Fundamenti

Kamenica në mënyrë madhështore shënon ditën e flamurit

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Kamenicë – Kryetari i Komunës së Kamenicës , Shaip Surdulli me bashkëpunëtorë, për nder festës së 28 Nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë – Ditës së Flamurit, i bëri homazh varrezave të dëshmorëve në Kamenicë, ku edhe vendosi kurora lulesh. Si gjithherë u përshëndetën ngrohtësisht me familjarët e dëshmorëve.

Po ashtu, për nderë të 101 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, në shtëpinë e kulturës „Isa Kastrati “ u shfaq një program i pasur kulturo-artistik nga shoqëritë kulturo-artistike kamenicase: “Dardana” dhe „Albana“.

Kryetari Surdulli me këtë rast uroi të gjithë qytetarëve festat e nëntorit. “Festa e Flamurit Kombëtar Shqiptar është festa më e madhe e popullit shqiptar kudo që janë shqiptarët, sepse shqiptari identifikohet me simbolin e flamurit. Për flamur është derdhur shumë gjak, shumë shqiptarë janë vrarë, maltretuar e burgosur. Pikërisht për ditën e Flamurit lidhet edhe dalja në skenë e UÇK-së dhe ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashari” ka thënë kryetari Surdulli.

RCCOLA

Ai tha se edhe në këtë vit me krenari e festojmë ditën e Flamurit sepse komuna ka arritur sukses në shumë fusha të jetës, i ka kryer me sukses projektet e planifikuara dhe do të vazhdojmë me punuar për të mirën e komunës dhe gjithë qytetarëve të sajë. “Pa dyshim që në të ardhmen festën e Flamurit dhe festat tjera do t’i festojmë me rezultate edhe më të mëdha, me zhvillim të ekonomisë dhe mirëqenie më të mirë për të gjithë qytetarët e komunës sonë. Prandaj, edhe njëherë, Urime 28 nëntori, Festa e Flamurit Kombëtar Shqiptar dhe bashkë e gëzofshim të gjithë”.

Në fund me këngë u paraqiten edhe këngëtaret e njohura Nazmije Demolli-Kastrati , Nevrije Demolli, si dhe këngëtarë të tjerë. Ndërkaq, për këtë ditë qyteti dhe fshatrat ishin zbukuruara me flamuj kuq zi./rajonipress/