Jugu pas veri
Nga Muharrem Nitaj – Pse çështja e veriut të Kosovës është bërë tema më e përfolur dhe më e ndjeshme dhe kush janë personazhet fatkeq të saj, ose ata që do të marrin meritat ose faqen e zezë të saj. Nga klasa politike e Kosovës askush nuk ka mundur të dalë jashtë kornizës së një zgjidhjeje logjike të “konfliktit të ngrirë” në Evropën Juglindore, përpos formacionit të Vetëvendosjes, i cili me gjasë do të paguajë një çmim të papërballueshëm pikërisht për shkak të këtij kursi që ka marrë.
Liderët politikë Thaçi, Haradinaj e Mustafa, me gjithë formacionet e tyre politike, tashmë janë vënë në rresht për një dhe nuk kanë pothuaj asnjë gjasë që të dalin jashtë konceptit të një marrëveshjeje euro-amerikane për zgjidhjen e këtij konflikti. Krejt çfarë mund të bëjnë ata, e posaçërisht kryeministri aktual, është se si do ta shesin këtë marrëveshje!
Politikanët nacionalistë serbë, që sot janë në majën e pushtetit në Serbi, më të kthjellur se asnjëherë më parë, po ashtu janë në grahmat e fundit për të ndryshuar çka mund të ndryshohet nga oferta e zonjës Ashtoun ” merre ose lëre”. Vetëm se dallimi i politikanëve në Serbi me atë në Kosovë, është se ata tashmë e kanë përgatitur opinionin e tyre me zgjidhjen që do të gjendet për veriun, e që sipas tyre është gjithçka përpos fuqisë së serbëve për të ndryshuar kufijtë e Kosovës, që neve na pëlqen ta quajmë integriteti territorial i vendit.
Tashmë është pothuaj e sigurt se marrëveshja për veriun është në prag të nënshkrimit të saj dhe askush nuk do të befasohej sikur firma mbi këtë marrëveshje të vendosej nesër ose një javë apo një muaj më vonë. Kornizat e saj tashmë janë vendosur dhe krejt çfarë mund të ndodhë është që t’i kuptojmë detajet e saj.
Por përtej kësaj, ajo që mbetet për t’u parë është se çfarë do të ndodhë pas ezaurimit të temës, e cila na ka mbajtur peng për më shumë se një decenie. Veriu i vendit dhe lufta Kosovë-Serbi për pozicione sa më të forta në përballjen përfundimtare për këtë pjesë të territorit të Kosovës, ka kohë që është shndërruar në një pengesë për shumë tema të tjera. Personalitete të rëndësishme të jetës politike në Kosovë dhe në Serbi, janë mbajtur ose janë ngjitur në majat e politikës, edhe për shkak të kësaj teme, me të cilën nuk mund të abuzohet më, e aq më pak të përfitohet prej saj.
Veriu për Kosovën dhe për qytetarët e saj, përtej të qenit çështje e interesit nacional, është shndërruar në një si standard Kanuni, kur “lënesha kallogreshë iu rri në fat motrave më të vogla e nuk i lë në martesë”! Por, çka do të ndodhë kur do të shpenzohet “kredia e veriut”!
A mund të jetë marrëveshja për veriun fundi për një kastë politikanësh abuzivistë në Kosovë dhe në Serbi? A mund të jetë kjo vdekja e tyre politike, ose përtej kësaj a mundet që kjo marrëveshje të jetë “qefin” për ta. A ka gjasë që pas “temës së madhe” të vijnë në radhë disa të tjera, ku populli i shkretë t’i shohë hajdutët e tij prapa hekurave. Miku përtej ” që nuk rrenë ” më tha do t’ia dëgjosh krismën!
Të fortë e të pamposhtur dukej kanë qenë dhe Millosheviqi dhe Sadami, Çaushesku e Gadafi, Vili Branti e Mubaraku…por të gjithë ata dhe të tjerë “Një mijë”, janë mbuluar me qefinin e vdekjes, e jo disa çiliminj të politikës e të pushtetit të vendit të vogël, që ka vite që kujtojnë se vendin që e qeverisin ua ka “lanë baba”! Çifligarët e pushtetit në më shumë se gjysmën e komunave në Kosovë, në më tepër se sa gjysmën e kompanive publike, në pothuaj gjithë fushat e shpenzimit të parasë së shtetit e të miletit, sikur kanë harruar se “veriu” do të hiqet nga rendi i ditës një ditë dhe ata do të jenë “gjahu i radhës”.
Kur kreu i partisë përballej me popullin shqiptar që shumë vite më parë donte ta përmbyste regjimin, u thoshte “bira e minit 300 groshë”, duke harruar se po aq groshë do t’i kushtonte atij. Ja pse çështja e veriut duhet të përmbyllet. Nuk ka mundësi që gjithmonë të fshihemi pas saj dhe të harrojmë se jetohet ” qençe jetohet” edhe poshtë lumit Ibër. Në këtë vend ka disa njerëz që janë bërë zullumqarë të mëdhenj dhe vë bast se ata do
të vijnë në radhë menjëherë pas veriut. Unë po e pres lajmin e mirë!!!


