RCCOLA

Kadare e Agolli nuk pajtohen për “turqit vëllezër”

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Qenia e Shqipërisë u detyrohej dy mburojave: shtetit osman dhe shtetit komunist. Kështu do të vazhdonte përpunimi në trajtë doktrinare i një prej turpeve të mendimit shqiptar, ideja se kombin shqiptar do ta kishte shuar prej kohësh vala sllave, në qoftë se nuk do ta mbronin osmanët.

Se sa i rrejshëm ka qenë kërcënimi i parë, ai i Europës, e tregoi në mënyrën më të bujshme fundi i mijëvjeçarit, kur Europa do të bënte luftë për t’i mbrojtur shqiptarët. Se sa përrallë ka qenë ky i dyti, koha është duke e treguar përherë e më fort.

I ashtuquajturi rrezik sllav për shuarje të kombit shqiptar s’ka qenë veç një shpikje osmanistësh e neoosmanistësh, shqiptarë e turq bashkë, e cila, nga njëra anë, përligjte sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit…”. Këto janë pasazhe nga libri “Mosmarrëveshja” e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, i botuar rreth tre vjet më parë, por që pas deklarimeve të tre kryeministrave në Prishtinë duken shumë aktuale, por edhe rihapin debat.

Kreu i qeverisë turke, Erdogan, i qeverisë shqiptare, Edi Rama dhe i asaj kosovare, Hashim Thaçi, mbajtën fjalime afeksionuese për marrëdhëniet shqiptaro-turke gjatë inaugurimit të terminalit të ri të Aeroportit të Prishtinës, më 22 tetor.

Ndër të tjera, Rama e Thaçi thanë se turqit dhe shqiptarët janë popuj vëllezër, dhe e quajtën “vëlla” Erdoganin, ndërsa ky i fundit tha: Kosova është Turqi dhe Turqia është Kosovë.

Deklarime që kanë shkaktuar mjaft reagime, qofshin pozitive apo negative. Por, për Kadarenë duket se nuk janë të panjohura këto lloj “flirtesh” mes shqiptarëve dhe turqve. I kontaktuar nga gazeta “Panorama”, në vend të një komenti apo replike, ai sugjeroi pikërisht librin “Mosmarrëveshja”. “Nuk i kam lexuar të plota deklaratat e tyre, por me aq sa jam njohur nuk mund të bëj ndonjë reagim apo koment të çastit. Sepse për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe turqve unë kam shkruar prej kohësh te libri “Mosmarrëveshja”, ndaj nuk kam çfarë të shtoj tani gjë tjetër. Çfarë kam thënë në libër, mbeten aktuale…”, tha Kadare, duke na autorizuar njëkohësisht që të botojmë një pjesë ku flet pikërisht për marrëdhëniet e shqiptarëve dhe turqve…

Në anën tjetër, shkrimtari tjetër shqiptar, Dritëro Agolli vlerëson qëndrimet e kryeministrit Rama ndaj homologut turk Erdogan dhe ndaj Turqisë.

UBT

Qëndrimet e një pjese të opinionit, që i cilëson deklaratat e kryeministrit turk si të rrezikshme e që revokojnë Perandorinë Otomane, Dritëroi i cilëson si prej diletanti. “Këto diskutime që thonë se duke i thënë Erdoganit ‘vëlla’ dhe ‘mik’ do të bëhemi Turqi, unë mendoj se janë prej diletanti. Këto janë injoranca më e madhe që unë kam parë, duke e trajtuar në këtë mënyrë”, shprehet për Panorama shkrimtari i njohur.

Ai i cilëson vlerësimet e Ramës ndaj homologut turk si shprehje të të zotit të shtëpisë ndaj mikut.

“Këto janë shprehje e dashurisë ndaj një tjetri, kur i thua ‘unë jam vëllai yt’, është një shprehje miqësore. Është jonormale të mendosh se Kosova dhe Shqipëria do bëhen Turqi. Këta që analizojnë të kundërtën, nuk kuptojnë se ç’do të thotë emocion, epitet që shoqëron një situatë mikpritjeje. Kjo është si ato vizitat që bëjmë te një mik dhe në fund themi që u bëmë si vëllezër”, tha Agolli.

Për Dritëroin këto deklarata nuk duan të thonë se në Ballkan po rikthehet periudha e osmanlinjve. “Vetëm një i luajtur mendsh mund të mendojë se Kosova mund të bëhet Turqi, apo Shqipëria të bëhet Turqi përmes një pushtimi të ri otoman. Ka qenë vetë Ataturku që i ka rrëzuar osmanlinjtë. Ajo periudhë është mbyllur njëherë e mirë dhe historia nuk mund të ecë mbrapa”, tha Agolli.

Por, për shkrimtarin e njohur, deklarata të tilla mund të krijojnë dhe përçarje fetare.

“Këto diskutime, për shkak të disa besimeve fetare në Shqipëri, mund të krijojnë një përçarje mes feve duke shkelmuar tolerancën fetare që e kemi ndërtuar prej shumë kohësh. Ky është një diskutim që s’duhet hapur fare”, tha Agolli. /panorama/