Uji Dea

Kamberi : Shqiptarët e Luginës së Preshevës më të diskriminuarit në Evropë !

/ 7 minuta lexim
Fundamenti

Preshevë – Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut edhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës ka shprehur sot shqetësimin e vet lidhur me shkallën e pamjaftueshme te realizimit të të drejtave të njeriut në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, njofton “Presheva jonë”

Megjithë progreset simbolike në fushën e të drejtave individuale dhe në harmonizimin e legjislacionit vendor me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, gjendja e tanishme në fushën e të drejtave individuale dhe kolektive mbetet e rëndë.

Në shumë sfera; si në atë politike, juridike, ekonomike dhe sociale; gjendja e të drejtave të njeriut vazhdon të jetë e vështirë. Edhe gjatë këtij viti nuk ka pasur progres thelbësor në luftimin e diskriminimeve vendore.

Në vazhdim të kësaj kumtese të KDNJ me seli në Preshevë thuhet se situata e përgjithshme politike, gjendja alarmante ekonomike, paaftësia e shtetit, e përcjellë edhe me dozë të lartë të mungesës së vullnetit politik, për të dhënë një përgjigje adekuate dhe efikase lidhur me këto tema e bëjnë edhe më tej Luginën e Preshevës, rajon me një situatë të brishtë politike dhe të sigurisë.

Pavarësisht përparimeve që Serbia po i bën në rrugën e vet nëpër integrimet evropiane, pavarësisht faktit, se ajo ka nisur një dialog të ri me Kosovën me përfaqësim më të lartë politik, Serbia, vazhdon që ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës të sillet si ndaj popullatës së padëshiruar.

Zhvillimet e ngjarjeve të këtij viti në aspektin politik dhe të (pa)sigurisë, arrestimet spektakolare, situata e rëndë ekonomike, kufizimi i hapësirës për qarkullim të lirë, mungesa e investimeve serioze që sollën si pasojë largimin e qytetarëve drejt vendeve të BE-së, po i bëjnë shqiptarët e këtij rajoni qytetarë të dorës së dytë, apo qytetarë me hapësirë të ngushtuar për jetesë normale.

Aksioni i xhandarmerisë serbe i 4 majit, me ç’rast nën akuzën e zakonshme për krime lufte dhe terrorizëm, ku u arrestuan 8 shqiptarë, jo vetëm që nxitën frikën e hakmarrjeve të reja dhe shkaktuan pasiguri të përgjithshme, por me faktin se ato u zhvilluan vetëm dy ditë para zgjedhjeve të përgjithshme në vend, ndikuan drejtpërdrejtë edhe në atmosferën zgjedhore.

Mënyra se si mediet pro-shtetërore raportuan për këtë aksion të policisë speciale ndaj shqiptarëve, sërish i vendosi shqiptarët si “armiq kryesor”. Ndërkohë që kur në mungesë faktesh, që të gjithë u liruan, vetëm disa media, tërthorazi transmetuan lajmin për pafajësinë e tyre. Një frymë e tillë mediale u shpërfaq edhe së fundi lidhur me problematizimin e çështjes së ngritjes së lapidarit të UÇPMB-së në Preshevë.

Dialogu i nisur me Kosovën, i mirëpritur edhe në Luginë të Preshevës, së paku deri më tani, nuk solli ndonjë relaksim të situatës. Aq më pak nuk ndikoi as që të hiqen polisat e sigurimit kufitar, që pengojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës të komunikojnë pa pengesa me Kosovën. Kjo është e rëndësishme është edhe për faktin se ato pak ndërmarrje ekonomike që veprojnë në Luginë të Preshevës, drejtpërdrejtë janë të varura nga tregu i Kosovës, ndërkohë që taksa pengon edhe ruajtjen e marrëdhënieve familjare, duke dëmtuar të rinjtë shqiptarë që të studiojnë në Kosovë, apo në Shqipëri.

