Uji Dea

Ka vrarë vjehrrin dhe kunatin: Dënim i përjetshëm për shqiptarin

/ 2 minuta lexim

Gjykata e Landit në Nürnberg i ka shqiptuar një dënim me burg të përjetshëm shqiptarit 44 vjeçar për vrasje të dyfishtë. Atë e rendonte akuza se ka vrarë babanë e bashkëshortes dhe vëllanë e saj.

Sipas trupit gjykues, tashmë i dënuari ka planifikuar vrasjen e vjehrrit dhe kunatit të tij. Ai kishte shkuar në shtëpinë e tyre me një thikë kuzhine në dorë duke hyrë me dhunë dhe duke sulmuar vjehrrin 65 dhe djalin e tij 26 vjeçar.

Ata kishin provuar të mbroheshin me spray dhe me një sëpatë, por nuk kishin pasur sukses. Policia i ka gjetur ata në banesën e tyre të mbuluar nga gjaku. Të dy kishin vdekur në vendin e krimit, ndërsa vetë sulmuesi ishte i shtrirë dhe i përgjakur në shkallët e banesës.

Uji Dea

Gjykata thotë se motiv për vrasje është ndarja e bashkëshortes nga ai. Ajo jetonte në një shtëpi për mbrojtjen e gruas dhe e kishte denoncuar bashkëshortin për kërcënimet me vdekje ndaj saj dhe të birit të përbashkët.

Duke i shqiptuar dënimin e përjetshëm, gjykata ka përmbushur kërkesën e padisë. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës ka kërkuar lirim të klientit të tij nga akuza për vrasje duke thënë se ai kishte vepruar në vetëmbrojtje, shkruan br.de. Ai, sipas tij kishte shkuar vetëm të bisedonte me prindërit e bashkëshortes duke e kërkuar kthimin e saj dhe me atë rast ishte sulmuar nga ata të dy me sëpatë, për çfarë dëshmojnë edhe plagët. Ndërkaq ekspertiza thotë se ai mund t`i kishte shkaktuar vetes ato plagë.

Është interesante se i dënuari, vetëm një ditë para krimit kishte bërë përpjekje për vetëvrasje por policia e kishte penguar./albinfo.ch/