Kadriu intervenon edhe në lagjen e Farmave në Arbëri

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Të mërkurën, kryetari i AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu ka vazhduar aktivitetin e tij në ndihmë të qytetarit, duke vizituar lagjen e Farmave në Arbëri.

Banorët e kësaj lagje, të harruar nga pushteti komunal, në të cilën nuk është bërë asnjëherë asnjë investim, jetojnë në kushte të vështira dhe me probleme të shumta. Deri para pak muajsh, ata kanë pasur probleme të rënda me kundërmime nga mungesa e funksionalizimit të kanalizimit, problem ky i zgjidhur nga Kadriu, i cili ka investuar në rregullimin e tij. Ndërsa sot, qëllimi i vizitës së Kadriut në këtë lagje, ka pasur të bëjë me mungesën e shtyllave elektrike.

Banorët kanë thënë se ka vite që ata jetojnë këtu dhe janë të detyruar të bartin rrymën me kabllo, për shkak të mungesës së shtyllave elektrike.

Eco Higjiena

“Kryetari i komunës së Gjilanit e ka për obligim të investojë për qytetarët, sepse taksat që paguajnë qytetarët duhet të kthehen në investime për ta. Prandaj, unë duke e parë gjendjen e keqe në të cilën jetojnë qytetarët e komunës tonë, kam vendosur të investojë para nga buxheti im, për të përmirësuar sadopak këtë gjendje të vështirë”, ka thënë Kadriu.

Ai ka premtuar se do t`i sjellë dy shtylla elektrike për banorët e kësaj lagje, në mënyrë që edhe ata të kenë qasje të rregullt në sistemin elektrik. Shtyllat të cilat Kadriu i ka premtuar do të sillen shumë shpejtë, ndërsa brenda pak ditësh pritet të përfundojnë edhe punimet për vënien në funksion të tyre. /rajonipress/