GRANDEMALL

Ka mbetur vetëm një opsion i mirë: Zgjedhjet

/ 13 minuta lexim
ARKATANA

Nga Berat Buzhala – Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi, në rrafshin personal, kanë shumë pak opsione të mira. Nëse vazhdojnë të kalkulojnë personalisht, do t’u mbesin edhe më pak. Zgjedhjet janë opsioni i vetëm i mirë për ta. Nëse për asgjë tjetër, sa për të krijuar një analogji më zhvillimet e ditëve të sotme në Kosovë, ia vlen të lexohet libri i Fred Abrahams: Shqipëria Moderne.

Të ardhmen tonë, në atë libër, mund ta takojmë në të kaluarën.

Ne që jemi pak më të vjetër në moshë dhe që kemi qenë të interesuar për zhvillimet në Shqipërinë e viteve ’90, e dimë në parim se çfarë kishte ngjarë atje gjatë asaj kohe. Si ishin sjell e si ishin qeverisur shqiptarët, prej momentit kur ishte rrëzuar diktatura më e egër në Evropë e deri në momentin kur ishte rrëzuar demokracia më e re, po në Evropë.

Ne e kemi ditur, së paku ne terma teknikë, çfarë kishte ndodhur në Shqipëri, por kur e lexon librin e Abrahams, tash edhe pas distancës së mjaftueshme kohore, e kupton shumë më qartë kontekstin.

Posaçërisht momentin kur ishte përhanë Sali Berisha, i cili, i bindur në verdiktin e qytetarëve në maj të vitit 1996, as që dëshironte të dëgjonte për ankesat e opozitës, për disa keqpërdorime në procesin zgjedhor.

Partia Demokratike dhe Berisha, të gjithë e pranojnë, në të vërtetë i kishte fituar ato zgjedhje, porse jo më shifrat e dëshiruara prej tij. Atij i nevojitej një Kuvend uniform, me më shumë se 2/3 e deputetëve të partisë së tij, në mënyrë që ai t’i bënte ndryshimet e duhura, për t’u rizgjedhur President për një mandat të dytë, që të vazhdonte ta qeveriste Shqipërinë me një dorë pak më të fortë sesa deri atëherë.

Meqë kjo dëshirë nuk po i plotësohej, meqë shqiptarët atij po ia jepnin shumicën, por jo shumicën dërmuese, ai kishte vendosur të vidhte pak. Ndoshta me qëllime të mira. Po vjedhja mbetet vjedhje. Dhe kjo i kishte kushtuar. Kështu, prej majit të 1996, ku ai supozohej se i kishte fituar mbi 50 për qind të votave në mënyrë të ndershme, në vitin e ardhshëm, pa kaluar as shtatë-tetë muaj, ai përmbyset, po më votën e popullit, në formën më brutale të mundshme.

Çfarë na mëson historia e viteve ‘90 në Ballkan

Në biseda me shokë dhe me kolegë, kohëve të fundit, kam insistuar në këtë paralelizëm, por edhe në paralelizma të tjerë, mes gjendjes së fundit në Kosovë, me zhvillimet në Evropën Lindore në mesin e viteve ’90.

Pasi ishin çliruar nga diktatura komuniste, rreth 6-7 vjet më vonë, edhe bullgarët, edhe rumunët, edhe shqiptarët, ishin ngritur në revoltë kundër qeverive që vetëm pak kohë më parë kishin rrëzuar diktatorët.

Për më pak se 10 vjet pa komunizëm, banorët e shumicës së shteteve të Ballkanit ishin ngopur me demokraci. Ata po kërkonin mirëqenie dhe zhvillim ekonomik. Prandaj, nuk kishin hezituar të dilnin në sheshe dhe të përmbysnin qeveritë e zgjedhura me vota të lira.

Kosova mund të jetë rast ‘sui generis’, si shtet, si subjekt juridik, por qytetarët e saj, shqiptarët dhe serbët, nuk janë të veçantë, prej ballkanasve të tjerë. Jemi të rrëmbyeshëm.

Kështu, tranzicioni në vendin tonë nuk ka filluar në vitin 1989, e as në vitin 1990, siç kishte ndodhur te fqinjët tanë. Asokohe ne kishim halle të tjera. Protestonim, por jo për zhvillim ekonomik dhe paga më të larta.

