RCCOLA

Ka mashtruar sigurimet, dënohet me 7 vjet burg kosovari

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Kur ishte paraqitur për ekspertizë te një neurologe, ai kishte sjellë një person të paralizuar, në karrocë të invalidit, ndërsa vetë luante rolin e përcjellësit të tij!

Një shqiptar 45 vjeçar nga Kosova me qëndrim në Gjermani, është dënuar me shtatë vjet heqje lirie. Trupi gjykues në Gjykatën e landit në Regensburg (Gjermani) ka gjetur se ai, duke u paraqitur si i paralizuar, ka mashtruar tri sigurime të ndryshme shëndetësore duke përvetësuar në këtë mënyrë më shumë se 750 mijë euro.
Në të gjitha rastet ai ka simuluar se ka pësuar aksidente në Kosovë dhe “e dëshmonte” se ishte i paralizuar. Duke u mbështetur në vërtetimet e mjekëve e spitaleve kosovare. Njëri nga sigurimet i kishte paguar 300 mijë franga, ndërsa dy të tjerë, pasi u kishte lindur dyshimi, nuk i kishin paguar asgjë.

Procesi gjyqësor në Regensburg kishte filluar në muajin shkurt të këtij viti dhe ka zgjatur nëntë muaj.

Është interesante mënyra se si 45 vjeçari i ka mashtruar mjekët specialistë gjermanë. Në një rast, kur ai duhej të paraqitej për ekspertizë te një neurologe gjermane kishte sjellë një person të paralizuar, në karrocë të invalidit, ndërsa vetë ishte ne rolin e përcjellësit të tij!

Mobi Casa

Gjykata e ka dënuar atë me gjashtë vjet e nëntë muaj burg ndërsa të birin e tij të adoptuar 25 vjeçar, me dy vjet e gjysmë burg për ndihmën e ofruar në kryerjen e veprës penale të të dënuarit kryesor.

Në masën e shqiptuar janë akumuluar edhe dënimet e mëparshme për delikte të tjera. Gjykata ka konstatuar se djali i adoptuar “me një talent të jashtëzakonshëm prej aktori” i kishte raportuar agjencisë së sigurimeve lidhur me gjoja aksidentin e babait të tij. Ai, veç kësaj, u kishte shkruar letra sigurimeve.

I dënuari kryesor ka marrë një dënim edhe për një delikt tjetër. Me rastin e blerjes së një automobili me kredi, ai kishte lidhur një kontratë për sigurim të dëmit. Kjo kompani sigurimesh pastaj ka marrë mbi vete këstet e pagesave të tij, pasi që ai kishte sjellë vërtetimet mjekësore me të cilat dëshmonte paaftësinë e tij, ndërkohë që ai ishte i shëndoshë si molla, shkruan br.de.

Veç këtyre, kosovarin e ngarkon edhe një akuzë sipas të cilës ai e ka “devijuar” në konton e tij pensionin e një të vdekuri. Por trupi gjykues kësaj here nuk është ndalur në zbardhjen e kësaj akuze. Lidhur me të duhet të zhvillohet një proces tjetër, i veçantë në të ardhmen.