Kallas: Inkurajoj të gjitha partitë politike që të dalin nga ngërçi politik, vetëm kështu Kosova përfiton nga BE

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka theksuar se nuk ka rrugë të shkurtër për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke riafirmuar rëndësinë strategjike që Ballkani Perëndimor ka për BE-në.
Në një konferencë për media nga Prishtina Kallas ka bërë të ditur se procesi i zgjerimit të BE-së do të jetë një nga prioritetet e saj, duke vënë në pah aspiratat e qytetarëve të Kosovës për t’u bërë pjesë e bllokut evropian.
“Ballkani Perëndimor është strategjik për BE-në. Projekti jonë më i madh gjeostrategjik, dhe personalisht për mua. Kosova e ka vendin në familjen evropiane, por s’ka rrugë të shkurtra për anëtarësim… Në Kosovë, pjesa dërmuese e qytetarëve duan anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, u shpreh ajo.
Megjithatë, Kallas theksoi se për t’iu afruar BE-së, Kosova duhet të ketë institucione funksionale dhe stabile.
Ajo u bëri thirrje të gjitha partive politike që të kapërcejnë ngërçin aktual politik dhe të punojnë drejt formimit të institucioneve të reja.
“Inkurajoj të gjitha partitë politike që të dalin nga ngërçi politik në mënyrë që të formohen institucionet, ashtu që Kosova të mund të përfitojë nga mbështetja jonë”, tha ajo.
Kallas tha se Bashkimi Evropian është i gatshëm ta mbështesë Kosovën, por liderët e partive politike duhet t’i lënë anash ndasitë dhe ta bëjnë prioritet të ardhmen e Kosovës.
“Formimi i Kuvendit të ri dhe Qeverisë së re është thelbësor për stabilitetin, rritjen dhe të ardhmen evropiane të Kosovës”, tha Kallas.
Një tjetër çështje që Kallas e veçoi si prioritet ishte procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Ajo konfirmoi përkushtimin e BE-së në lehtësimin dhe mbështetjen e këtij procesi.
“Ju jeni partnerë të barabartë në tavolinë dhe, si përfaqësuese e BE-së, do të mbështes këtë proces”, përfundoi Kallas./Telegrafi/