Kadri Osmani varroset në vendlindje
Gjilan – Ish i burgosuri dhe veprimtari i madh i çështjes kombëtare Kadri Osmani pritet të varroset të mërkurën në fshatin e tij të lindjes në Makresh të Gjilanit.
Kadri Osmani është ndarë nga jeta me një biografi të pasur atdhetare e kombëtare. I njohur për qëndrimet e tija patriotike dhe gjithashtu si njeri që ka mbajtur mbi 18 vite burg nëpër burgjet jugosllave pritet të varroset të mërkurën (sot) në fshatin e tij të lindjes në Makresh.
Shoqata e të burgosurve politikë të mërkurën nga ora 11.00 do të mbaj tubim komemorativ në sallën e kuqe të fakultetit Filologjik në Prishtinë. Kurse siç njoftojnë familjarët kortezhi do të niset nga Prishtina në ora 12:00 ndërsa ceremonia e varrimit do të bëhet në ora 14.00 në fshatin Makresh të Gjilanit.
Me rastin e shkuarjes në amshim të veprimtarit dhe patriotit të shquar të kombit Kadri Osmani, telegrame ngushëllimi kanë dërguar familjes Kuvendi Komunal, LDK, shoqatat e të burgosurve politikë.
Në telegramin e degës së LDK-së në Gjilan thuhet se sot nga ne u nda një personalitet që tërë jetën e tij ia kushtoi zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare, i cili nuk kurseu asgjë nga vetja dhe familja e tij.
Ai do t’ju mungojë juve, neve. Do t’i mungojë kombit tonë, por vetëm fizikisht sepse veprat e tij e bëjnë të pavdekshëm thuhet në telegramin e LDK-së./rajonipress/