Nëse tranzicioni duhet ta ketë një datë të fillimit për vendin tonë, atëherë ajo është me 17 shkurt 2008. Ose ditën kur e kemi shpallur pavarësinë e vendit. Prej atëherë kanë kaluar 8 vjet. Kështu, në terma teknikë, kosovarët janë saktësisht atje ku kanë qenë ballkanasit në vitin 1996-1997.

Duket se ka kaluar kohë e mjaftueshme sa për të shpenzuar kreditin e fituar me shpalljen e pavarësisë, një ëndërr kjo shekullore për secilin prej nesh. Mirëpo, vetëm kaq. Askush nuk është i interesuar që edhe më tutje të argëtohet me realizimin e asaj ëndrre. Madje, do të ishte e dëmshme që ne të vazhdonim të jetonim pa ambicie të tjera. Do të ishte jonjerëzore.

Kurse pretekstet për të nisur ndryshimet, revoltat, janë gjithfarë – kryesisht duken jorelevante.

Luftërat nisin në forma banale

As luftërat botërore nuk nisin duke e hedhur që në ditën e parë armën më të rëndë bërthamore. Lufta e Parë Botërore kishte nisur me një atentat në Sarajevë, që në rrethana normale nuk do të duhej të konsiderohej, e shumta, një akt terrorist, i kryer nga një nacionalist serb. Ose, lufta në Bosnje dhe Hercegovinë, që thuhet se kishte nisur me vrasjen e një serbi në një dasmë, me 22 mars të vitit 1992. Pastaj, vdiqën edhe gati gjysmë milioni njerëz.

Në anën tjetër, revolucioni arab filloi me aktin kamikaz të një tregtari të vogël në Tunizi, i revoltuar nga heqja e tezgës në një pikë shitëse. Kurrë më nuk është ndalur flaka që ai tregtar ia futi vetes. Le të provojë sot dikush t’u thotë sirianëve se është zgjidhur problemi me tezgën në Tunizi! Në atë flakë sot janë përfshirë edhe Turqia, Bashkimi Evropian, Rusia dhe SHBA’të.

Pretekstet janë të çuditshme dhe unike. Ato funksionojnë vetëm një herë, në një vend. Sot në Bosnje mund të grihen qindra dasmorë, por lufta nuk do të fillojë.

Në rastin tonë paska qenë e thënë që e gjitha të nisë me Asociacionin dhe Demarkacionin, në dukje të parë dy tema monotone dhe pa ndonjë potencial shpërthyes.

Eco Higjiena

Në fund të procesit, nëse qeveria dhe opozita vazhdojnë të mos komunikojnë së bashku, do të harrohet arsyeja përse nisi e gjithë kjo. Në proces e sipër vazhdimisht do të gjinden njerëz të marrë, që, duke menduar se po hedhin ujë, do të vazhdojnë të derdhin benzinë në flakë.

Mesazhet e Ambasadave

Të kthehemi edhe një herë te libri i Abrahams dhe te lunatizmi i Berishës, i cili kishte vendosur ta injoronte secilën kritikë që e pengonte drejt realizimit të synimit të tij për t’u bërë President i Shqipërisë, në mandatin e dytë, me kompetenca më të mëdha sesa në mandatin e parë.

E gjitha filloi, shkruan Abrahams, me raportet zyrtare të OSBE/ODHIR, që hidhnin dyshime të mëdha në zgjedhjet e majit të vitit 1996. Berisha as që kishte dashur të dëgjonte për këto kritika. Në vend që të reflektonte, ai po i shpallte persona non grata të gjithë ata që cenonin në çfarëdo forme ambicien e tij.

Në anën tjetër, shkruan Abrahams, edhe në Shtete të Bashkuara të Amerikës, por edhe në shtetet e ndryshme evropiane, Berisha vazhdonte të kishte aleatë të fortë që besonin në të. Madje, në SHBA ishin të ndarë në dysh, për dhe kundër tij. Fuqishëm pro tij vazhdonin të qëndronin pjesa ushtarake amerikane – që e konsideronin aleat të tyre në shumë fusha.

