Kadri Rahimaj nga Bursa: Veprimtarët shqiptarë ruajnë gjallë rrënjët, kulturën dhe dashurinë për atdheun
Kamenicë – Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, gjatë vizitës së tij në Bursë është takuar me dy veprimtarë të komunitetit shqiptar, Rexhep Gündüz (Krivaqa) nga Kamenica dhe Necip Şen, familja e të cilit ka prejardhje nga Kumanova.
Rahimaj e ka cilësuar takimin si një moment të veçantë, duke vlerësuar rolin e mërgimtarëve dhe veprimtarëve shqiptarë në ruajtjen e lidhjeve me vendlindjen, traditën, gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Në një postim të publikuar pas vizitës, Rahimaj ka vlerësuar në veçanti veprimtarinë e Rexhep Gündüz, i njohur edhe si Krivaqa, i cili udhëheq Shoqatën Kulturore-Humanitare “Kosova, Shqipëria, Maqedonia”, e njohur në turqisht si Kosova Arnavutluk Makedonya Kültür ve Yardımlaşma Derneği.
Sipas Rahimajt, kjo shoqatë është themeluar më 23 prill 1999 dhe për më shumë se dy dekada e gjysmë ka shërbyer si një hapësirë e rëndësishme për ruajtjen e traditës, gjuhës dhe lidhjeve të komunitetit shqiptar me vendet dhe qytetet nga të cilat kanë prejardhje.
Rahimaj ka veçuar edhe veprimtarinë e Necip Şen, duke theksuar lidhjen e tij të fortë emocionale me Kosovën dhe atdheun. Ai ka përmendur edhe simbolikën e targave të automjetit të Şenit, të cilat, sipas tij, mbajnë simbolin e UÇK-së.
Şen është aktiv në komunitetin shqiptar në qytetin Mustafakemalpaşa dhe, sipas Rahimajt, ka qenë shoqërues i delegacionit gjatë vizitave në institucionet e këtij qyteti.
Në fund të postimit, Rahimaj ka shprehur mirënjohje për dy veprimtarët për angazhimin e tyre dhe mikpritjen gjatë vizitës.
Postimi i plotë i Kadri Rahimajt:
“Urë e fuqishme që mban gjallë rrënjët, kulturën dhe dashurinë e pashkëputur për atdheun!
Gjatë vizitës në Bursë, pata kënaqësinë e veçantë të takohem me dy veprimtarë të shquar të komunitetit tonë. bashkëqytetarin nga Kamenica, z. Rexhep Gündüz (Krivaqa), dhe z. Necip Şen, familja e të cilit është shpërngulur nga Kumanova.
Rexhepi udhëheq me përkushtim Shoqatën Kulturore-Humanitare “Kosova, Shqipëria, Maqedonia” (Kosova Arnavutluk Makedonya Kültür ve Yardımlaşma Derneği), e themeluar në datën historike të 23 prillit 1999. Për më shumë se dy dekada e gjysmë, kjo shoqatë ka shërbyer si vatër e ruajtjes së traditës, gjuhës dhe lidhjes direkte të bashkatdhetarëve tanë me qytetet e paraardhësve të tyre.
Nga ana tjetër, dashuria e pafund për atdheun reflektohet gjithandej te z. Necip Şen, i cili atdhedashurinë e bart me krenari me vete në çdo hap, ku madje edhe targat e automjetit të tij personal mbajnë simbolin e çmuar UÇK.
Gjithashtu Necip Şen është aktivist i komunitetit shqiptar në qytetin e Mustafakemalpaş, dhe na ka shoqeruar gjate gjithë kohës në vizita nëpër institucionet e këtij qyteti.
I falënderoj përzemërsisht z. Rexhep Krivaqa dhe z. Necip Şen për veprimtarinë e tyre të çmuar, përkushtimin kombëtar, shoqërimin gjatë gjithë kohës dhe mikpritjen e tyre jashtëzakonisht ngrohtë!”./rajonipress/


