Kamberi: Nuk ndalemi me kaq, strategjia jonë vazhdon për definimin e statusit të Luginës

Bujanoc – Seanca e djeshme e këshilltarëve shqiptarë të tre kuvendeve të Luginës (Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës) të cilën e drejtoi kryetari i degës së Partisë për Veprim Demokratik në Bujanoc Shaip Kamberi ka rikonfirmuar kërkesat e Luginës së Preshevës përmes një dokumenti “Masat urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”.
Pra, dokumenti në fjalë dhe deklarata e shefit të TK Zoran Stamenkovic rreth strategjisë më të re të lidershipit shqiptarë mbi perspektivën e Luginës së Preshevës ishin pikat që rrahëm gjatë bisedës për agjencinë e lajmeve “Presheva Jonë” me liderin e PVD-së në Bujanoc z.Shaip Kamberin, ish-kryetar i komunës
Presheva Jonë: Dje, në Preshevë u tubuar 74 këshilltarët komunalë shqiptarë të tre kuvendeve të Luginës. Veç disa vendimeve dhe situatës aktuale keni miratuar një deklaratë “Masat urgjente për afirmimin e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”. Ju si drejtues i seancës zoti Kamberi, mund të na thoni më konkretisht çka bëhet fjalë në te. Mund të thuhet se Lugina kërkon diçka të ngjashëm (asociacionin e komunave shqiptare në Serbi) me atë çfarë e kërkojnë se fundi serbët e Kosovës ?
Sh. Kamberi: Seanca e Kuvendit të Këshilltarëve shqiptarë, e mbajtur të shtunën më 9 mars, ka aprovuar dy dokumente të rëndësishme. i pari, rregullorja e punës, ka për qëllim rregullimin e mënyrës së thirrjes së seancave, udhëheqjes së tyre dhe marrjes së vendimeve në seancë. Njëkohësisht ky dokument rregullon edhe mënyrën e përfaqësimit të subjekteve politike në kryesinë e Kuvendit. Ky dokument i ka munguar Kuvendit, dhe në mungesë të tij, shpeshherë, janë krijuar problem që kanë shkaktuar edhe zvarritjen e bile edhe mosmbajtjen e seancave të Kuvendit.
Dokumenti i dytë ka të bëjë me zgjidhjen e problem konkrete të popullatës shqiptarë në këto komuna. Janë të përfshira 9 sfera të jetës në të cilat, mendojmë, duhet të ndërmerren masa urgjente për përmirësimin e jetës së qytetarëve. Të gjitha këto kërkesa janë të bazuara sikurse në të drejtën e brendshme ashtu edhe në të drejtën ndërkombëtare. Nevojitet vetëm vullnet i mjaftueshëm në Beograd, apo, inkurajim i BE-së për t’i zgjidhur këto çështje.
Megjithatë, duke e konsideruar si dokument të masave urgjente ne nuk konsiderojmë se përmbushja qoftë edhe e të gjitha kërkesave, është e mjaftueshme për definimin e statusit politik afatgjatë të shqiptarëve në këtë rajon. Prandaj, ky Kuvend, së shpejti do të aprovojë edhe një dokument tjetër, strategjik, sipas të cilit do të duhej të zgjidhej status ii shqiptarëve. Parimet kryesore që dokumenti i radhës duhet t’i përmbajë, janë parimet nga Platforma politike e vitit 2006, parimit reciprocitetit me të drejtat e serbëve në Kosovë. Në nuk mendojmë se ky rregullim territorial administrative në Serbi ofron zgjidhje të drejta për problemet e shqiptarëve, kështu që propozimi ynë do të përfshijë edhe të drejtën e krijimit të institucioneve rajonale, me kompetenca politike dhe ekzekutive për t’i zgjidhur çështjet të cilat konsiderohen veçori të Luginës së Preshevës, qoftë të karakterit historik apo kombëtar.
Presheva Jonë: Shefi i TK për PBM Stankovic pohon se në takimit e 25 prillit nuk paska bërë fjalë askush për asociacionit e komunave, madhe ai thotë se përfaqësuesit e komunave të Luginës paskan kërkuar integrim ne sistemin shtetëror duke kërkuar përmirësimin e kushteve dhe zgjidhjen e problemeve të infrastrukturës, arsimimit, simboleve etj. sepse sipas Stankovic e drejta e shqiptarëve në Serbi janë të mira sipas standardeve ndërkombëtare”. Si komentoni këto z.Kamberi ?
Sh. Kamberi: Nuk është e thënë që në takimin e parë, i cili edhe ashtu është cilësuar si parapërgatitor, t’i japim z. Stankoviq të gjitha dokumentet të cilat janë në planin tonë. Se në kemi të drejtë participimi proporcional në vendet e punës të institucioneve, apo të kemi shkolla dhe rrugë modern, të përdorim gjuhën dhe simbolet tona lirshëm nuk është çështje që do të duhej të varej nga vullneti i z. Stankoviq. Këto janë të drejta që konsiderohen si fundamentale, dhe sistemi që i mohon këto të drejta qytetarëve të vet, nuk mund të konsiderohet demokratik, aq më pak i denjë për të qenë pjesë e BE-së. Kurrsesi nuk mund të pajtohemi se të drejtat e shqiptarëve në Luginë të Preshevës kanë nivelin e duhur,prandaj edhe po mundohemi që në një proces të ri politik ta përmirësojmë gjendjen. Z. Stankoviq është kontradiktor me situatën. Pse atëherë ai dëshiron të nisë një dialog me shqiptarët nëse gjithçka është OK?
Presheva Jonë: Mendoni takimet “e para” me përfaqësuesve lokal me autoritet serbe apo dialogu Preshevë-Beograd mund të jetë serioz. Nëse , nuk shantazhohet Presheva tash para prillit kur Serbia pret diçka nga Brukseli, jeni optimist se do të realizohen të drejtat kombëtare të shqiptarëve etnik në Luginë ?
Sh. Kamberi: E thash se kemi pasur vetëm një takim parapërgatitor. Ne, me aprovimin e dokumenteve të përmendura, po përgatitemi që të paraqesim kërkesat në mënyrë serioze, por, rrjedha dhe suksesi i këtij dialogu, varet jo vetëm nga ne. ai varet nga gatishmëria e Beogradit që përfundimisht të përballet në mënyrë serioze me problemet e shqiptarëve, e më shumë mendoj nga gatishmëria e Bashkësisë ndërkombëtare që ta bindë Beogradin që këtë rast mos të shpërdorojë.