UBT

Kamberi: Lugina e Preshevës ka nevojë për një riorganizim politik

/ 6 minuta lexim
Eco Higjiena

Në mediet tona autoritative sikur në Luginë ashtu edhe në Kosovë është shkruar mundësia e krijimit të ndonjë subjekti të profilit të Lëvizjes “Vetëvendosje!” së Albin Kurtit edhe në Kosovën Lindore, por për Belgzim Kamberin nismëtar i një lëvizje të re i angazhuar për një opozitë të forte përballë pushtetit aktual ka thënë për presheva jonë se për momentin, nuk ka ende asgjë konkrete në këtë drejtim, jemi në konsultim e sipër..

Presheva Jonë: Flitet se si pasojë e asaj që nuk jeni i kënaqur me strukturat e pushtetit aktual në Luginën e Preshevës, kanë nxitur kyçjen e juaj në politikë. Mund të na përmendni disa nga këto pakënaqësi ku mund ta arsyetoni nevojën e angazhimit tuaj në Luginë ?

Kamberi: Pakënaqësia ime dhe e bashkëmendimtarëve të tjerë është përtej strukturave politike që po qeverisin aktualisht me Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën; apo me politikat rajonale që kanë të bëjnë në mënyrë (in) direkte më këto tri komuna. Politika në përgjithësi duket se nuk po prodhon zhvillim shoqëror në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Çdo ditë e më tepër, po reflekton nevojën për një dinamikë më të madhe, për më shumë energji dhe për më shumë kapacitete politike dhe profesionale. Prandaj ka filluar të mbizotëroi ideja në mesin tonë, se ka nevojë për një pjesëmarrje më aktive politike, që do të mund ndoshta të kontribuonte në pasurimin e politikëbërjes, mirëpo nuk mund të thuhet se ka diçka konkrete për momentin, përveç një shprehje më konkrete pakënaqësie me gjendjen mbretëruese politike dhe me një vullnet në rritje për të marrë përgjegjësi politike në të ardhmen.

Presheva Jonë: Keni dhënë dy opsione atë të bashkimit me Partinë për Veprim Demokratike, me kushte, cilat janë ato…apo formimin e një subjekti të ri. Atëherë, rreth kësaj të fundit, cili do të jetë vizioni i saj, sa mendoni se do keni përkrahje ?

Kamberi: Për momentin nuk kemi asnjë përcaktim dhe preferencë partiake. Opsionet e përfolura në media kanë qenë më shumë rezultat i një spostimit tim në rrjetin social të facebook-ut, ku kam nënvizuar se është “koha për opozitë”, apo dhe të spekulimeve gazetareske. Por, ajo për të cilën jemi të përcaktuar, nëse përfshihemi në politikë, është që mos të përfshihemi në subjektet aktuale pushtetare në Preshevë dhe Bujanoc, ngase edhe ashtu, ato pushtete janë tanimë të konsoliduara dhe të mandatuara për t’i realizuar synimet e tyre programore, të paraqitura gjatë fushatës së tyre parazgjedhore. Qëllimi ynë parësor do të ishte që të kontribuojmë në pasurimin e politikës në përgjithësi, e jo që ta marrim pushtetin, aq më pak pa i definuar hollësishëm idetë dhe pa i ndërtuar kapacitetet e duhura njerëzore dhe demokratike, që mos të dimë pastaj se çfarë të bëhet me pushtetin, siç po ngjanë sot, ku veprohet kryesisht me politikën e pushtetit për pushtetin, pa ndonjë vizion të qartë politik dhe pa program serioz zhvillimor. Personalisht, kohëve të fundit, unë kam zhvilluar një bisedë formale të rastit me kryetarin e Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi dhe me kryetarin e Unionit Demokratik Shqiptar, z.Rahmi Zylfiu; lidhur me pikëpamjet e tyre politike për proceset e mëtejme politike dhe partiake; por ato biseda nuk ishin të përqendruara assesi rreth aderimit tim të mundshëm në partitë përkatëse, por vetëm në njoftimin me idetë e tyre, se si i parashohin ata zhvillimet e ardhshme politike në përgjithësi dhe ato partiake në veçanti.

Priten ndryshime…

Presheva Jonë: Mund të flitet se lëvizja e re juaj mund të ngjasojnë asaj “Vetëvendosjes” së Kosovës. Ashtu kështu mediet autoritative në Kosovë dhe Luginë të Preshevës kanë shkruar se këtu bëhet fjalë për një “Vetëvendosje-2” në Kosovën Lindore, apo ?

RCCOLA

Kamberi: Po, kam vërejtur se disa media e kanë apostrofuar mundësinë e aderimit tim më të mundshëm në PVD, sigurisht duke e ndërlidhur me miqësinë time me disa veprimtarë të PVD-së, të krijuar si rezultat i bashkëpunimit me Këshillin për të Drejtat e Njeriut. Njëjtë është interpretuar edhe me mundësinë e krijimit të ndonjë subjekti të profilit të Lëvizjes “Vetëvendosje!” së Albin Kurtit, që është menduar ndoshta duke u bazuar në bashkëpunimin e Këshillit për të Drejtat e Njeriut me disa aktivitete të Lëvizjes “Vetëvendosje”. Mirëpo, për momentin, të gjitha këto mbeten spekulime të natyrshme të gazetarëve dhe nuk ka asgjë konkrete në këtë drejtim, përpos që jemi duke zhvilluar biseda formale me qytetarë dhe me aktorë të ndryshëm vendor, për t’i shqyrtuar mendimet e tyre rreth nevojës dhe mundësive për një mobilizim, politizim dhe aktivizim më të theksuar shoqëror dhe politik që do të mund eventualisht të kontribuonte në pasurimin e politikës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Presheva Jonë: Duke pas parasysh që jeni përcaktuar të qëndroni opozitë, cilat janë pikat kryesore ku do të “sulmohet” pozita, e pashqetësuar deri sot ?

Kamberi: “Sulmet” ndaj pushteteve i takojnë para së gjithash opozitave institucionale, që janë legjitimuara me votat e qytetarëve Strukturat e ndryshme opozitare janë ato që duhen të jenë bartëse të organizimit dhe të mobilizimit të pakënaqësive shoqërore dhe të krijimit të alternativave.

Presheva Jonë: Kur mund të presim diçka konkrete ?

Kamberi: Kjo nuk varet vetëm nga vullnetet individuale, por edhe nga rrethanat, zhvillimet dhe dinamikat e proceseve politike, që mund të rezultojnë gjatë muajve në vijim.

Presheva Jonë: Çka do të ndodh me Këshillin e të Drejtave të Njeriut ?

Kamberi: Këshilli për të Drejtat e Njeriut do të vazhdojë veprimtarinë sipas statutit të tij.