Eko Higjiena

Kadriu: Kosova Lindore do të frymojë e do jetë trevë autoktone shqiptare

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Sejdulla Kadriu, ish anëtar i Këshillit Politik të UÇPMB-së, u ka thënë familjarëve të dëshmorëve që të jenë krenarë sepse të tillë i patën bijtë e bijat që sakrifikuan edhe jetën e tyre për çlirim të trojeve shqiptare. Ata me trimërinë e tyre bënë që edhe Kosova Lindore të jetë për jetë e mot, trevë autoktone shqiptare, të frymoj shqip.

“Rruga e dëshmorëve ishte rrugë e dinjitetit. Ata me luftën e tyre e kanë vrarë robërinë, ndërsa tani na mbetet neve që ta bëjmë bashkimin, dhe ne nuk duhet ndalur së ecuri drejt realizimit të këtij qëllimi të shumë gjeneratave, e sidomos të këtyre trimave që po i kujtojmë sot“.

Kështu ka thënë Sejdulla Kadriu në një Akademinë Përkujtimore, të mbajtur në Teatrin e Qytetit të Gjilanit, ku edhe janë përkujtuar dëshmorët e kombit të rënë në luftën e UÇPMB-së.

Kadriu ka thënë se Kosova Lindore padrejtësisht ishte ndarë nga trungu qysh prej viteve të dyzeta të shekullit të kaluar dhe asnjëherë nuk ju nda zullumi, por se edhe ajo pati bijtë e bijat më të devotshëm, që nuk reshten së rezistuari dhe në fund kapën edhe armët për ta luftuar okupatorin, sepse me përfundimin e luftës në Kosovës, nuk kishte përfunduar çlirimi i tokave shqiptare.

Hidromorava

Edhe historiani Emin Kabashi ka thënë se në luftën për liri bien dhe trimat, por fiton një popull, ndërsa ka thënë se lufta e UÇPMB-së, pa marrë parasysh se çka thotë politika ditore e shqiptarëve dhe e ndërkombëtarëve, i ka mësuar shqiptarët se atdheu duhet edhe kur të vret dhe se lufta e UÇPMB-së, e ka vënë në sprovë tërë politikën shqiptare, politikën rajonale dhe politikën evropiane, për faktin se lufta e tyre ishte veprim historik, mbi të cilin nuk mund të kalohet në heshtje, kurse politikat, cilado qofshin ato, një ditë harrohen.

Ndërsa ish zëvendëskomandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇPMB-së, Mustafë Shaqiri, ka rikujtuar fillet e krijimit të UÇPMB-së, duke kujtuar edhe betejat e para dhe dëshmorët e parë që ranë në altari ne lirisë.

Kurse, Xhaviti Jashari nga Shoqata e familjeve të Dëshmorëve tha se u deshtë edhe lufta e UÇPMB-së për të treguar se padrejtësitë ndaj shqiptarëve po vazhdojnë. Luftëtarët e lirisë, dëshmorët e kombit ranë për lirinë e trojeve shqiptare dhe do të jenë kujtesë e përhershme e historisë sonë kombëtare, tha ai./rajonipress/