Mobi Casa

Ju flet Fadil Vokrri!

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, u është drejtuar drejtuesve të klubeve, trajnerëve, futbollistëve, gjyqtarëve, kontrollorëve, adhuruesve të futbollit dhe medieve, me një fjalim, një ditë para fillimit të sezonit të ri në futbollin kosovar.

Ai kërkon nga të gjithë që ta japin kontributin për një mbarëvajtje të sezonit të ri, në prag të sfidave të reja ndërkombëtare që e presin futbollin e këtushëm.

“Sot do të nisim garat për edicionin e ri në futbollin e Kosovës, ndaj duke iu uruar fillim të mbarë dhe një rrjedhë sa më të mirë, dua të kërkoj nga të ju, që të bëni punën që u është caktuar në mënyrën sa më të mirë të mundshme.

RCCOLA

Futbolli është sikur edhe jeta, të dhuron çaste të bukura e ndonjëherë edhe më pak të bukura, por që të dyja i duam. Në futboll duhet të kesh qëllim. Fituesit arrijnë qëllimet, humbësit kërkojnë shkaqe e falje. Në futboll kërkohet respekt dhe kjo komplikohet për shkak se ke rival, por kjo na bën të nderuar. Futbolli është një art i të paparashikueshmes dhe është vështirë që të gjitha t’i parashikosh, mu për këtë është edhe lojë e magjishme. Dhe për të arritur qëllimin, nevojitet punë dhe vetëm punë profesionale, disiplinë dhe respekt ndaj secilit. Jam shumë i vetëdijshëm për periudhën e vështirë sidomos atë financiare më të cilat po përballemi të gjithë, por po ashtu jam i sigurt se ashtu siç kemi përballuar edhe situata më të vështira në të kaluarën edhe tash do të tejkalojmë vështirësitë. Por, kjo arrihet vetëm të bashkuar, duke i bashkërenditur veprimet. Synimet e dëshirat e të gjithë neve, nuk mbarojnë vetëm brenda një kampionati kombëtar, por ne synojmë dhe po punojmë që të bëhemi pjesë e futbollit evropian e botëror. Prandaj, duke pasur një kampionat të mirëfilltë kombëtar ne do të dëshmojmë para atyre që këtë vit do të na vëzhgojnë më shumë se kurrë, se jemi të barabartë me to dhe se meritojmë të jemi pjesë e tyre.

Jam i sigurt se tashmë drejtuesit e klubeve i din detyrat e tyre dhe nga viti në vit ka përmirësime. Trajnerët do të bëjnë punën e tyre profesionale e futbollistët do të shpalosin gjithë dijen e tyre në fushën e gjelbër për të arritur rezultate që do të jenë si rezultat, i cilësisë, angazhimit dhe i korrektësisë. Gjyqtarët ta kryejnëpunën e tyre në mënyrë profesionale pa anime duke shikuar vetëm dy ngjyra në terren, duke respektuar angazhimin që tregohet e dëshmohet fushë. Kontrollorët të jenë korrektor syçelë, të punës së gjyqtarëve gjithmonë në ngritje profesionale të tyre. Pa dyshim, se krejt kësaj një shtytje të madhe do t’i japin adhuruesit, për të cilët edhe luhet futbollit, e të cilët me anim korrekt do t’i ndihmojnë skuadrat e tyre të zemrës. Dhe krejt këto, do të mbesin e parë dritën e tyre, nëse mediat nuk janë aty. Ndaj, një rol i veçantë për rritën e futbollit të Kosovës u takon mediave të cilat duhet të jenë në shërbim të së vërtetës, pavarësisht se në momente, zemra mund tu rrah për ndonjë skuadër që e kanë afër zemrës. Gjithsesi, pasqyrimi real i mediave do ta ndihmojë futbollin e Kosovës jo vetëm në përmbushjen e objektivave brenda Kosovës, por dhe në rrafshin ndërkombëtar.

Ndërsa, unë ju garantoj se Federata e Futbollit e Kosovës(FFK), do të jetë gjithmonë në shërbim të të gjithë këtyre faktorëve me rëndësi. FFK-ja do të punojë njësoj për të gjithë anëtarët e saj dhe do të bëjë çmos që askush të mos ndjehet i privilegjuar dhe askush i anashkaluar. Nëse të gjithë i përmbahemi zotimeve tona, unë besoj se misioni i futbollit të Kosovës do të përmbush synimet e veta. Paçim fat!”, ka përfunduar kreu i futbollit kosovar./express/