Uji Dea

Katastrofa në drejtësinë kosovare, mbi 309 mijë lëndë në sirtarë

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Duke parë dhe analizuar në detaje takimin dhe raportimin e fundit që u bë për punën e gjykatave në Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku u paraqit bilanci vjetor i vitit 2017, analistët dhe ekspertët e fushës konsiderojnë se konstatimi i KGJK-së, sipas të cilit në të gjitha gjykatat në Kosovë kanë mbetur edhe 309 mijë lëndë të patrajtuara dhe të pazgjedhura, është tregues skandaloz.

“Janë qindra-mijëra dosje që flenë në arkivat gjyqësore dhe shumë lëndë penale të tjera që edhe fshihen qëllimisht për t’u skaduar afati ligjor. Kjo është një gjendje anarkie në gjykata, kjo është e tepërt dhe duhet të marrë fund”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”

Duke parë dhe analizuar në detaje takimin dhe raportimin e fundit që u bë për punën e gjykatave në Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ku u paraqit bilanci vjetor i vitit 2017, analistët dhe ekspertët e fushës konsiderojnë se konstatimi i KGJK-së, sipas të cilit në të gjitha gjykatat në Kosovë kanë mbetur edhe 309 mijë lëndë të patrajtuara dhe të pazgjedhura, është tregues skandaloz.

Njohësit e fushës dhe analistët me shqetësim pyesin tani se për çfarë drejtësie mund të flitet kur një rast zgjat mbi 8 vjet, ndërkaq 309 mijë raste presin në dollapët e gjyqtarëve në Kosovë?! Po ashtu dyshohet se vetëm lëndët e nëntokës kriminale, mafio-oligarkëve dhe pushtetarëve trajtohen me prioritet, ndërkaq qytetarët e gjorë presin edhe nga një dekadë, deri në humbjen, parashkrimin e rasteve. Tani me plot të drejtë shtrohet pyetja për të cilën deri më tani askush nuk po jep përgjigje, si mund të ketë drejtësi në Kosovë kur lëndët janë bërë edhe objekt i shitblerjes e trafikimit. Eksperti i kësaj fushe, Blerim Burjani, thotë se shifrat e raportit të punës së vitit të kaluar, të analizuar dhe prezantuar nga KGJK-ja, flasin për mjerimin e madh dhe dështimin e institucioneve të drejtësisë në Republikën e Kosovës.”KGJK-ja me këto shifra mbetet ende larg, edhe pse pozitive është në këtë rrafsh vetëm se ka një transparencë në raportim të gjendjes ekzistuese, por s’ka transparencë informuese se për cilat arsye po ngecet, pse nuk zgjidhen, por lëndët e pazgjidhura vetëm po raportohen me statistika. Me fjalë të tjera, raporti është një raport publik, i cili nuk adreson asnjë përgjegjësi”, tha ai për “Kosova Sot”.

Duhet të vlerësohet performanca e gjyqtarëve

“Kosova duket së është shtet i papërgjegjësive… askush nuk jep llogari për asgjë dhe s’ka as masa që duhet të merren ndaj keqbërësve të shumtë dhe keqpërdoruesve të autorizimeve shtetërore”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”

Burjani thotë se në këtë plan mungojnë edhe të dhënat për nivelin e prioritetit të lëndëve.”Ende nuk dihen arsyet pse disa lëndë prioritare të korrupsionit nuk zgjidhen me vite e që vlerësohen të jenë të dëmshme, që ndikojnë jashtëzakonisht rëndë në rendin dhe ligjin, edhe në arenën ndërkombëtare për vetë imazhin e shtetit. Andaj duhet të ketë këtu edhe arsyetim, edhe përgjegjësi pse s’ka zgjidhje të lëndëve të rëndësisë së veçantë”, u shpreh ai.”Sidoqoftë gjykatat e Kosovës duken të jenë duke u marrë akoma me rastet që nga viti 2012, e tash është viti 2018, po i përjashtojmë disa lëndë që janë parashkruar tërësisht, por kuptohet që vjetërsimi i lëndëve duket të jetë e vetmja rrugë për të treguar efikasitet. Ka shumë lëndë që parashkruhen, kuptohet që ato janë edhe disa që lejohen me ligj, me konditat e caktuara”, vijoi më tej Burjani.”Vlerësimi i performancës së gjyqtarëve është me rëndësi jetike për sistemin e drejtësisë, për ta ditur se kush ka punuar në kushte normale me angazhim parësor kryesor dhe kush ka punuar me kontratat dytësore të paligjshme, kur dihet se në këtë shtet është një fenomen unikat ku edhe gjyqtarët dhe prokurorët janë të angazhuar në dy-tre vende punë, si ligjërues apo profesorë në universitet publike dhe kolegje, me konflikte të pastra interesi, me kontrata dytësore”, tha ai.

