia e qymyrit në termocentralin “Kosova A” janë regjistruar 835 vdekje të parakohshme, 310 raste të reja të bronkitit kronik, rreth 23 mijë raste të reja të sëmundjeve respiratorë dhe rreth 12 mijë vizita emergjente. Këto shifra alarmante të dëmtimit të shëndetit të popullatës kanë shtyrë Konsorciumin Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm KOSID, të lansojë fushatën mediale, e cila ka të bëjë me vetëdijesimin e popullatës mbi ndotjet e ambientit që shkaktohen nga djegia e qymyrit.

Nezir Sinani nga KOSID ka thënë se në shtator të vitit të kaluar, Banka Botërore kishte lëshuar një studim mbi ndotjen e mjedisit në Kosovë, ku fokus i veçantë i jepej ndikimit të ndotjes në shëndetin e njeriut. Këto të dhëna, sipas Sinanit, janë alarmante për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe në këtë aspekt ai tha se shoqëria civile e ka analizuar një studim të tillë dhe ka kërkuar edhe përgjigje shtesë nga institucionet relevante, se pse edhe me këtë dëm që po i bëhet popullatës po insistojnë në ndërtimin e një termocentrali të ri. “Raporti në fakt ka vlerësuar se në vitin 2010 si pasojë e ndotjes së ajrit nga djegia e qymyrit janë regjistruar 835 vdekje të parakohshme, ka pas 310 raste të reja të bronkitit kronik, 22 mijë e 900 raste të reja të sëmundjeve respiratorë ndër fëmijë. 11 mijë e 600 vizita emergjente nëpër spitalet e vendit dhe krejt kjo qytetarëve të Kosovës u ka kushtuar më shumë se 100 milionë euro shpenzime, vetëm brenda një viti për t’u shëruar nga ndikimet e ndotjes së ajrit në shëndetin e tyre”, ka thënë Sinani.

Për t’i dëshmuar këto të dhëna, Shoqata re e Pulmologëve të Kosovës ka bërë një studim të detajuar, duke krahasuar regjionin e Prishtinës me atë të Prizrenit, mbi incidencën e sëmundjes së kancerit të mushkërive.

Drejtori i Klinikës së Pulmologjisë së QKUK’së, Gazmend Zhuri, ka thënë se gjatë këtij studimi kanë vënë në pah se prevalenca e sëmundjes së kancerit të mushkërive në regjionin e Prishtinës është dyfish më e madhe krahasuar me atë të Prizrenit.

RCCOLA

“Kemi krahasuar të dhënat mbi kancerin e mushkërive, sëmundje e cila është jashtëzakonisht me incidencë të lartë në regjionin e Prishtinës, posaçërisht.

Ky studim është bërë nga viti 2006 deri në vitin 2010 dhe kemi konstatuar se në regjionin e Prishtinës, që përfshin, Prishtinën, Obiliqin, Podujevën dhe fshatrat përreth, ekziston një numër më i madh i pacientëve, të cilët kanë sëmundjen e kancerit të mushkërive”, tha ai.

Sipas tij, diku dyfish është numri më i madh se në regjionin e Prizrenin.

Fushata mediale, e cila do të transmetohet në televizionet nacionale, është punuar me përkrahjen nga Asociacioni Amerikan i Pulmologëve, Asociacioni Kosovar i Pulmologëve, Sierra Club, European Climate Foundation dhe Forumi për Iniciativa Qytetare.(express)