Kadrijaj: Albin Kurti është bllokues, Lëvizja Vetëvendosje është bllokuese

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se bllokuesit e Kuvendit të Kosovës janë Albin Kurti dhe anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Në një paraqitje të sajën në parlament, ajo ka theksuar se AAK-ja u dha shumë zgjidhje, por se Vetëvendosje dëshiron që të shkelë aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Po e shihni qëllimin e bllokadës, po e shihni qëllimin e Albin Kurtit, po e shihni qëllimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Ne kemi dhënë alternativë dhe kemi dalë prej qëndrimeve të ish-partive opozitare kemi propozuar edhe një kandidat për komision që është deputeti Albin Kurti, nuk e di pse na ftojnë për ta propozuar”, tha Kadrijaj.
“Ne kemi dhënë zgjidhje dhe alternativa nëpër takimet që kemi qenë me Zotëri Albin Kurtin, kemi thënë se jemi për konstituimin e Kuvendit, por kemi thënë se jemi edhe për respektimin e aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese. Lëvizja Vetëvendosje nuk po e respekton, dhe nuk është hera e parë që nuk e respekton”.
“Vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk respektohen nga Albin Kurti dhe Vetëvendosje sepse e dini këta qëllimshëm kanë bërë edhe ligje antikushtetuese që vet Kushtetuesja i ka bërë të paligjshëm por nuk i pranojnë. Ata i pranojnë ato çka iu pëlqejnë dhe ato çka nuk iu pëlqejnë si pranojnë, Albin Kurti është bllokues, Lëvizja Vetëvendosje është bllokuese”, u shpreh Kadrijaj.
E njëjta tha se kur ndodhi alarmi për bombë paraditen e sotme, deputetët e VV-së shkuan në Qeveri, e ata të ish-opozitës në kafene, për këtë ajo tha: “Ky është një turp, dhe turpi e ka emrin Albin Kurti”. /Klankosova