UBT

„Joshja e diasporës dhe promovimi i investimeve në Kosovë“

/ 3 minuta lexim

Në New York është organizuar nga Ministria e Diasporës forumi i biznesit „Joshja e diasporës dhe promovimi i investimeve në Kosovë“

Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë për Promovimin e Investimeve në Kosovë, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë, me Odën Ekonomike Amerikane dhe me Konsullatën e Kosovës në Nju-Jork, e organizoi forumin e biznesit me një grup të veprimtarëve dhe të biznesmenëve shqiptarë të Amerikës, si dhe me drejtues të njohur biznesesh, të cilët, njëkohësisht, janë edhe anëtarë të Dhomës Shqiptaro- Amerikane të Tregtisë (The Albanian-American Chamber of Commerce).

Qëllimi i këtij takimi ishte promovimi i mundësive për investime dhe tërheqja e investitorëve potencialë në Kosovë, bëhet e ditur në njoftimin e Ministrisë së Diasporës.

Takimi u mbajt në Nju-Jork dhe do t’i paraprijë Konferencës për thellimin e bashkëpunimit dhe mundësitë e investimeve në Kosovë, që do të mbahet në Uashington.

Në emër të Ministrisë së Diasporës, të pranishmit i përshëndeti Naim Dedushaj, drejtor i Departamentit të Hulumtimeve dhe i Përkrahjes së Investimeve në MeD.

UBT

Ai ua prezantoi atyre mundësitë e investimeve në Kosovë, si dhe gatishmërinë për mbështetje, që do t’ua ofrojë Ministria e Diasporës, e cila, siç u shpreh Dedushaj, shërben si urë lidhëse mes Kosovës dhe pjesëtarëve të diasporës.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, i cili theksoi nevojën që sot ka Kosova për investime, në veçanti ato që vijnë nga diaspora shqiptare.

„Është obligim institucional dhe përkushtimi ndaj diasporës do të jetë shumë më i madh në të ardhmen, pasi Kosova ka nevojë jo vetëm për pasuri në aspektin material, por, para së gjithash, për zhvillim të bujqësisë, turizmit dhe fushave të tjera, ndërsa nëpërmjet tyre të barten dhe të promovohen vlerat e Kosovës kudo, si parakusht i përmirësimit të imazhit të saj në botë“, ka thënë Pacolli.

Ndërkohë, zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Tregtisë dhe e Industrisë, Mimoza Kusari – Lila, ka pohuar: ”Duke qenë se Kosova gëzon të drejtën e preferencave tregtare me SHBA-të (GSP), që nënkupton eksport të produkteve kosovare pa taksë doganore, promovimi i produkteve kosovare për eksport është tejet i rëndësishëm, thuhet në njoftimin e MeD-it.