Mobi Casa

Kamenica në hall me ujërat e zeza

/ 3 minuta lexim

Gjilan – Kundërmimi i ujërave të zeza dhe mungesa e rrjetit të kanalizimit është ngritur në shqetësim serioz për banorët dhe vet pushtetin komunal. Surdulli thotë se duhet të mendohet për një projekt që është i kushtueshëm dhe madhor.

Ujërat e zeza dhe mungesa e rrjetit të kanalizimit për disa fshatra të Kamenicës ka shqetësuar tej mase banorët e Berivojcës,Koretinit dhe Topanicës .Për të evituar çfarëdo epidemie që mund të vije nga papastërtia në lum dhe nga kundërmimi i ujërave të zeza këta banorë kërkojnë intervenimin e organeve komunale.

E kreu i Kamenicës ,Shaip Surdulli është i vetëdijshëm se gjendja në këtë sferë është e rëndë “Është e vërtet se ujërat e zeza nuk janë trajtuar si duhet,por edhe banorët duhet të jenë më të kujdesshëm dhe mos të hedhin ujërat e zeza në lum kurse Komuna në të ardhmen do të inicioj një projekt më të madh i cili do të koordinohet në bashkëfinancim me ministrit apo me ndonjë organizatë të huaj. Ujërat fillimisht duhet të pastrohen, por ky projekt është i kushtueshëm dhe donë kohë derisa të finalizohet”tha Surdulli.

Ndryshe gjatë viteve 2010 dhe 2011 Komuna e Kamenicës ka investuar 165.805 Euro në rrjetin e kanalizimit, kurse më 2012 janë planifikuar të investohen edhe 45.000
Euro.

Fundamenti

Surdulli tha se Komuna ka investuar në rregullimin e sistemit të kanalizimeve në fshatrat Rubovc, Karaqevë e Epërme, Kopërnicë, Berivojcë, si dhe ka financuar një pjesë të kanalizimit në lagjen e epërme në fshatin Koretin. Po ashtu, me ndihmën financiare të Bankës Botërore, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) ka pastruar shtratin e lumit në pjesën e qytetit.

Por ,Surdulli tha se përkundër kësaj, problemi më i madh me ujërat e zeza nuk është evituar, sepse derdhja e tyre po bëhet në shtratin e lumit. “Në mungesë të ujërave të rrjedhshme në lum, shtrati i lumit është shndërruar në shtrat të ujërave të zeza” tha ai.

Ujërat e zeza së bashku me bërllokun, kanë bërë që lumi të kundërmojë dhe me këtë problem përballen më së shumti banorët që jetojnë përskaj lumit në fshatin Berivojcë, Koretin dhe Topanicë.

“Edhe pse banorët bartin një pjesë të fajit për shkak të derdhjes së mbeturinave, Komuna asnjëherë nuk u ka ofruar zgjidhje më të përshtatshme, qoftë duke u ofruar kontejnerë apo duke i penalizuar ata të cilët bëjnë derdhjen e mbeturinave në lum. Shumë kompani ndërtuese, bëjnë shkarkime masive të mbeturinave ndërtimore në shtratin e lumit”është thënë në raportin e GAP-it ku flitet për ujërat e zeza në këtë qytet./rajonipress/