Kamenica miraton buxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 15.3 milionë eurosh
Kamenicë – Kuvendi Komunal i Kamenicës ka miratuar buxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 15,329,208 eurosh.
Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, përmes një postimi në rrjetet sociale. Sipas tij, buxheti është miratuar me 17 vota për në seancën e mbajtur sot.
Rahimaj ka vlerësuar se miratimi i buxhetit paraqet një hap të rëndësishëm për planifikimin dhe realizimin e prioriteteve të Komunës gjatë vitit të ardhshëm.
Ai ka falënderuar anëtarët e Kuvendit Komunal për, siç është shprehur, përgjegjësinë dhe bashkëpunimin gjatë procesit të miratimit të dokumentit.
Në reagimin e tij, kryetari i Kamenicës ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit institucional për çështjet që lidhen me interesin e qytetarëve, duke argumentuar se përgjegjësia institucionale duhet të jetë mbi dallimet politike./rajonipress/


