RCCOLA

Kadriu: Zhegra do të jetë vetëm nismë e investimeve për të ardhmen

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Qytetarët e Zhegrës, sot qysh në orët e para të mëngjesit kanë nisur aksionin për pastrimin dhe rregullimin e parkut të fshatit. Ky aksion i nisur dhe i përkrahur nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Gjilan Rexhep Kadriu, ka bërë bashkë një numër të banorëve të cilët kanë pritur kryetarin Kadriu dhe strukturën e Aleancës në Gjilan, për t`i nisur punimet.

Kadriu ka thënë se aksioni i sotëm në Zhegër është vetëm nismë e investimeve që pritet të bëhen në të ardhmen.

“Kemi nisur nga pastrimi i parkut, rregullimi i ndriçimit dhe ngjyrosja e ulëseve, që sadopak t`i kthehet pamja e duhur këtij parku. Edhe pse kjo punë është obligim i komunës, duke mos e parë interesimin e tyre për të marrë një hap të tillë, ne kemi vendosur që bashkë me qytetarët të kontribuojmë në këtë drejtim”, ka thënë Kadriu.

Kjo gjendje e mjerueshme nëpër fshatrat e komunës së Gjilanit ka ardhur si rezultat i mos ndarjes proporcionale të investimeve nga ana komunale, ka shtuar më tej kryetari Kadriu.

RCCOLA

Ndërkaq, kryetari i Degës së Zhegrës Shaqir Isufi, ka thënë se qëllimi i këtij aksioni ka peshë dhe vlerë të madhe për banorët e Zhegrës.

“Ky vend ka qenë vend i hedhurinave, vend i lënë pas dore. Komuna e Gjilanit nuk e ka kryer obligimin e saj në mirëmbajtjen e këtij parku, duke mos kryer asnjë obligim në fshatin Zhegër, duke mos bërë asnjë bashkëpunim apo donacion. Të vetmit që kanë punuar kanë qenë vet qytetarët, mirëpo asnjëherë komuna”, ka thënë Isufi.

Kadriu ka premtuar përkrahje për Zhegrën edhe në të ardhmen, ndërsa ka thënë se do të gjendet zgjidhje për prioritet që Zhegra ka.

Ai në këtë aksion është shoqëruar nga nënkryetari i parë i AAK-së në Gjilan Selami Xhemajli, anëtari i kryesisë së degës Nezir Neziri, kryetari i ARK-së Labinot Hyseni, ndërsa kanë marrë pjesë aktivistë, vullnetarë dhe qytetarë të cilët kanë përshëndetur këtë aksion./rajonipress/