Uji Dea

Kazani i krimit

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Imer Mushkolaj-S’ka gjë më të poshtër sesa për luftimin e hajnisë e krimit të flasin kriminelët, për ndershmëri të pandershmit e për moral të pamoralshmit. Nga Kazani i Krimit kanë ngrënë të gjithë.

Kur dëgjoje deputetët e Parlamentit të Kosovës tek flisnin për privatizimin, të krijohej përshtypja se ata kishin zbritur nga një tjetër planet. Pa pikë turpi ata po nxirrnin nga goja akuza për partitë e njëri-tjetrit, duke u përpjekur që ta heqin përgjegjësinë nga subjektet e tyre politike për një proces të kriminalizuar privatizimi, nga i cili kishin përfituar vetë. Një pafytyrësi e pështirë, e denjë për kriminelë ordinerë, e jo për njerëz që do të duhej të tregonin minimumin e përgjegjësisë për fjalët e thëna publikisht.

Pamë në foltoren e Parlamentit deputetë teksa përpiqeshin të shitnin moral e të jepnin leksione, ndërkohë që ata vetë ose partitë e tyre fort pamoralshëm kanë përfituar nga privatizimi.

Për më shumë se një dekadë pikërisht politikanët, partitë politike dhe grupet parapolitike ishin ata që vendosnin për shitjen e pasurisë së një vendi të varfër, ishin ata që përfitonin miliona nga ky proces, nëpërmjet ndërmjetësimeve e shantazheve.

Tipa të të gjitha ngjyrave dhe bindjeve politike nuk e kishin qëllimin që nga procesi të përfitojë vendi që e udhëheqnin, por të përfitojnë ata personalisht, kompanitë e tyre dhe të farefisit të tyre, kompanitë e financuesve të tyre. Dhe, ia arritën qëllimit: privatizimi gjeneroi papunësi e varfëri, jo mirëqenie e stabilitet.

Sot, punëtorë të mbetur rrugëve nuk e kanë marrë hisen që iu takon, ndërmarrje me nam janë tjetërsuar e shkatërruar, ndërkaq mijëra hektarë tokë janë prona të njerëzve të fortë të politikës, që i përvetësuan ato për shuma qesharake parash. Megjithatë, përfaqësues partish politike kanë fytyrë të japin leksione nga Parlamenti. Thua se kosovarët kanë harruar çfarë ka ndodhur viteve të shkuara, kur partitë kryesore (veç Vetëvendosjes) vetëm janë ndërruar në pushtet dhe, sipas radhës, kanë vendosur për privatizimin.

Përderisa sekretari i përgjithshëm i PDK’së, Jakup Krasniqi, u zbraz për gjysmë ore, duke e kontestuar edhe legjitimitetin e institucionit që vetë e udhëheq dhe duke i konsideruar hajna votash deputetët, LDK e AAK zgjodhën që në debat të prezantohen me dy deputete. Retorikë boshe e klishe librash të shkruara dobët doli nga gojët e tyre, ndërkohë që bossa partish, asish çfarë i përmendte Krasniqi, kishin zgjedhur të heshtnin. Ashtu siç kishte heshur edhe Krasniqi për vite të tëra, për të shpërthyer tash, duke harruar se si njeri i dytë i partisë më të madhe në vend dhe kryeparlamentar ka pasur përgjegjësi të flasë atëherë kur është dashur.

Eco Higjiena

Tash, përnjëherë të gjithë po na tregojnë se çfarë mangësish paska pasur procesi i privatizimit, të gjithë po na thonë se gjërat paskan shkuar keq, të gjithë po shfaqen engjëj.

A nuk ishin këta në pushtet (veç Vetëvendosjes) kur u privatizuan “Ferronikeli” e gjigandë të tjerë? A nuk ishin këta në pushtet kur u privatizua “Grandi”? A nuk ishin në pushtet kur u shitën qindra ndërmarrje të tjera? A nuk ishin anëtarë bordesh që vendosnin për shitjen e pasurisë së Kosovës? A nuk ishin të vetëdishëm atëherë çfarë po bënin? Apo, tash të gjithë vuajnë nga amnezia? Më parë se nga gjithçka tjetër, ata vuajnë nga papërgjegjësia, mosllogaridhënia e kapadaillëku.

Përgjigjen për gjendjen e tanishme secili mund ta gjejë vetëm po të sjell ndërmend bashkëqeverisjet LDK-PDK-AAK, AAK-LDK, PDK-LDK, PDK-AKR-Lista IR. Sistemi i kriminalizuar i qeverisjes është vendosur tash 13 vjet. Që të gjithë kanë ngrënë nga gjella që është zier në Kazanin e Krimit. Zyrtarë të të gjitha këtyre partive, por edhe të tjerave, janë kthyer në milionerë. Qysh? Me punë të ndershme? Me rroga buxheti? Kush iu beson këtyre dokrrave? S’iu besojnë as ata vetë fjalëve që i thonë. Ndjesë për ata që kanë zgjedhur të mos ushqehen nga Kazani. Për ata që janë pak në numër, por që provojnë të bëjnë politikë të ndershme në një vend të kapur krimi e korrupsioni.

* * *

Deputetët që debatonin për privatizimin dhe të gjithë të tjerët që dëgjonin, Jakup Krasniqi i quajti hajna. Hajna votash. Ai nuk tha asgjë të re, vetëm përsëriti atë që është thënë shumë herë deri më tash. Vetëm se tash e tha i pari i Parlamentit, në Parlament. Ua tha deputetëve dhe ministrave që flasin për privatizimin. Atyrë që vendosin për të ardhmen e qytetarëve të këtij vendi. Ia tha edhe vetes.

Në një vend normal, deklarata të tilla do të përcilleshin me reagim të shpejtë të organeve të drejtësisë. Në Kosovë kjo nuk ndodh. Sepse, të qenit hajn, kriminel, vrasës në këtë vend është diçka normale. Siç është normale të përfaqësosh qytetarët me vota të vjedhura, të pasurohesh brenda natës në emër të votave të vjedhura, ta shesësh pasurinë e vendit në emër të votave të vjedhura.

Zgjedhjet e kriminalizuara prodhojnë Parlament dhe Qeveri të kriminalizuar. Është iluzore të presësh nga të tilla institucione që ta luftojnë krimin. E vetmja mbetet shpresa se dikur Kazani i Krimit do të shterret e burgjet do të mbushen.