Kamenica – shembull i bashkëjetesës
Gjilan -Një rast i ndodhur javën e kaluar në Kamenicë, ku protagonistë të një përleshjeje ishin një nxënës serb dhe një shqiptar, u bë temë e medieve në Serbi.
Këto media nuk e trajtuan si duhet faktin se nxënësit shqiptarë dhe serbë furnizohen me ushqime në të njëjtin vend, luajnë në të njëjtin oborr, mësojnë në shkollat ngjitur me njëra tjetrën, por e trajtuan si ngritje të tensioneve ndëretnike në Kamenicë.
Drejtori i OJQ CDKD, Nebojsa Simic, e quan të dëmshme për vet komunitetin serbë një reagim të tillë të medieve, për gjoja incidente ndëretnike në Kamenicë.
“Kacafytja e dy nxënësve të cilët blejnë ushqime në të njëjtin vend, nuk do të duhej të politizohej në këtë masë, sepse kjo nuk i kontribuon bashkëjetesës në Kamenicë. Unë nuk ndjehem mirë që dy të rinj përleshen në mes vete, por ky është rast i izoluar me të cilin duhet të merren prindërit e tyre dhe drejtorët e shkollave e jo të bëhet politikë me këtë çështje”, tha Simic.
Ai vlerësoi se bashkëjetesa e ndërtuar me vite të tëra në Kamenicë ka një mundësi për tu ruajtur. ”Nevojitet që Qeveria e Kosovës, donatorët ndërkombëtar dhe të gjithë të tjerët të investojnë sa më tepër në rregullimin e infrastrukturës në lokalitetet e përziera dhe në ato serbe në veçanti, për të krijuar kushte më të mira për jetë të qytetarëve”, tha Simic.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Shaip Surdulli, beson se propagandat e medieve të Serbisë mund të jenë të dëmshme për vet komunitetin serb në Kamenicë. “Kamenica është shembull për sigurinë dhe tolerancën ndëretnike, tentimet për të krijuar ngjarje që kanë për qëllim promovojnë raste të izoluara të ndonjë konflikti fëmijësh, janë në radhë të parë të dëmshme për vet komunitetin serb por edhe për tërë komunën.
Ne kemi krijuar me vite të tëra raporte të mira ndëretnike të bazuara në respekt të ndërsjellët mes komuniteteve për gjatë shumë viteve të kaluara. Po ashtu edhe në komunë kemi nënkryetarin dhe zyrën komunale të komuniteteve si pjesë të integruara të administratës dhe po funksionojnë shumë mirë”, ka thënë për Radio Premiera, kryetari Surdulli. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve serb që të mos bien pre e provokimeve nga politika e Beogradit.
Edhe nënkryetari për komunitete i Kamenicës, Dragisa Savic, ka mohuar që në Kamenicë të ketë konflikte ndëretnike, ndërsa një rast sipas tij nuk e prish imazhin e mirë që ka Kamenica në këtë aspekt.
Mustafë Rrudhani, drejtor i shkollës fillore “Fan Noli” në Kamenicë, e cila shkollë është në të njëjtin oborr me shkollën serbe, ka thënë se sa i përket raporteve, ato janë të mira, edhe pse nuk ka hyrje-dalje të nxënësve shqiptarë e serbë nëpër shkolla.
“Dihet që shkollat tona janë shumë pranë njëra tjetrës. Nxënësit shqiptarë, shkojnë dhe luajnë në fushën sportive të shkollës serbe, pa kurrfarë problemi. Asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë ekses” ka thënë Rrudhani.
Tregu i Kamenicës i kësaj të premte është dëshmia më e mirë e bashkëjetesës në Kamenicë. Zoran Nikolic, një serb që po shiste vezë, fasule e qepë, i tha Radios Premiera se problemet ndëretnike në këtë komunë, ka kohë që janë tejkaluar.
“Në Kamenicë nuk kemi asnjë problem, flasim e bëjmë tregti me shqiptarët. Është tregu i përbashkët, ku mund të shohësh shqiptarë, serbë e romë duke kryer pazaret. Jetojmë në paqe dhe nuk kemi kurrfarë problemesh ndëretnike”, u shpreh ai. /radiopremiera.info