UBT

Kandidatet femra të vendosura për ta zhvilluar demokracinë në Gjilan e Anamoravë

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Në një debat të organizuar nga Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” dhe të mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung me seli në Prishtinë është folur për rolin që mund të kenë kandidatet femra në shoqëri dhe në vendimmarrje. Pothuajse të gjitha kandidatet e pranishme u zotuan se ato do të jenë zëri përçues dhe zëri i vendosur i të drejtave të grave në të gjitha drejtimet. 

Tema e debatit:”Kandidatet femra përballë qytetarëve – votuesve” ka zgjuar interesim te kandidatet e partive politike për të bërë publike mesazhin që ato kanë ndaj votuesve.

Xhejlane Behluli kandidate e LDK-së nga Artana tha se arsyeja pse kam hyrë në garë është se kam qenë zëri i fuqishëm i fshatit tim. “Unë jam përpjekur që vazhdimisht të japi kontribut së pari për fshatin tim dhe për komunitetin ku jetoj e veprojë. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen. Jam edhe kryetare e Forumit të Gruas në Artanë dhe do të jem zëri i fuqishëm i gruas dhe duke qenë gjithmonë në shërbim të tyre. Jemi të lënë anash, edhe pse ka investime në infrastrukturë”.

Xhejlanja tha se ka vështirësi në teren sepse duhet të jetë konkurrente me meshkujt që gjithashtu kanën pretendime të jenë asambleist të ardhshëm.

Saranda Rashiti nga AAK-ja me profesion ekonomiste tha se mund të jetë zëri i fuqishëm i femrës. “Gjatë kohës sa kam punuar, kam takuar shumë gra biznesmene dhe kam parë se gjithçka është e mundur. Edhe në politikë do të jem aktive dhe e përkushtuar” tha Rashiti.

Vjollca Gagica Matoshi bartese e listes e AKR-së me profesion edukatore dhe me një përvojë 34 vjeçare tha se është kyçur në politikë dhe se më herët ka qenë asambleiste ku edhe ka dhënë kontributin për katër vite radhazi. “Ka pasur neglizhencë dhe nuk është respektuar roli i gruas. Femra ende ndihet e pa përkrahur. Kemi vizituar shoqatën “Liria”, dhe kemi parë se gruaja ka vështirësi dhe ushtrohet dhunë ndaj saj. Apeli im është që gratë dhe femrat kandidate mos të hezitojnë, por t`i hynë garës pa komplekse”.

Edhe, Vjollca tha se ka pasur sfida në garën për të arritur deri tek zyrtarizimi i kandidateve dhe tha se na është marrë e drejta për të folur në Kuvend.

Valmira Arifi nga “Vatra” tha se prioritet i saj mbetet kthimi i dinjitetit të të dëbuarve nga Lugina. “Sfidat dhe problemet janë të ndryshme në teren, por të zhvendosurit kanë telashe dhe probleme serioze” tha ajo.

Drita Maliqi ish deputete e Kuvendit të Kosovës e tani pjesë e AKR-së ka rrëfyer përvojën e saj se si është bërë deputete. “Politikën e kemi pasur traditë familjare sepse rrjedh prej një familje patriotike. Kam pasur përkrahjen e familjes, popullit, dhe jam edhe nënshkruese e Pavarësisë. Uroj që kandidatet e reja të jenë të zonja dhe të përkushtuara për të quar demokracinë e Gjilanit përpara”.

Mobi Casa

Shaban Terziu nga shoqëria civile inkurajojë kandidatet femra që në Kuvend të vijnë të përgatitura.” Flisni e mos heshtni, mos ejani me heshtur në asamble” ishte porosia e Terziut.

Demir Krasniqi tha se roli i femrës në shoqëri është i padiskutueshëm.”Ju lumtë sepse me këto ide dhe programe ju mund të fitoni në çdo institucion kredibil” tha Krasniqi

Vana Jerliu Ramadani shefe e shtabit në AKR tha se është me rëndësi për vendin e shoqërinë që gruaja po kyçet edhe po lufton për të drejtat e saja. “AKR kësaj radhe do të ofroj befasinë e madhe sepse lista e jonë është me kandidatë të aftë, serioz, profesionist e të dëshmuar. Janë kandidatë me nivele universitare të edukuar e shkolluar edhe jashtë Kosovës, dhe normalisht që presim rezultat pozitivë” tha Jerliu.

Arta Haziri Nuhiu nga AAK-ja tha se kam hyrë në politikë sepse jemi të forta dhe e përballojmë sfidën e gjithanshme. “Jam nënë e dy fëmijëve dhe arrij të punojë e pavarur dhe me shumë profesionalizëm. Nuk është e lehtë, por puna ime është inspirim për mua. Jam e lumtur që jam në politikë sepse po japim kontribut të madh në avancimin e vlerave morale e njerëzore” tha ajo.

Edhe, Arta tha se në teren has në kërkesa banale siç janë ato të infrastrukturës.

Elife Sherifi gazetare ka inkurajuar kandidatet që të jenë të vendosura dhe në asamble të flasin edhe për vendimmarrje dhe jo vetëm të jenë sa për dekor.

Shqipe Demi nga AKR-ja tha se gruaja shpesh s`ka pasur përkrahje dhe si asambleiste do të ndihmojë shumë në fëmijët e braktisur.

Ndryshe debati është mbështetur nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung me seli në Prishtinë./rajonipress/