Uji Dea

Përkundër arritjes së Marrëveshjes për njohjen e diplomave midis Kosovës dhe Serbisë, ende nuk është regjistruar pothuajse edhe një rast individual që dikush të jetë punësuar me diplomë të Kosovës së pavarur në Serbi. Serbia nuk ka as një plan strategjik se si do t’i sistemojë këta të rinj të diplomuar në Universitetin e Prishtinës pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në aspektin ekonomik, Qeveria e re në Beograd nuk ka treguar ndonjë ndjeshmëri më të madhe për problemet me të cilat ballafaqohen njerëzit në këtë rajon. Jo vetëm që nuk është krijuar ndonjë strategji, ajo as që ka alokuar fonde serioze për të ndihmuar zhvillimin ekonomik.

Riorganizimi i Trupit Koordinues shfaqet joserioz dhe që në fillim shprehet edhe mosinteresimi i qeverisë për t’u marrë seriozisht me ngritjen e efikasitetit të këtij institucioni për realizimin e synimeve që dalin nga Plani dhe Programi i vitit 2001.

Përbërja e re e Trupit Koordinues nuk ka paraqitur ndonjë strategji të re dhe as që ka ofruar mekanizma të rinj për t’u përballur me problemet. Si pasojë të një strategjie dhe masave konkrete për krijimin e vendeve të reja të punës mund të kemi lëvizje të reja të qytetarëve në drejtim të BE-së në kërkim të statusit të azilantit.

Sa i përket nivelit të realizimit të të drejtave kolektive të shqiptarëve, ato mbeten në nivelin e njëjtë me vitet paraprake. Mohimi të drejtës në përdorim zyrtar të gjuhës dhe shkrimit shqip në veprimtarinë e organeve shtetërore; mungesa e vullnetit politik për të nisur një proces serioz të kyçjes së shqiptarëve në organet shtetërore; mungesa e hapësirës për përdorim të lirë dhe zyrtar të simboleve kombëtare; paaftësia e zgjidhjes së shumë problemeve në sferën e arsimit janë vetëm disa nga segmentet nga të drejtat e cunguara të shqiptarëve në Luginë të Preshevës.

Shpeshherë arsyet e mosrealizimit të këtyre të drejtave janë edhe ndërhyrjet arbitrare të institucioneve shtetërore, siç është rasti me Vendimin e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave nga përbërja e qeverisë së kaluar, kur në fillim të këtij viti anuloi vendimin e Kuvendit komunal të Bujanocit për plotësimin dhe ndryshimin e emërtimeve të rrugëve në këtë qytet. Kuvendi Komunal kishte vendosur që nga 63 rrugë sa ka Bujanoci 25 prej tyre do të kenë emërtime nga kultura dhe historia shqiptare, por që vendimi i kësaj ministrie kishte anuluar vendimin e parlamentit lokal dhe kishte kthyer në gjendjen e mëparshme vendimin për toponimet e qytetit.

Nga ana tjetër, në komunën e Medvegjës, edhe në vitin 2012, nuk pati asnjë progres, e madje asnjë tendencë dhe program serioz, për kthimin e popullatës së zhvendosur dhe dëbuar gjatë fundviteve ’90 dhe fillimvitet ‘2000, duke dëshmuar kështu mungesën e gatishmërisë dhe vullnetit politik për ballafaqim me të kaluarën diskriminuese.
Këshilli për të Drejtat e Njeriut kërkon nga institucionet shtetërore të të gjitha niveleve, që të jenë më aktive në zbatimin e sundimit të ligjeve, sidomos të legjislacionit që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të njeriut dhe të ligjit kundër diskriminimit.

KDNJ kërkon njëkohësisht nga bashkësia ndërkombëtare mbështetje të mëtejme në vazhdimin e përkushtimit të saj për përmirësimin e nivelit të të drejtave të njeriut në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë; në funksion të inkurajimit të autoriteteve shtetërore në ndërmarrjen e masave konkrete dhe efikase, për përmirësimin e gjendjes së të drejtave të njeriut në këtë rajon, thuhet në fund të kumtesës së Këshillit për të Drejtat e Njeriut, nënshkruar nga kryetari i saj Belgzim Kamberi.