Berisha, i inkurajuar prej mbështetjeve sporadike, i rrahu një grusht opozitarësh që po protestonin në rrugë. Sa më shumë që i rrihte, aq më shumë rritej numri i tyre. Ndërsa sa më shumë që rritej numri, aq më brutal bëhej pushteti. Pastaj, për ta bërë një rikapitulim të përgjithshëm dhe tragjik të gjithë situatës, u erdhi fundi edhe firmave kriminale piramidale. Qartazi ato nuk ishin vetëm meritë e Berishës. Por, fatura përfundimtare edhe për ketë krim shkoi në adresën e tij.

As kjo nuk mjaftoi që Presidenti i Shqipërisë të përkulej. Filluan të digjeshin stacionet policore anekënd vendit, të vriteshin zyrtarët e SHIK famëkeq, por tropojani kokëfortë vazhdonte të besonte se në fund do t’ia hedhë. Por, nuk ia hodhi. Nuk po e shpjegoj më në detaje se çfarë ndodhi. Epilogu ishte i tmerrshëm për Shqipërinë. Mijëra viktima.

Nuk mund të flitet për precedentë

Kam qenë kundër opozitës kur ishte fjala për Asociacionin dhe Demarkacionin. Kam qenë kundër mjeteve që opozita i ka përdorur dhe vazhdon t’i përdorë brenda mureve të Kuvendit të Kosovës. Kam qenë kundër koktejve të molotovit në sheshin e Prishtinës. Jam kundër metodave linçuese të Lëvizjes Vetëvendosje – siç janë sulmet ndaj oponentëve, qofshin edhe ato me vezë, por edhe linçimet e ndryshme.

Në një tryezë të organizuar ditë më parë nga AAK, Ramush Haradinaj, mes tjerash thashë që organizimi opozitar i ka kaluar parashikimet e mia. Jo që jam kushedi çfarë parashikuesi. Mirëpo, muri me kokë nuk thyhet. Protesta e 9 janarit ishte ogur, i zi a i bardhë nuk e di, por i mjaftueshëm për të filluar – çfarë fjale e mërzitshme – të reflektohet – pa marrë parasysh çfarë thonë ambasadorët dhe ambasadat.

Pozicion startues në dialogun mes opozitës dhe koalicionit qeverisës nuk duhet të jenë zgjedhjet e fundit nacionale, e as rezultatet e dala prej tyre. Një logjikë e tillë, një thirrje mbi ato rezultate, nuk do të çojë askund. Opozita do t’i përgjigjet me “100 mijë protestues” në shesh më 9 janar. Ajo do t’i thotë pushtetit se të dhënat nga terreni flasin kundër saj. Dhe kjo gjë nuk mund të matet ndryshe, pos me zgjedhje të parakohshme.

Justifikimi se “nëse tash dorëzohemi para presionit opozitar, do të jetë një precedent i rrezikshëm për të ardhmen” po ashtu tashmë nuk është relevant. Se çfarë do të ndodhë pas 5, 10 ose 15 vjetësh, do të flasim kur të mbërrimë atje. Aktualisht e kemi ketë problem dhe mund të merremi veç me ketë problem. Opozita ka arritur ta imponojë agjendën e saj, duke atraktuar masa të mjaftueshme popullore. Pikë.

E thashë edhe në tryezën e organizuar nga Haradinaj, e po e përsëris prapë: është tepër e rëndësishme, që përkundër asaj çfarë ka ndodhur, kriza edhe më tutje është brenda kufijve të menaxhueshëm. Dhe kjo është e tillë derisa ende nuk ka viktima. Derisa nuk ka të vrarë në rrugë, prej njërës apo palës tjetër. Civilë a policë. Kjo nuk është shumë e rëndësishme. Mirëpo, gjaku do ta përmbyste komplet situatën. Do të kalonim në një nivel të ri.

Cilat do të ishin opsionet reale që do ta shmangnin gjakun nga rruga?

Ose pyetja mund të shtrohet edhe kështu: Cilat janë opsionet e rrezikshme?

