UBT

Kadriu: Gjilani dhe mbarë shqiptarët janë krenar me veprën e Agim Ramadanit

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Nënkryetari Rexhep Kadriu tha se Gjilani është krenar dhe i respektuar me veprën kombëtare të Agim Ramadanit, duke thënë se ai u sakrifikua për të pasur qytetarët e Kosovës lirinë, pavarësinë dhe jetën e dinjitetshme.

Nën patronatin e kryetarit të Komunës së Gjilanit, z. Lutfi Haziri, po vazhdon dita e tretë e Manifestimit tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2014”, në nderim të dëshmorit të kombit, Agim Ramadani, i cili sot ka ditëlindjen.

Fillimisht janë bërë homazhe para lapidarit të Agim Ramadanit para teatrit të qytetit, ku i pranishëm ishte nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Rexhep Kadriu, i shoqëruar nga kryesuesja Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe drejtorët komunal si dhe miq, familjar e bashkëluftëtar të Agimit.

Nënkryetari Kadriu tha se Gjilani është krenar dhe i respektuar me veprën kombëtare të Agim Ramadanit, duke thënë se ai u sakrifikua për të pasur qytetarët e Kosovës lirinë, pavarësinë dhe jetën e dinjitetshme.

Mobi Casa

“Sot është edhe ditëlindja e Agimit. Gjilani është i nderuar dhe i respektuar me Agim Ramadanin me veprën e tij. Ne do ta përkujtojmë gjithmonë, do të përkulemi para veprës së madhe të tij sepse ai me këmbët dhe duart e tij e theu kufirin shqiptaro-shqiptar. Ky personalitet i la të gjitha të mirat e jetës së tij në Europë dhe u kthye ta çliroj Kosovën. Ne institucionet komunale, shteti i Kosovës e ka për obligim të kujdesen për familjen e tij, për të gjithë veteranët e luftës. Ne jemi të obliguar që amanetin e dëshmorëve ta çojmë deri në fund, duke punuar për qytetarët për të pasur jetë sa më të mirë”, ka thënë nënkryetari Kadriu.

Në emër të familjes Ramadani ka folur vëllai i Agimit, Jashar Ramadani, i cili tha se “ne si familje jemi krenar që ka Agimi ka mund të japë kontributin për të gjitha ato që ne në liri sot i organizojmë. I shpreh mirënjohje të gjithë që kanë dhënë kontributin gjatë këtyre ditëve për ta përkujtuar sa më dinjitetshëm”.

Dita e parë të këtij manifestimi u karakterizua me turnirin në futboll të vogël të mbajtur në fshatin Zhegër “Edhe me sport e kujtojmë Agimin” me pjesëmarrje të 24 ekipeve nga të gjitha trojet shqiptare si dhe flakadanët në përkujtim të 114 dëshmorëve të Betejës së Koshares.

Në ditën e dytë është mbajtur aktiviteti sportiv në hendboll dhe ora e madhe letrare “Muza e Agimit”, ndërsa sot dita e tretë ka nisur me homazhe para lapidarit të Agim Ramadanit, për të vazhduar me programin e shkollës “Agim Ramadani” në fshatin Zhegër në ora 12:00, ndërsa në ora 16:00 është tubimi qendror “I këndojmë Agimit”, ku do të marrin pjesë të gjitha institucionet e nivelit qendror dhe lokal në nderim të figurës kombëtare të Agim Ramadanit./rajonipress/