Ka ndërruar jetë Nexhati Rexhepi nga Presheva, bibliotekisti dhe aktori që la gjurmë në jetën kulturore
Gjilan – Nexhati Rexhepi, i njohur për kontributin e tij në arsim, bibliotekari, teatër dhe recitim, ka ndërruar jetë më 20 tetor 2026, në Preshevë. Ai punoi për shumë vite si bibliotekist në Bibliotekën e Qytetit të Preshevës, ku edhe u pensionua. Me rastin e ndarjes së tij nga jeta, Ferid Selimi profesor universitar ka rikthyer një shënim nga ditari i tij, përmes të cilit kujton figurën, veprimtarinë dhe kujtimet personale për të ndjerin.
Ferid Selimi: Ky ishte Gjergji im – Nexhati Rexhepi
Një shënim nga këndi im, nxjerrë nga ditari i jetës, i shkruar para disa vitesh dhe i modifikuar për sot.
Ky ishte Gjergji im…
Nexhati (Emrullah) Rexhepi – mësues, bibliotekist dhe aktor.
Këtë shënim në ditarin tim për Nexhati (Emrullah) Rexhepin, nga familja e Rramonëve të Preshevës, i cili jetoi deri më sot, më 20 tetor 2026, në Preshevë, e pata shkruar para disa vitesh dhe e pata titulluar “Ky është Gjergji im”.
Këtë titull e pata vendosur për dy arsye:
E para, në vitin 1968, me trupën teatrale të Preshevës, kishte luajtur rolin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.
E dyta, në vitin 1978, po ashtu me atë trupë teatrale, pati luajtur rolin e Gjergjit në dramën “Agu” të Din Mehmetit.
I lindur diku kah fundi i viteve të tridhjeta të shekullit njëzet, në një familje të njohur punëtorësh në Preshevë, i ra hise të ishte ndër të parët e arsimuar për kohën që ishte.
Si i arsimuar që ishte, një kohë punoi mësues nëpër disa fshatra të Preshevës e të Gjilanit, e më pas bibliotekist në Bibliotekën e Qytetit në Preshevë.
E deshi librin dhe arsimin.
E deshi dhe jetoi për artin e të lexuarit, për artin e aktrimit dhe për artin e të recituarit. Luajti në shumë shfaqje teatrale dhe ishte pjesë e shumë recitaleve.
Ushtroi shumë nxënës për recitime dhe i shoqëroi në shumë festivale të recituesve në qytete të ndryshme të ish-Jugosllavisë së atëhershme.
Punoi shumë vite në Bibliotekën e Qytetit dhe ishte udhëzues për çdo nxënës që i drejtohej për ndonjë libër, duke ua përzgjedhur librat më të mirë.
E sot…
Sot, paska mbyllur kapitullin jetësor dhe paska marrë rrugëtimin e amshimit.
Edhe diçka që e karakterizonte Gjergjin tim: kur e takonim dhe e pyesnim për shëndetin, ai, pa u hamendur, duke qeshur e duke u mbajtur për shkopin e drunjtë, na e kthente:
“Më keq se dje, e më mirë se nesër!”
Përgjigje epike e Gjergjit tim, përkatësisht e agës Nexhati, që tashmë la këtë botë…
I lehtë të qoftë dheu i Preshevës, aga Nexhati!
Lamtumirë, Gjergji im!
Zoti të mëshiroftë!
Ferid Selimi