Shkuarja me kokëfortësi dhe pa asnjë marrëveshje drejt seancës për zgjedhjen e Presidentit të vendit do ta eskalonte pakthyeshëm gjendjen politike në vend. Ne mund të bëjmë analiza të pafundme, madje të sakta, se një gjë e tillë është legale dhe legjitime, por kjo nuk do ta ndryshojë aspak gjendjen në terren. Nëse flasim me numra, pagabueshëm mund të themi se Kryetari i PDK’së e gëzon përkrahjen më të madhe të qytetarëve për të qenë President i vendit. Ka më së shumti vota. Mirëpo, në anën tjetër, Hashim Thaçi është politikani më polarizues në vend. Në kushte normale, kur në vendin tonë situata do të ishte e qetë, atëherë nuk do të kishte asgjë të keqe që ai të zgjidhej si i pari i vendit. Kurse, në kushte jonormale, çfarë i kemi tani, zgjedhja e Thaçit President do ta dërgonte shoqërinë tonë në territore të panjohura dhe të pashkelura deri më tash. Vëmendja, ose tehu opozitar, do të drejtohej nga Qeveria te Presidenca. Nëse Isa Mustafës i mungojnë militantët, ose garda pretoriane, këtë problem nuk e ka edhe Thaçi. Pra, beteja mes opozitës dhe PDK’së do të mund ta ngjallte një klimë të re, shumë më agresive. Do të kishte individë të gatshëm, prej të dyja kampeve, që rivalitetin politik ta konvertonin në një rivalitet të armatosur. Për ketë arsye, sipas meje, akti më i papërgjegjshëm do të ishte që tash Thaçi të shkonte drejt Presidencës, veç pse këtë ia mundëson Kushtetuta dhe veç pse këtë ia mundësojnë deputetët. Hashim Thaçi, si Kryetar i partisë më të madhe në vend, ka më së shumti përgjegjësi për situatën aktuale. Për këtë arsye, ai duhet të ulët e të flasë seriozisht me partnerin e tij, Kryeministrin Mustafa. Dhe ata së bashku të ulën me opozitën, për t’i shikuar opsionet më reale për të dalë nga kriza. Sigurisht që opsionet personale nuk i kanë shumë të volitshme. Pra, njëri prej tyre duhet të dorëzohet, ose duhet të heqë dorë prej pozitës që mban. Kështu, mundësia e vetme për ta zgjedhur Thaçin President, e për ta qetësuar opozitën, do të ishte që vendi të shkonte në zgjedhje të parakohshme. Një gjë e tillë do ta shkatërronte përfundimisht politikisht liderin e LDK’së, Isa Mustafa, pos nëse PDK do t’i premtonte atij që do të jetë bartës i listës, në një listë të përbashkët me PDK’në.

Pra, shpëtimi i vetëm për Isa Mustafën dhe për LDK’në do të ishte që ta zgjedhin Thaçin për President, e të shkojnë në zgjedhje të parakohshme bashkë me PDK’në, ku kandidat i përbashkët për Kryeministër do të ishte Mustafa.

Opsion i dytë është që Thaçi të garojë për President, të dështojë të zgjidhet, dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme, jo pse ketë e kërkon opozita, por pse partnerët e koalicionit dështojnë ta respektojnë marrëveshjen. Ky opsion do ta zbuste deri diku tehun opozitar, duke e zhvendosur debatin te rivaliteti PDK-LDK. Pastaj, varësisht prej rezultatit zgjedhor, që do të ishte pas 40 ditësh, do të kishim një fotografi më të qartë të fuqisë së partive politike në terren.

Opsioni i tretë, që unë mendoj që është më i mundshmi dhe më i kobshmi, është që PDK dhe LDK të shkojnë pingul drejt fatkeqësisë së tyre dhe fatkeqësisë së vendit. Këto dy parti politike do ta zgjedhin Thaçin President brenda këtij muaji, e në të njëjtën kohë nuk do ta përfillin fare mendimin e opozitës. PDK dhe LDK nuk do të ulën të bisedojnë as për zgjedhje të parakohshme, e as për zgjedhjen e Presidentit. Dhe kjo gjë edhe do të ndodhë, nëse të ardhmen tonë e shikojmë në të kaluarën e Shqipërisë. Ekziston një tendencë primitive për ta zgjidhur një problem duke e shkaktuar një më të madh.

Por, tash jemi në fundin e kësaj epoke.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.