Kadastri në Viti përfiton 30 mijë euro donacion
Gjilan – Drejtoria për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë ditë më parë ka pranuar një donacion nga Agjensioni Kadastral i Kosovës dhe Banka botërore ku kjo drejtori është pajisur me mjetet e teknologjisë informative ndërsa me zhvendosjen e kësaj drejtorie në objektin e Administratës Komunale do të ju dorëzohen edhe mjetet të inventarit. Gjithashtu kjo drejtori ka arritur që të kaloj planin e të hyrave dhe të tërheqë disa donacione të rëndësishme tha Xheladin Zenuni.
Sipas Drejtorit për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë Xheladin Zenuni AKK dhe Banka Botërore ka ndarë një donacion shumë të dobishëm për këtë drejtori dhe atë në vlerë prej rreth 30.000 € .
“Falënderojmë shumë Bankën Botërore për donacionin e ofruar e cila më të vërtetë lehtëson punën e kësaj drejtorie që deri me tani ka punuar me disa kompjuter të vjetruar, megjithatë ne kemi arritur që t`i kryejmë shërbimet ndaj qytetarëve , por me vështirësi pasi çdo gjë në fushën e kadastrit është duke u digjitalizuar dhe tani me këtë donacion jo vetëm që do të lehtësohet puna për zyrtarët tanë, por do të ju ofrojmë shërbime edhe më të mira qytetarëve” u shpreh Zenuni.
Zenuni duke folur rreth punëve dhe angazhimeve të kësaj drejtorie për vitin që po e lëmë pas theksoi se kjo drejtori ka shënuar disa suksese si rindërtimi i kadastërit për dy zonat kadastrale në Drobesh dhe Gërmovë e cila sipas tij i ka mundësuar qytetarëve të pajisën me dokumentet e nevojshme si dhe të identifikohen parcelat e tyre.
Ai shtoi se kjo drejtori ka bërë një investim në blerjen e GPS-it (pajisje matëse) dhe se falë kësaj tani është shkurtuar koha e matjes dhe gjetjes së kufijve në një parcelë të caktuar. Zenuni potencoi se drejtoria e tij ka arritur një suksese duke e tejkaluar edhe planin e të hyrave.” Të hyrat në këtë drejtori janë tejkaluar për këtë vit, dhe kur të marrim parasysh se kemi edhe pak kohë para përfundimit të vitit ky tejkalim mund të shkoj edhe më tej , por për momentin të hyrat janë 105 %”” u shpreh Zenuni.
Zenuni shtoi se DKPGJ në Viti ka tërhequr edhe një donacion tjetër prej Agjensionit Kadastral të Kosovës dhe Bankës Botërore ku është bërë e mundur ndërtimi i kadastërit të ndërtesave ku sipas tij me këtë qytetarëve të kësaj komune do të ju lehtësohet regjistrimi i të gjitha banesave dhe lokaleve afariste të cilat i ofrojnë dokumentacionin e nevojshëm për regjistrimin tyre si dhe me këtë bëhet një regjistrim dhe digjitalizim i tyre.
Zenuni gjithashtu ka përmendur edhe sfidat me të cilat është ballafaquar kjo drejtori gjatë këtij viti si në mungesa e stafit. ” Në mesin e vitit 2011 janë pezulluar dy punëtorë tanë nga puna për shkak se kanë qenë në hetime lidhur me një rast dhe deri para dy javësh ata kanë qenë duke u përballur me hetime dhe me gjykatën, por tani kur ata janë shpallur të pafajshëm është bërë kompletimi i stafit , por ne kemi nevojë edhe për një jurist në kuadër të drejtorisë sonë” u shpreh Zenuni.
Ai gjithashtu ka folur edhe lidhur me bashkëpunimin e kësaj drejtorie me drejtoritë e tjera duke theksuar se bashkëpunimi më i madh është me drejtorin e Inspeksionit në rastet e uzurpimeve të pronave publike, por ai shtoi se bashkëpunim ka edhe me Drejtorin për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim dhe atë në kudër të Sektorit për Zhvillim Ekonomik dhe Projekte ku bënë matjet e nevojshme dhe skicimet duke përmendur rastin e projektit që e ka fituar komuna e Vitisë për Lumin Morava nga Komisioni Evropian ku kjo drejtori ka bërë matjet dhe skicën për Zyrën e Projekteve. /rajonipress/