KEK-u po na rruan dyfish!

Nga Milaim Shefkiu – Nuk ka familje kosovare që nuk ndihet në siklet sa herë që vijnë faturat e rrymës në fillim të muajit. Nga viti në vit, rryma vjen gjithnjë më shtrenjtë, duke u bërë pothuajse e përballueshme për shumicën e familjeve në Kosovë.
Derisa gjatë dekadës së fundit akronimi KEK, ishte bërë më i urryeri për shkak të reduktimeve të shpeshta, sot prapë i njëjti akronim është bërë më i padëshiruari për shkak të faturave ekstreme të shtrenjta.
Minimumi i mundshëm për një amvisëri shkon në 50 euro faturë mujore, duke llogaritur 800 kilovat rrymë në muaj. Këta kilovatë mjaftojnë vetëm për një nxehëse dhe disa llapma ndriçuese. Por nëse e ke shtëpinë më të madhe, nuk ke dru as thëngjill, dhe i lëshon dy tre radiatorë, vaj halli për ty. Siç thotë një miku im, “duhet me shitë tokën me pague strujën”.
Imagjinojeni deklaratën cinike të një përfaqësuesi të KEK-ut, që thotë se nga 0 deri 20 kilovat, çmimi është shumë i arsyeshëm. Po kush nuk e di se 20 kilovat i harxhon, siç thonë në Kaçanik, edhe “kenefi” me një llambë, e që më së pakti përdoret.
Ndoshta këto tarifat të energjisë nuk kishte me qenë shtrenjtë në disa vende perëndimore, ku standardi i jetës është shumë i lartë, por në Kosovë, ku gjysma e popullit është e papunë dhe ku një pjesë e konsiderueshme jetojnë në kufirin e skajshëm të varfërisë, shtrenjtimi i rrymës me këto tarifa që kanë ardhur tre muajt e fundit, është skandaloz.
Përveç faturave të shtrenjta, qytetarët në vijimësi po ballafaqohen me fatura paushall, ose me vlerësime joadekuate, duke çuar faturën mujore nga 200 deri në 1000 euro. Ky vlerësim nuk është vetëm injorancë, por lojë nervash me popullin, i cili po ecën si zvarranik në luftën e mbijetesës.
Është interesante se si kjo punë e faturave të KEK-ut nuk iu bën përshtypje deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët me votat e këtij populli i kanë hipë “pelës për së mbrapshti”, dhe nuk çajnë kokën për sovranin fukara.
A duhet që të paktën njëherë në gjithë nomenklaturën “shkarravitëse” të mos e debatojnë çështjen e “strujës” e cila është shtrenjtuar në vijimësi. Po ashtu kur është propozuar që rryma të shtrenjtohet, të paktën ta kundërshtojnë edhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë, por edhe Qeverinë e Kosovës. Madje të bëjnë edhe grevë kundër shtrenjtimit të energjisë, duke i thirr edhe popullin që të protestojnë. Por askush nuk e japi gojën.
Gjatë gjithë kohës, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës mbështeten në praktikat evropiane, në idetë, modelet dhe ligjet e BE-se, ndërsa asnjë veprim nuk e bëjnë për të garantuar mirëqenie për popullin e tyre.
Paramendoni Francën, si djep i qytetërimit, ku për një nen të një ligji që ka cenuar të drejtat e punëtorëve, francezët kanë protestuar me muaj, duke i shkaktuar shtetit dëme miliardësh. Dhe protestat kanë vazhduar derisa ligji është kthyer në vend. E ndër ne, brenda katër pesë vitesh energjia elektrike është rritë dy tri herë ka 10 për qind, por nuk ka pasur asnjë reagim, as nga Kuvendi e as nga shoqëria civile.
I vetmi reagim do të jetë sot me protestën kundër shtrenjtimit të rrymës, realisht kundër faturave të larta të KEK-ut, sepse shtrenjtimi ka ndodhur para disa muajsh, ndërsa protesta po behet tash kur secilit konsumator po i “kruhet xhepi i prapanicës”.
Megjithatë , më mirë të protestohet qoftë edhe tash, pak me vonesë, se asnjëherë. Po ashtu me këtë protestë duhet t’i dërgohet një sinjal kompanisë turke që ka privatizuar distribucionin dhe “miqve të saj” që ia ndihmuan privatizimin, se shtrenjtimi i mëtejmë i rrymës nuk duhet të jetë në agjendën e tyre, sepse popullit i ka ardhur laku në fyt.
Sipas një fabule, “kur e pyetën Elefantin, se si ra në gjunjë nga lëkura e lepurit. Ai tha se nën lëkurën e lepurit i kam edhe dy kubik drunj”.
Pra populli është i rraskapitur nga skamja dhe papunësia, dhe mjafton vetëm diçka e vogël, që të bjerë për tokë. Rryma është një sinjal për institucionet, se nuk duhet të luajnë me popullin fukara. Nëse qeveria ua ngriti pagat mësuesve, invalidëve e pensionistëve ndihmën, është KEK-u që po ua merr të gjitha. Jo vetëm me shtrenjtimin e faturave, por edhe me subvencionimin nga na e Qeverisë. Pra KEK- po na rruan dyfish, me fatura e me kontribute. Madje, skandalozja është se rryma do të shtrenjtohet nga prilli edhe për 10 për qind. Kjo të paktën duhet të parandalohet, me forcë.