Eko Higjiena

Kapen për postin e imamit

/ 4 minuta lexim

Gjilan –Zijadin Leka pretendon se është njeriu i duhur për të bartur postin e imamit në lagjen “Dardania”, por kështu nuk mendon Mustafë Bajrami i cili thotë se as xhemati e as ambiciet e individëve nuk vendosin për pozitat e larta në BIK.

Pozita e imamit në lagjen “Dardania” ku edhe është ndërtuar një xhami super moderne ka nxitur debate e pakënaqësi se kush mund të jetë në krye të këtij institucioni fetar. Është një grup i besimtareve dhe njerëzve vullnetmirë që kanë punuar e ndihmuar në ndërtimin e xhamisë që udhëhiqet nga Zijadin Leka e që ka pretendime se ai është njeriu më i duhur për këtë pozitë.

Por kështu nuk mendon Mustafë Bajrami kryetar i Bashkësisë Islame në Gjilan dhe i caktuar imam sipas konkursit në këtë xhami. Zijadin Leka i cili ka punuar imam në Livoq thotë se Mustafë Bajrami është i paligjshëm meqë nuk e ka përkrahjen e xhematit. Sipas tij kreu i BIK vazhdimisht i denoncon ata në polici se gjoja i kanë marrë çelësat e xhamisë.”E lusim Mustafë Bajramin që të na lërë rehat sepse xhamia është funksionale” tha Leka.

Leka mendon se ka dhënë një kontribut të madh për atë xhami dhe tërë xhematin e ka kah veti.”Do ta shihni të premten sesi do të kalojë kjo punë. Unë i kam xhematin me vete dhe më donë sepse jam përpjekur me mish e me shpirt që kjo xhami të jetë sot aty ku është” tha leka.

Leka e ka përkrahjen edhe të këshillit të xhematit të lagjes “Dardania”. Hajriz Aliu kryetar i këtij këshilli në një letër që i ka adresuar të gjitha institucioneve fetare ka kërkuar që të respektohet vullneti i këtij xhemati.”Kërkojmë nga organet kompetente që Zijadin Leka të udhëheq me namazet e rregullta deri në përmbushjen e propozimeve tona” ka thënë Aliu.

Mobi Casa

Por krejt version tjetër ka Mustafë Bajrami. Sipas tij imamin apo çfarëdo pozite të lartë brenda Bashkësisë Islame në Kosovë nuk mund ta zgjedhë xhemati apo ambiciet e individëve,por kriteret,procedurat e konkurrimit dhe çështjet tjera përcjellëse” tha Bajrami.

Bajrami tha se ai është zgjedhur në mënyrë të rregullt,përmes procedurave të konkursit.”Nuk mund të jesh kryetar i Bashkësisë Islame nëse nuk je edhe imam” mendon Bajrami. Ai thotë se Zijadin Leka është shantazhues dhe ka vepra penale madje dhe i dënuar edhe me 8 muaj burg.

Publiku duhet ta dijë se Zijadin Leka është i suspenduar përjetësisht nga postet nga ana e Bashkësisë Islame,por më vonë komisioni i BIK e ka ulur këtë dënim në vetëm 3 vite pa të drejtë punësimi. Bajrami thotë se nuk është e vërtetë se xhemati e mbështesin Lekën.”Unë kam mijëra përkrahës dhe nuk frikësohem nga këto kërcënime,sepse kam lënë luksin,punën dhe jetën komfore për të ardh e kontribuar për vendin tim dhe shtetin e Kosovës” tha Bajrami.

Kreu i BIK-ut tha se edhe sikur të mos kishte pengesa ligjore apo procedurale për lekën,ai e ka një pengesë serioze të kritereve të konkurrimi meqë ende nuk e ka të kryer fakultetin.

Edhe myezini Mirsad Rexhepi tha se Mustafë Bajrami ka konflikt të interesit sepse nuk mund t`i mbajë tri pozita përnjëherë . Ndryshe të premten edhe solemnisht pritet të bëhet hapja solemne e xhamisë në lagjen “Dardania”/rajonipress/