Eko Higjiena

Jude Law, skena është dashuria ime e madhe

/ 5 minuta lexim

Aktori anglez, Jude Law, i cili në dhjetor mbush 40 vjeç, do të jetë protagonist në filmin “Anna Karenina” me Keira Knightley. “Është një personazh i shfaqur gjithmonë në mënyrë negative, por ka shumë anë fisnike”, thotë aktori Law.

Jude Law është një njeri mjaft i përfolur nga gazetat angleze, për shkak të jetës private, fillimisht martesa dhe ndarja nga kolegia Sadie Frost, marrja në kujdestari e tre fëmijëve, fejesa me aktoren Sienna Miller dhe ndarja për shkak të tradhtisë me dadon e fëmijëve, një ribashkim i dështuar dhe ardhja në jetë e vajzës së katërt nga një marrëdhënie e shkurtër me një modele amerikane.

Sipas aktorit, ndëshkimi mediatik i ka hequr shumë nga idealizmi dhe optimizmi i rinisë. Por pas mbylljes së kësaj dekade të trazuar, Law, që në dhjetor të këtij viti do të mbushë 40 vjeç, sheh përpara një epokë qetësie dhe rritjeje profesionale. Ai ka vendosur t’i rikthehet teatrit, ka në kokë projekte bamirësie, aktivitete si producent dhe debutimin në regji. Por më kryesorja është se Jude, me sytë e qeshur dhe buzët e buta, ka marrë një rol që askush nuk e priste prej tij, atë të Aleksej Aleksandrovic. Pra në versionin e ri të filmit “Anna Karenina” me regji të Joe Wright (që do të shfaqet në kinematë amerikane në shtator të këtij viti) nuk do të jetë dashnori i ri konti Vronski, por Aleksej Aleksandrovic, burri (i tradhtuar) i Anës (që interpretohet nga Keira Knightley).

Përse vendosët të “plakeshit” dhe të shëmtoheshit për t’u bërë Aleksandrovic?

Është një personazh i thellë, kompleks, që të bën për vete. Deri më tani e kishin pasqyruar si një qenie të ftohtë, të sertë, serioz. Por, po ju them se ka shumë anë fisnike, është besnik dhe ka një aftësi të jashtëzakonshme për të kuptuar dhe falur. Sfida, që e bëri gjithçka më të ndërlikuar, ka qenë heshtja e pasionit të tij.

Pamjet e para të filmit sjellin një version shumë personal të librit të Tolstoit…

Po, është e vërtetë. Versioni i regjisorit Joe është mbresëlënës, shumë përrallor dhe në njëfarë mënyre vërtet me stil. Personazhet flasin, vallëzojnë falë punës së mrekullueshme të koreografit belg, Sidi Larbi Cherkaoui.

Çfarë ju tërheq më tepër nga libri?

Është një vështrim i sinqertë dhe plot shkëlqim mbi perspektivat e ndryshme të atyre që janë përfshirë në një aferë dashurie. Sot e vë theksin tek ato gjëra që bëjmë ne si qenie njerëzore përballë dashurisë. Si hyjmë, dalim, i mbijetojmë dashurisë, çudirave që ajo na sjell. Tolstoi arrin ta menaxhojë në mënyrë perfekte çdo element.

Ka shumë aktorë anglezë që kanë shkëlqyer në Hollywood…

Eco Higjiena

Kemi avantazhin e gjuhës dhe ç’është më kryesorja nuk reagojmë kurrë sikur jemi yje të mëdhenj. Doja të thosha se edhe tradita teatrale na ka ndihmuar, por dalëngadalë po humbet.

Ju merreni me kinema që kur keni qenë fare i vogël…

Me thënë të drejtën nuk mbaj mend se as kur kam vendosur, duhet të kem qenë shumë i vogël. Prindërit e mi më çonin të shikoja shfaqje të ndryshme, kinema dhe ekspozita. Për mua ka qenë krejt e natyrshme ngjitja në skenë. Edhe sot, pas kaq shumë vjetësh, skena është dashuria ime e madhe.

Në kinema, keni punuar me regjisorë të mëdhenj: Scorsese, Spielberg, Mendes, Minghella?

Cilësitë e mëdha të regjisorëve si Spielberg dhe Minghella janë mundësia më e mirë për të bashkëpunuar, për t’i dhënë personazhit idetë e tua. Me Steven në filmin “A. I.-Inteligjencë artificiale” jemi dëfryer shumë duke krijuar mekanikun zhigolo. Për sa i përket Scorsese është i jashtëzakonshëm, mjafton të shikosh filmin e tij “Hugo” në 3D. Minghella ka qenë i preferuari im. I njerëzishëm, bujar, profesionist i madh. I detyrohem për dy kandidaturat e mia për “Oskar”.

Po mes aktorëve, cili është i preferuari juaj?

Kam një kujtim të bukur për Paul Newman, njeriu më i ngrohtë dhe argëtues që kam njohur ndonjëherë. Një ikonë e kinemasë, një burrë që bënte çdo njeri të ndihet mirë. Te Michael Caine admiroj gjatësinë e karrierës dhe aftësinë për të gjetur role të mira.

Përveç aktrimit, ju merreni edhe me fushata humanitare dhe bëni rolin e producentit…

Më pëlqen shumë të lexoj libra dhe të krijoj histori për t’i treguar në kinema. Kam në projekt të realizoj filmin tim të parë si regjisor më 2015-n, që do të jetë një histori dashurie dhe feje.