Kapelani i KFOR-it, majori Nielsen, dhe komandanti i LMT-së, Husein Arslan, vizitojnë Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan
Gjilan – Kapelani i KFOR-it, majori Nielsen, dhe komandanti i Ekipit Monitorues dhe Ndërlidhës (LMT), Husein Arslan, kanë vizituar Këshillin e Bashkësisë Islame (KBI) në Gjilan, ku janë pritur nga kryetari i këtij institucioni, Naim Aliu.
Gjatë takimit, kryetari Aliu e falënderoi majorin Nielsen për punën dhe angazhimin e tij në fushën e sigurisë, si dhe përkushtimin ndaj aktiviteteve fetare që zhvillohen në kampin e Bondsteelit.
Ai shprehu mirënjohje edhe për komandantin e LMT-së, Husein Arslan, për vizitën dhe kontaktet e vazhdueshme që ky ekip mban me Këshillin e Bashkësisë Islame në Gjilan.
Me këtë rast, Aliu i njoftoi mysafirët për veprimtarinë dhe punën e Këshillit të Bashkësisë Islame, duke vlerësuar njëkohësisht kontributin e trupave të NATO-s në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit.
Gjatë diskutimit u vlerësua lart edhe bashkëjetesa ndërfetare, të cilën Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan e kultivon dhe e promovon vazhdimisht, si një vlerë e rëndësishme për mirëkuptimin, respektin e ndërsjellë dhe harmoninë ndërmjet komuniteteve.
Vizita u zhvillua në frymën e bashkëpunimit dhe komunikimit të vazhdueshëm ndërmjet Këshillit të Bashkësisë Islame në Gjilan dhe përfaqësuesve të KFOR-it./rajonipress/