Kulmi i dështimit të sistemit

“E them me plot përgjegjësi se pa pastrimin total të prokurorëve dhe gjyqtarëve që janë aty, e shumica janë vetëm për ta mbrojtur interesin e dikujt, të bosëve të tyre që i kanë punësuar dhe i kanë sjellë në ato pozita me ndikime politike dhe nga nëntoka e krimit të organizuar, nuk mund të ketë përmirësim të performancës, të efikasitet dhe zvogëlimit të stoqeve të lëndëve të pazgjidhura”, tha për “Kosova Sot” eksperti i fushës së sundimit të ligjit dhe sigurisë, Naim Miftar

Fundamenti

Eksperti tjetër i kësaj fushe, Naim Miftari, konstaton se raportimi i shifrës së lëndëve të patrajtuara, të pazgjidhura, të bartura vit pas viti, tregon kulmin e dështimit të institucioneve të drejtësisë në vendin tonë. “Vetë mbetja e mbi 309.000 lëndëve gjyqësore tregon qartë se ne si shtet kemi drejtësi vetëm për ta numëruar se e kemi si strukturë, si organe të drejtësisë, por që janë krejtë- sisht të dështuara në kuptimin funksional dhe të efikasitetit, kur e ato në shumë raste nuk i marrin lëndët në shqyrtim, por i lënë në sirtarë, edhe kur i marrin shkojnë vonesat deri në mbi 8 vjet. Kjo vetëm sa e tregon dhe dëshmon katastrofën juridike në të cilën e kemi shtetin tonë sot”, u shpreh ai.”Faktikisht kur drejtësia dhe ligji flenë me shumë vite, opsion i qytetarëve të dëmtuar mbetet heshtja ose qytetari duhet ta bëjë vetë ligjin. Për këtë pasojë po kemi plot raste kur shpeshherë edhe ndodhin vrasjet apo ngatërresat të tjera si mjet i zgjidhjes së problemeve të hapura në mes të qytetarëve. Kjo vjen kryesisht nga ngadalësia dhe indiferenca e organeve të drejtësisë dhe mosfunksionimit të ligjit. Janë qindra-mijëra dosje që flenë në arkivat gjyqësore dhe shumë lëndë penale të tjera që edhe fshihen qëllimisht për t’u skaduar afati ligjor. Kjo është një gjendje anarkie në gjykata, kjo është e tepërt dhe duhet të marrë fund”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot”. \

“Ky raport skandaloz e jo i profesionalizmit tregon për seriozitetin e sinqeritetin e KGJK-së për realizimin e objektivave dhe mandatit të saj kushtetues e ligjor. Për hir të korrektësisë e sinqeritetit duhet pranuar faktin se kemi gjyqtarë e prokurorë profesionistë e me kredibilitet të lartë moral e profesional, por pushtetet kanë dirigjuar dhe në vazhdimësi po e dirigjojnë komplet hallkën zinxhirore të gjyqësorit”, tha Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot”

Sipas njohësit tjetër i kësaj fushe, Hidajet Ahmeti, duke parë rolin dhe mosveprimin e KGJK-së për përmirësimin e kësaj gjendje, po del se ky institucion nuk po e kryen punën e vet si duhet, sepse është shndërruar në instrument të politikës. “KGJK-ja, si një mekanizëm i rëndësishëm për mbikëqyrjen e proceseve të rëndësishme për gjyqësorin, në vazhdimësi ka qenë instrument i pushteteve, e posaçërisht partisë shtet, PDK-së. Përmes KGJK-së si institucion i “pavarur” kanë realizuar qëllimet e tyre personale e politike e në dëm të interesit publik”, potencoi ai për “Kosova Sot”. Sipas Ahmetit, KGJK-ja është instrumentalizuar nga pushtetet e tjetërsuara nga mandati i saj kushtetues e ligjor, duke diskriminuar qytetarët, të cilët presin për shumë vite t’i zgjedhin kontestet gjyqësore.

