Kajmekamit po i fryente përmbrapa
Pasha i Prishtinës çoi e thirri kajmekamin e Gjilanit, kajmekami me shkue te pasha në Prishtinë po, pa çare, po qysh me shkue: udha prej Gjilanit e në Prishtinë i biente nëpër mal e mali ishte i mbushun plot me cuba e kaçakë. Kjo punë po e tmerronte kajmekamin, i dhimbej shpirti të shkretit sepse vetëm atë shpirt kishte…
Prej asaj dite vendi-vend nuk po i zihej, as nuk po i hahej as nuk po i pihej se ma hanmën… e kishte harrue krejt. Nuk kishte faj i ngrati se fundi i fundit kryet e tij nuk ishte kungull me lulue sërish në pranverë. Dikush i tha se vetëm Beqë Ballanca – nji trim i çartun, ishte i zoti me e shtie kajmekamin në Prishtinë pa nji therrë në kambë e ky çoi e e thirri Beqën menjiherë.
Në të tretën e ditës Beqë Ballanca, ulun në skemli po pinte kafe në zyrën e kajmekamit në Gjilan. Mbasi u morën vesh se për kur, qysh e tek dhe për paret, se për sy të zi nuk i hynte kësaj pune Beqa sepse tek e fundit edhe kryet e tij vlente diçka. E porositi edhe nga një kafe kajmekami mbas kësaj marrëveshje po filxhani po i dridhej në dorë, endej nëpër zyre dhe Beqës ia bante edhe disa pyetje, frigësohej, donte me e ditun sahi se a mund i del Beqa sajp kësaj pune e ky e pa se ku po i digjte kajmekamit e i tha “ngo knena kajmekam efendi në qoftëse më rrok plumbi i parë – dheve në Beqë – e në shpëtofsha prej plumbit të parë e sheh se kush asht Beqë Ballanca”
Qamil S. Llashtica
Toronto, KANADË


