Ka ndërruar jetë Gani Korça, një shok i urtë i punës prej gazetari të vyer
Gjilan – Thonë, vdekja vjen pa adresë. Ajo i merr njerëzi para kohe. Para kohe e mori edhe kolegun dhe mikun tonë, Gani Korça, gazetar nga Gjilani. Ganiu ishte, në radhë të parë, njeri i urtë, shok i afërm, punëtor i zellshëm dhe mbi të gjitha gazetar i denjë i lajmit dhe i informimit të shpejt.
Andaj, nga sot, Gani Korça, na mungon tek vendi ku takoheshim. Na mungon në Radio, në shëtitje, por na mungon edhe në vrapin e lajmit e informatës së ditës. Pra, ai sot na mungon si shok, mik e si njeri i pendes –gazetarisë. Por, nga sot, Ganiu, ju mungon kolegëve, por më së shumti ju mungon familjarëve.
Siç dihet, Gani Korçën, gjer dje na ishte një shok i buzëqeshur prej urtaku të zellshëm e fytyrëndritur. Ky shok na mungon dhe, mungesa e tij do të ndjehet për shumë kohë. Por, ja jeta. Ajo s’po e pyet askënd. Nuk e pyeti as Ganiun, ai i cili, natë e ditë punoi si gazetar në disa vende të informimit. Punoi në Radio Gjilan, por punoi si korrespodent nga Kamenica, i cili vrapoi pas lajmit vetëm e vetëm ta informojë popullatën shqipe shpejt e drejtë. Ky ishte Gani Korça, gazetar, i cili nuk ndjeu lodhje pas lajmit, informatës, shënimit e raportit të ditës.
Ganiu ishte i lindur në fshatin Gmicë të Komunës së Dardanës. Shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Gjilan. Studjoi në Universitetin e Prishtinës (Fakultetin Teknik). Ishte i mishëruar në gazetari. Atë profesion edhe e zgjodhi duke iu shmangur profesionit të inxhinierit të teknologjisë për çka kishte studiuar.
Që në vitin 1977 punoi në Radio Gjilan si korrespodent nga Komuna e Kamenicës. Në këtë post ishte deri kur në Radio Gjilan erdhën masat e dhunshme nga pushtuesi sërbosllav, në vitin 1990. Pas Luftës së fundit (1999), edhe Ganiu iu kthye punës së gazetarit, sikurse edhe gazetarët e punëtorët tjerë të Radio Gjilanit.Vdekja e gjeti në postin e drejtorit të Radio Gjilanit.
Ganiu ishte punëtor i zellshëm, i përpiktë dhe me punën e tij prej gazetari ishte shembull. Ganiu është i afërt, komunikativ mu ashtu siç e kërkoi edhe profesioni prej gazetari, të cilin “zanat” e deshi dhe e ushtroi disa vite me radhë.
Ndryshe Klubi i Gazetarëve “Beqir Musliu” i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Korça.
Varrimi i të ndjerit bëhet nesër, më 9.9. 2017 në varrezat e qytetit të Gjilanit. I lehtë i qoftë dheu!/tefik selimi/rajonipres/


