Kamenica shpërndan edhe 56 pako “Baby Box”, deri më tani kanë përfituar 264 familje
Kamenicë – Komuna e Kamenicës po vazhdon mbështetjen për prindërit e rinj përmes programit “Baby Box”, me ç’rast janë shpërndarë edhe 56 pako me produkte të nevojshme për foshnjat dhe nënat.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me nënkryetaren Arta Bajralija dhe drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Besart Kryeziu, kanë bërë shpërndarjen e pakove të radhës për familjet përfituese.
Me këtë rast, kryetari Rahimaj ka uruar prindërit për lindjen e fëmijëve të tyre, duke theksuar se mbështetja e familjeve dhe përmirësimi i mirëqenies së fëmijëve mbeten ndër prioritetet e komunës.
Sipas tij, secila pako “Baby Box” ka vlerë mbi 300 euro dhe përmban produkte të nevojshme për foshnjat dhe nënat. Një nga risitë e këtij programi është edhe përfshirja e një kamere për monitorimin e foshnjës.
“Përmes programit Baby Box, synojmë t’i mbështesim prindërit në ditët e para pas lindjes së foshnjave dhe t’ua lehtësojmë këtë periudhë të rëndësishme”, ka deklaruar Rahimaj, duke shprehur zotimin se komuna do të vazhdojë investimet në iniciativa që kontribuojnë në mirëqenien e familjeve.
Me shpërndarjen e 56 pakove të fundit, numri i përgjithshëm i pakove “Baby Box” të shpërndara në Komunën e Kamenicës ka arritur në 264.
Programi synon të ofrojë mbështetje praktike për prindërit në ditët e para të jetës së foshnjave, duke ndihmuar në sigurimin e disa prej nevojave themelore për kujdesin ndaj tyre./rajonipress/

