Kajtazi: E padinjitetshme që dikush nga LDK të jetë kundër nominimit të Haradinajt për kryeministër

Kryetarja e Forumit të Gruas në LDK, Lirie Kajtazi thotë se është e padinjtetshme që dikush nga LDK, të dal tash dhe të thotë se nuk i pëlqen vendimi që i nominuari i bllokut për kryeministër të jetë Ramush Haradinaj.
Duke komentuar deklarimet e Arben Gashit dhe Lutfi Hazirit, të cilët ditëve të fundit kanë shprehur mendimin e tyre se dëshirojnë që kryeministër të jetë lideri i partisë së tyre, Isa Mustafa, Kajtazi ka thënë se në kohën kur janë marrë këto vendime në Këshillin e Përgjithshëm, asnjë anëtari të këtij këshilli nuk i është “mbyllur goja”.
“Në organet e partisë vendimet merren me shumicë votash. Këto vendime janë marrë në organet e partisë dhe ato janë organet vendimmarrëse dhe asnjëri nga ne sepse unë jam vet anëtare edhe e Kryesisë edhe e Këshillit të Përgjithshëm, nuk e kemi pasur gojën e mbyllur që alternativat që na duken më të mira t’i prezantojmë në ato organe”.
“Aty kush nuk ka folur është e padinjitetshme të flas ndryshe tani. Thjesht janë organet e vendimmarrjes dhe vendimet që janë marrë, ne i qëndrojmë besnik kauzës sonë së pari, organeve të partisë pastaj edhe një besa besë që e kemi me subjektet e tjera të cilat janë të angazhuara që të dalim nga kriza”, ka thënë Kajtazi për RTK.