ARKATANA

Kamenica drejt lirimit të hapësirave publike, qytetarët nisin vetë largimin e kiosqeve

/ 2 minuta lexim
Hidromorava

Kamenicë – Procesi i largimit të kiosqeve dhe objekteve të përkohshme nga hapësirat publike në Kamenicë po vazhdon, me një pjesëmarrje të theksuar vullnetare nga qytetarët.

Ky zhvillim vjen pas vendimit të Kuvendit Komunal të datës 24 mars 2025, përmes të cilit është shfuqizuar vendimi i vitit 2002 që lejonte vendosjen e kiosqeve, barakave, garazhave dhe objekteve të tjera të ngjashme në hapësira publike. Vendimi është ndërmarrë si rezultat i keqpërdorimeve të vazhdueshme të pronës publike, si dhe praktikave të papërshtatshme financiare që nuk kanë qenë në përputhje me detyrimet ndaj komunës.

Si pasojë e këtij vendimi, ka nisur një proces i organizuar për largimin e objekteve montazh, ku një element pozitiv është reflektimi i menjëhershëm i qytetarëve, të cilët kanë filluar vetë të lirojnë hapësirat publike pa ndërhyrje institucionale.

Uji Dea

Autoritetet komunale kanë bërë të ditur se afati për përfundimin e këtij procesi është deri më 31 mars 2026. Në rast të mosrespektimit të këtij afati, pritet që të ndërmerren masa të tjera ligjore ndaj personave përgjegjës.

Ky hap konsiderohet i rëndësishëm drejt rregullimit urban dhe kthimit të hapësirave publike në funksion të qytetarëve, duke synuar një mjedis më të rregullt dhe më funksional në qytet./rajonipress/