Bilanci i gjykatave

KGJK-ja jep këto shifra në raportin e saj të fundit të bilancit të vitit të kaluar: Sipas raportit të KGJK-së, Gjykata Apelit në Prishtinë ka pasur në punë 24466 lëndë, prej tyre 11890 të kryera dhe kanë mbetur në punë 12576 lëndë. Gjithsej gjykatat themelore me degë kanë pasur në punë 569373 lëndë, prej tyre 295485 të kryera dhe kanë mbetur në punë 273888 lëndë. Gjykata Themelore në Prishtinë me degë kanë pasur në punë 220583 lëndë, prej tyre 95294 te kryera dhe kanë mbetur në punë 125289 lëndë. Gjykata Themelore në Gjilan me degë kanë pasur në punë 40736 lëndë, prej tyre 22464 të kryera dhe kanë mbetur në punë 18272 lëndë. Gjykata Themelore në Prizren me degë kanë pasur në punë 64787 lëndë, prej tyre 41559 të kryera dhe kanë mbetur në punë 23228 lëndë. Gjykata Themelore në Mitrovicë me degë kanë pasur në punë 64475 lëndë, prej tyre 40982 të kryera dhe kanë mbetur në punë 23493 lëndë. Gjykata Themelore në Gjakovë me degë kanë pasur në punë 58080 lëndë, prej tyre 28908 të kryera dhe kanë mbetur në punë 29172 lëndë. Gjykata Themelore në Pejë me degë kanë pasur në punë 49065 lëndë, prej tyre 24032 të kryera dhe kanë mbetur në punë 25033 lëndë. Gjykata Themelore në Ferizaj me degë kanë pasur në punë 71647 lëndë, prej tyre 42246 të kryera dhe kanë mbetur në punë 29401 lëndë. Në vitin 2017, Gjykata Supreme ka pasur në punë 1275 lëndë, prej tyre 1055 të kryera dhe kanë mbetur në punë 220 lëndë. Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme ka pasur në punë, 23877 lëndë, prej tyre 2577 të kryera dhe kanë mbetur në punë 21300 lëndë.

PRETENI: ME KËTA GJYQTARË TË LODHUR E TË SHANTAZHUAR, SUKSES NUK KA

“Raporti i KGJK-së, ashtu si edhe raporti i KPK-së, po kalojnë pa një analizë të mirëfilltë. Këto raporte nuk po trajtohen fare në Kuvend,në seancë apo në ndonjë nga komisionet. Këto dy raporte është dashur që edhe të krahasohen, për të vërtetuar se ku është problemi,te organi i akuzës apo te gjykatat. Një problem tjetër i pajustifikueshëm është edhe ky: Numri i vogël i rasteve të zgjidhura, po cilat janë ato raste? Qytetari e di se asnjë rast me përfshirje të zyrtarëve të lartë nuk është duke u trajtuar,raste me vjedhje bagëtish,vjedhje pylli,vepra në komunikacion dhe vepra të tjera, të cilat nuk duhet neglizhuar, por që nuk ndikojnë në përmirësimin e perceptimit të publikut për mosefikasitetin e Gjyqësorit. Pjesë e Raportit duhet të jenë edhe të dhënat që tregojnë se si përfunduan këto lëndë. Sa persona janë të dënuar brenda një lënde dhe cilat janë dënimet e shqiptuara?Lëndë të përfunduara janë edhe ato me vendime liruese dhe ato me vendime ndëshkuese. Pjese e Raportit duhet të jenë edhe të dhënat se sa është mesatarja e lëndëve për numrin e gjyqtarëve. Sa lëndë i ka trajtuar një gjyqtar? Cila është diferenca në mes lëndëve ndër vite? Sa lëndë të Gjykatave Themelore janë vërtetuar në Gjykatën e Apelit? Sa raste janë kthyer në rigjykim? Sa është mesatarja e lëndëve të kryera me aktgjykim dhe sa mbyllje për shkak të vjetërsimit të lëndës? Të gjitha këto duhet të paraqiten në Raport dhe tek atëherë duhet vlerësuar performancën e KGJK-së. Deri atëherë mbetet shumë për të shpresuar,kjo situatë me këta gjyqtarë të lodhur e të shantazhuar, sukses nuk ka”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)