Kandari i qytetarëve!

Shkruan: Veton Nevzadi-E natyrshme është që njeriu ndonjëherë në politikë për ndonjë çast të besojë që bota dhe e vërteta është ajo pjesë e realitetit që ai e prekë, e ndjen apo e sheh, pra ajo bota e vogël në të cilën është rritur, aty ku frymon dhe vepron në mënyrën e tij.
Kjo gjendje vazhdon të qëndrojë e tillë përderisa nuk shfaqet pjesa tjetër e botës e cila duket krejtësisht me pamje tjetër duke përmbysë përnjëherë perceptimet e shtrembëruara dhe të krijuara gabimisht.
Individët e arsyeshëm dhe të sinqertë në politikë, pas këtij momenti i cili rrënon “idenë fillestare” për jetën politike, binden që rrotull tyre jetojnë e veprojnë edhe shumë njerëz dhe grupime tjera që punët i bëjnë më mirë, me më shumë vetëbesim e kreativitet me qëllim të ndryshimit të ambientit ku të tjerët jetojnë.
Këtë bindje individët e arsyeshëm e ndryshojnë jo prej ligjëratave të kundërshtarëve politik, por prej verdiktit të qytetarëve të lagjes, fshatit dhe qytetit, e të cilët janë masa reale e vlefshmërisë së platformave dhe programeve politike të partive të ndryshme politike.
Vota dhe përkrahja e qytetarëve tregon se cila është fryma politike që preferojnë shumica e tyre. Fitorja e pritur e kandidatit të PDK-së në Ferizaj në këtë moment politik është kandari më i mirë i qytetarëve të këtij qyteti kundrejt një pune të madhe që është bërë atje duke u shndërruar njëkohësisht në goditje të rëndë ndaj konceptit politik i cili si bazë ka mohimin, sharjen dhe mungesën e alternativës.
Fitoret e njëpasnjëshme të konceptit politik që nuk merret me fyerje dhe damkosje të të tjerëve, por me projekte të dobishme për qytetarë, po sjellin në mendësinë tonë politike një kualitet të ri shoqëror dhe model nga i cili nuk ka kthim prapa.
Prandaj ky moment (jo) i këndshëm politik, mund tu shërbejë si shkollë e mirë atyre të cilët duan të mësojnë diçka të vlefshme nga ky proces sepse u pa fare mirë se qytetari dënon dhe nuk i përkrahë opsionet jorealiste dhe fiktive.
Duhet reflektim realist e qytetar për të eliminuar trashëgiminë politikë të së kaluarës dhe idenë se masat mund të manipulohen aq lehtë, pasiqë tani po jetojmë në një kohë tjetër dhe nuk hyjnë në punë teoritë dhe praktikat e tejkaluara politike që nuk gjetën zbatim në asnjë vend të botës deri tani.
Qytetari i lirë asnjëherë nuk do të arsyetojë dhe përkrahë kontestimet e pabaza dhe të shpikura sepse e njeh shumë mirë ambientin ku jeton dhe punën që bëhet çdo ditë, i njeh mirë udhëheqësit të cilët i ka zgjedhur dhe fare qartë e dallon punën e mirë prej asaj të keqes me kandarin e vet.