Kadriu i jep titullin “Qytetar Nderi”, presidentit të Shqipërisë Bajram Begaj

Gjilan – Me propozimin tim dhe me votim të Asamblesë Komunale, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij z. Bajram Begaj, u shpall “Qytetar Nderi” i Komunës sonë ka shkruar Kushtrim Kadriu.
Gjilani ka qenë gjithmonë një komunë që ka nderuar dhe respektuar rolin e madh të Republikës së Shqipërisë në çlirimin dhe ndërtimin e vendit tonë.
Presidenti Begaj ka dhënë një kontribut të çmuar në këtë proces dhe ky nderim është një shenjë mirënjohjeje për angazhimin dhe mbështetjen e tij të vazhdueshme.
Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë punonjësit e Komunës sonë dhe për institucionin e Presidencës Shqiptare, për punën dhe përkushtimin që bënë të mundur realizimin e këtij momenti të veçantë për qytetin tonë ka shkruar Kadriu.
Kurse Presidenti Begaj tha se: “Gjilani si qytet i sakrificës dhe i qëndresës më bënë sot pjesë të tij dhe ky është një vlerësim që unë e pranoj më përulësi. Ky titull i përket të gjithë shqiptarëve që në momentet më të vështira qëndruan pranë dhe krah jush si pjesë e pandashme… Kosova nuk është e lirë rastësisht, ajo është një fitore e madhe. Madje nuk hoqi dorë nga ëndrra për pavarësi”, tha ai.
Begaj theksoi se e din mirë peshën dhe sakrificën e lirisë.
“Gjilani ka heronjtë e vet, Idriz Seferi, Ramiz Cërnica , Kadri Zeka, Rexhep Malaj,Nuhi Berisha, Agim Berisha, Rrahim Beqiri, Xhevat Qerimi. Sot ky qytet është i mbushur me jetë, me shpresë për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe që e dinë shumë mirë sa sakrifica u desh për liri dhe kjo liri nuk është çuar dëm. Liria duhet të mbrohet dhe të ndërtohet çdo ditë”, tha ai duke shtuar se “Shqipëria ka qenë pranë Kosovës dhe kështu do të jetë gjithmonë”.
“Ne do të qëndrojmë kurdo herë edhe në kohë paqe. Ne jemi një komb që ndonëse nuk e harron të kaluarën , sheh drejtë së ardhmes. Shqipëria dhe Kosova duhet ta shohin të ardhmen të përbashkët drejt Integrimit Evropian. Qyteti i Gjilanit ka ruajtur frymën e atdhe dashurisë, në rrugët e tij ndjehet shpresa për të ardhmen”, ka thënë presidenti i Shqipërisë, Begaj./rajonipress/