Kamenica nis fushatën kundër trafikimit me qenie njerëzore, theksohet bashkëpunimi me Policinë
Kamenicë – Komuna e Kamenicës ka nisur aktivitetet në kuadër të Fushatës Kundër Trafikimit me Qenie Njerëzore, me synim vetëdijesimin e qytetarëve për rreziqet e kësaj dukurie dhe rëndësinë e parandalimit të saj.
Në kuadër të këtyre aktiviteteve, koordinatorja e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut (NJKDNJ), Nazmije Demolli Kastrati, ka vizituar Stacionin Policor në Kamenicë, ku është pritur nga komandanti Basri Shkodra.
Gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin dhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta për parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore. Po ashtu, është theksuar rëndësia e informimit të qytetarëve për identifikimin dhe raportimin e rasteve të dyshimta.
Si pjesë e fushatës, janë shpërndarë materiale informuese për qytetarët, me mesazhe ndërgjegjësuese për mbrojtjen nga trafikimi me qenie njerëzore, veçanërisht të fëmijëve dhe personave të cenueshëm.
Koordinatorja e NJKDNJ-së, Nazmije Demolli Kastrati, ka falënderuar komandantin Shkodra për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, duke vënë në pah rëndësinë e koordinimit ndërinstitucional në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe rritjen e sigurisë së qytetarëve.
Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për këtë fenomen dhe të inkurajojë raportimin e rasteve të dyshimta, me qëllim parandalimin e trafikimit dhe mbrojtjen e personave në rrezik.
Mesazhi i fushatës është i qartë: “Trafikimi na prek të gjithëve! Ta mbrojmë veten dhe fëmijët tanë! Mos heshtim! Së bashku ta parandalojmë trafikimin me qenie njerëzore!”./rajonipress/

