Katër skenarët për krijimin e Qeverisë së re sipas EWB-së, a do të bëhet Kurti përsëri kryeministër?

Rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit pamundëson krijimin e një qeverie të re pa koalicion në mes të partive politike. Lëvizja Vetëvendosje e ka të pamundur të krijojë e vetme institucionet e reja, derisa një qeveri e opozitës s’përjashtohet.
Sipas Drejtoreshës Ekzekutive te CiviKos, Donika Eminit, janë katër skenarë për atë se çfarë mund të ndodhë sa i përket krijimit të institucioneve të reja. Në një intervistë për EWB, Emini ka thënë se një prej skenarëve është një koalicion në mes të LVV-së dhe PDK-së.
“Një nga skenarët më të përfolur ishte një koalicion i mundshëm mes Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila është partia e dytë më e madhe në vend. Një aleancë e tillë do të siguronte 61 votat e nevojshme për të formuar qeverinë dhe madje edhe 80 votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit vitin e ardhshëm. Megjithatë, realitetet politike e bëjnë këtë koalicion gjithnjë e më pak të mundshëm. Pa një partneritet mes Vetëvendosjes dhe njërës prej dy partive më të mëdha opozitare, Kosova rrezikon të krijojë një qeveri të brishtë – të cenueshme nga manovrimet politike, veçanërisht kur bëhet fjalë për sigurimin e votave për marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare”, thekson Emini.
Sa i përket skenarit të dytë, Emini thotë se një qeveri e krijuar nga LVV me 61 vota do të ishte shumë e paqëndrueshme.
“Një mundësi tjetër është një qeveri pakicë, ku Vetëvendosje do të bashkëpunonte me parti më të vogla, si NISMA, lideri i së cilës, Fatmir Limaj, e ka shprehur hapur gatishmërinë për t’u bashkuar. Në një skenar të tillë, Vetëvendosje mund të kërkojë gjithashtu të sigurojë vota nga deputetë individualë të partive të ndryshme. Megjithatë, një qeveri e tillë do të ishte shumë e paqëndrueshme, duke qenë vazhdimisht në rrezik të rrëzimit”, sqaron ajo.
Duke folur për një “koalicion të gjithë kundër Kurtit”, Emini thekson se ai do të ishte një “alternativë më dramatike”.
“Një alternativë më dramatike do të ishte bashkimi i partive opozitare për të krijuar një qeveri ‘të gjithë kundër Vetëvendosjes’, duke e lënë kështu partinë e Kurtit jashtë pushtetit. Megjithatë, një qeveri e tillë do të ishte natyrshëm e dobët, e mbajtur së bashku më shumë nga kundërshtimi ndaj Vetëvendosjes sesa nga një vizion i përbashkët politik”, thekson Donika Emini.
Sipas saj, “ironikisht, nga ky skenar mund të përfitonte Kurtin në planin afatgjatë – duke i dhënë mundësinë ta paraqesë bllokimin politik si një dështim të opozitës dhe të kërkojë zgjedhje të reja, duke forcuar potencialisht pozicionin e tij”.
Së fundmi, Emini paralajmëron për rrezikun e një krize të zgjatur politike, të njohur si “skenari bullgar”.
“Ndoshta skenari më shqetësues është një bllokadë e zgjatur politike deri në zgjedhjen e presidentit, e ngjashme me krizën e fundit në Bullgari. Kosova ka kaluar më parë periudha të gjata pa një qeveri funksionale, me më të gjatën që ka zgjatur gjashtë muaj”, vëren ajo. Ajo shton se kësaj radhe, “kriza mund të jetë edhe më e rëndë, me pasoja serioze për qeverisjen e brendshme dhe politikën e jashtme”.
Sipas Adelina Hasanit, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, skenari më i mundshëm është një qeveri e udhëhequr nga partitë opozitare me përfshirjen e përfaqësuesve të pakicave etnike.
“Shpallja e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nacionale në Kosovë mori më shumë kohë se në zgjedhjet e mëparshme. Partia Lëvizja Vetëvendosje (VV) siguroi përqindjen më të lartë të votave, duke i garantuar asaj 48 vende në parlament. Megjithatë, kjo nuk është e mjaftueshme për të formuar qeverinë në mënyrë të pavarur, duke e bërë të nevojshëm një koalicion. Partnerët e mundshëm të koalicionit përfshijnë Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe koalicionin AAK-NISMA. Megjithatë, krijimi i qeverisë mbetet shumë sfidues, pasi të gjitha partitë kryesore opozitare kanë përjashtuar mundësinë e një koalicioni me VV”, deklaron Adelina Hasani.
Sipas Aleksandar Šljuka të NSI, formimi i një qeverie është shumë sfidues në këtë moment dhe, edhe nëse arrihet, “problemi i radhës do të jetë stabiliteti i një qeverie të tillë, pasi ajo do të funksionojë me një shumicë të ngushtë”.
“Ekziston një probabilitet i lartë që qeveria të rrëzohet që në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, që do të thotë se sfida kryesore do të jetë si të kapërcehet kjo periudhë tranzicioni. Nga ana tjetër, nëse opozita arrin të formojë një qeveri, do të ketë shumë pak kohë për të sjellë ndryshime thelbësore”, thekson ai./Express