RCCOLA

Kandidatët shqiptarë, sytë kah elektorati shqiptar

/ 6 minuta lexim

Për zgjedhjet komunale që do të mbahen më 23 shtator në kantonin e St.Gallenit kanë kandiduar 3 shqiptarë, për të qenë në mesin e anëtarëve të parlamentarëve të rinj të qyteteve St. Gallen dhe Will.

Shqiptarët përbëjnë komunitetin e tretë më të madh të huaj në Zvicër. Por, nëse flasim për përfaqësimin e tyre në institucione ose në jetën politike të këtushme, komuniteti shqiptar na del pothuajse i pavërejtshëm.

Megjithatë, nuk jemi edhe pa asnjë politikan. Janë identifikuar disa lëvizje minore në drejtim të përfaqësimit më të mirë politik.

Këtë herë për zgjedhjet komunale që do të mbahen më 23 shtator në Kantonin e St.Gallenit kanë kandiduar 3 shqiptarë, për të qenë në mesin e anëtarëve të parlamentarëve të rinj të qyteteve St. Gallen dhe Will për periudhën 2013-2016.

Të paktën është një shpresë se shqiptarët po fillojnë t’i marrin edhe obligimet si dhe të drejtat që u takojnë.

Shqiptarët që kandidojnë për pozitat e këshilltarëve mbështeten edhe në votën e elektoratit shqiptar me të drejtë vote, kuptohet nëse nuk neglizhojnë daljen e tyre në zgjedhje.

Shikuar nga përkatësia partiake tre kandidatët shqiptarë janë të shpërndarë në gjithë spektrin politik të regjionit. Ka kandidat nga Partia Socialiste, nga të Gjelbrit, por dhe nga CVP-ja.

Franklin Munishi jeton në Bronschofen të kantonit St. Gallen dhe është me prejardhje nga komuna e Vitisë, ndërsa kandidon me CVP-në për parlamentin e qytetit Will.

“Në vitin e ardhshëm komuna e Bronschhofen-it fuzionohet me qytetin Will. Në këtë mënyrë Will do të bëhet një qytet me peshë të madhe në kantonin St.Gallen”, ka thënë ai për albinfo.ch.

Partia në të cilën aderon Franklin Munishi është më e përfaqësuara në parlamentin e qytetit të Willit. Aktualisht në këtë qytet CVP-ja ka 13 nga gjithsej 40 deputetët e parlamentit.

Ndërsa mesazhi i tij drejtuar shqiptarëve të këtij qyteti është i thjeshtë dhe tipik për vlerat që kultivon CVP-ja.

“Lus të gjithë ata shqiptarë që kanë nënshtetësinë zvicerane dhe kanë të drejtë vote, të votojnë për një të ri me shumë potencial, i cili do të bëjë çmos që familjet tona të kenë një të ardhme të sigurt dhe të mirë”, tha Munishi.

Nga ana tjetër, Munishi e pranon se te zviceranët është ndoshta më shumë i njohur sesa te shqiptarët.

Ata që duan ta votojnë Franklin Munishin do ta gjejnë lehtë emrin e tij në listën e dytë me numrin 06”.

„Për një qytet të bukur“, është motoja e kandidatit tjetër shqiptar, Arbër Bullakaj, i cili garon me Partinë Socialiste në zgjedhjet lokale në St.Gallen për Asamblenë e qytetit të Willit.

Fidanishtja

Politikani me prejardhje nga Kosova është zotuar se nëse zgjedhet deputet i qytetit të Willit, do të angazhohet për të avancuar pozitën e komunitetit shqiptar.

26-vjeçari tha se do të angazhohet politikisht që komuniteti shqiptar të jetë më i integruar në shoqërinë zvicerane.

Edhe Bullakaj ka kërkuar votën e shqiptarëve, me premtimin se do të krijojë një urë lidhëse ndërmjet zviceranëve dhe shqiptarëve për t’i afruar njërin me tjetrin që të ndjehen më të sigurt dhe të barabartë.

„Jam i bindur se shqiptarët në këtë qytet do të kenë më shumë lehtësi në zgjedhjen e problemeve të tyre në komunë, sepse do të jem unë ai që do t’i përfaqësoj interesat e tyre“, tha Bullakaj.

Bullakaj me origjinë nga Prizreni ka thënë për albinfo.ch se në Partinë Socialiste është inkuadruar për faktin se ajo është njëra ndër partitë që ka mbrojtur interesat e komunitetit shqiptar.

Prej kandidatëve në qytetin e Willit në listën numër 1 të PS-së Arbeni radhitet i 10-ti.

Ndërsa Zeqir Sadrija është emri i ri i kandidatit të Partisë së Gjelbër që synon Asamblenë komunale të qytetit St. Gallen.

48-vjeçari nga Reka e Keqe e Gjakovës, Zeqir Sadrija, në këte fushatë elektorale është paraqitur në listën numër gjashtë, i njëzeti në radhë.

Këtë synim Zeqir Sadrija e shpjegon me rëndësinë që ka për të bashkëjetesa në mesin e kulturave të ndryshme, promovimi i vlerave të përbashkëta dhe sigurinë e qytetit.

Babai i katër fëmijëve, Sadrija ka një eksperiencë të gjatë të angazhimit në aktivitete politike, fillimisht si aktivist i çështjes kombëtare dhe më pas, siç thotë ai, si përfaqësues i shqiptarëve në St. Gallen.

Është kryetar i shoqatës kulturore „Pashtriku“, punon si përkthyes dhe është në shërbim (Hilfsmessmer) të një kishe të qytetit.

Si dhe tani e dhjetë vjet më parë i kyçur në Partinë e të Gjelbërve që tani e ka nxjerrë si kandidat për deputet të asamblesë komunale duke vlerësuar, siç shpjegon ai, transparencën dhe korrektësinë e tij të treguar gjatë kësaj dekade si anëtar i partisë në shërbim të përmirësimit të bashkëjetesës mes komuniteteve.

Në Partinë e të Gjelbërve është inkuadruar me shpresën që të kontribuojë në përmirësimin e imazhit të shqiptarëve.
Zeqir Sadrija është i njëzeti në radhë në listën numër gjashtë.

Në këtë listë jemi përpjekur t`i përfshijmë të gjithë kandidatët shqiptarë, por megjithatë mund të ketë edhe të tjerë, për të cilët nuk kemi njohuri.

Në St. Gallen dhe Will jetojnë një numër i madh i shqiptarëve dhe deri tash nuk i ka përfaqësuar asnjë shqiptar interesat e tyre në parlamentin komunal të këtij qyteti.(albinfo.ch)