KEK-u po vjedh

Qytetaret akuzojnë Korporatën Energjetike të Kosovës për fryrje të faturave për muajin janar. Për këtë të enjten është paralajmëruar edhe një protestë para objektit të KEK-ut. Nga Korporata thonë se faturat u rritën sepse qytetarët po e shfrytëzojnë rrymën edhe për ngrohje.
Me qindra ankesa i kanë shkuar Korporatës Energjetike të Kosovës nga qytetarët për faturat e muajit janar. Qytetarët akuzojnë Korporatën se i ka fryrë faturat për këtë muaj.
Të mërkurën, radha e atyre që prisnin para sporteleve të KEK-ut për sqarime ishte shumë e gjatë.
Një banor i lagjes Ulpiana, N.I ka thënë për gazetën se fatura e janarit, në krahasim me muajin dhjetor, i është përgjysmuar.
“Që pesë vite e kam përcjellë gjendjen dhe sikur këtë muaj asnjëherë nuk më ka ardhur rryma. Muajin dhjetor ka qenë 40 euro, këtë muaj është 80 euro, derisa shpenzimet kanë qenë po ato. Këtu diçka ka”, ka thënë një qytetar, derisa priste në radhë para sporteleve të KEK-ut.
Njëjtë si ky qytetar ankesa në KEK kanë deponuar edhe shumë tjerë.
Një zyrtar brenda Korporatës ka thënë se nuk mbahet mend të ketë pasur aq shumë ankesa nga qytetarët.
“Me qindra ankesa kanë arritur përnjëherë”, ka thënë ky zyrtar.
Ndërkohë, kjo çështje gjatë ditës së mërkurë nga qytetarët është përfolur edhe nëpër rrjete sociale. Madje, prej aty është planifikuar edhe një protestë para objektit të KEK-ut ditën e enjte.
“E di që për 13 vite janë grumbulluar me miliona euro që i kemi borxh KEK-ut. Por, të nderuar, për 13 vite asnjëherë nuk kemi protestuar për gjithë ato padrejtësi që na janë bërë nga kjo korporatë. Të bëhemi së bashku së paku për këtë ditë”, ka qenë postimi i njërit prej organizatorëve të protestës.
Faturat e muajit janar e kanë nervozuar edhe ministren e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës, Vlora Çitaku.
Ajo në profilin e saj në rrjetin social në Facebook ka shkruar se fatura e këtij muaji është e fryrë.
“Shumë shtrenjtë këtë muaj. 57m2, 74 euro, shumicën e kohës jashtë, e papranueshme”, ka shkruar Çitaku.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Viktor Buzha, ka thënë se nuk bëhet fjalë për faturim paushall, sepse faturimi kryhet çdo muaj e as për ndryshim të çmimeve, sepse ato mbesin të njëjta, për çka secili konsumator mund të bëjë krahasimin edhe vetë me faturën paraprake.
Buzhala ka shtuar se qytetarët po e shfrytëzojnë energjinë elektrike edhe për ngrohje.
“Ndryshe, secili konsumator mund të bëjë edhe vetë verifikimin e gjendjes, duke e krahasuar gjendjen në njehsorin e tij me gjendjen e kilovatëve të shënuar në faturë.
Ne jemi në stinën e dimrit dhe dihet se gjatë stinës së ftohtë konsumi dyfishohet”, ka thënë Buzhala.
Sipas Buzhalës, Kosova ka tarifa që e stimulojnë kursimin, përkatësisht për 0-20 kilovatët e parë çmimi është më i liri, për 200-600 shkon duke u ngritur dhe për shpenzimin mbi 600 kilovatë çmimi është 10.16 centë dhe ka ndikim të madh në çmim nëse shpenzimi është mbi këtë shumë.
“Faktor tjetër ka qenë edhe leximi i faturave. KEK ka përfunduar leximin e faturave
për muajin nëntor në fillim të dhjetorit për shkak të festës së 28 Nëntorit dhe
vikendit që ka pasuar, leximi në nëntor ka mundur të bëhet vetëm një ditë. Ndërsa,
dihet se KEK bën leximin e gjendjes së njehsorit në mënyrë mekanike dhe ky lexim
zgjat rreth 4 ditë për të gjithë konsumatorët”, ka thënë Buzhala.(express)