Jonuzi: PDK po u jep tender militantëve të vet
Gjilan – Ismajl Jonuzi nga komisioni për ekonomi i I LDK-së ka akuzuar zyrën e prokurimit, dhe auditorin e brendshëm se nuk janë transparent dhe nuk ka qasje në dokumentet zyrtare.
“Zyra e prokurimit po bënë politika selektive gjatë dhënies së tenderëve dhe udhëheqjes së procedurave tenderuese duke i shpërblyer më shumë militantët e PDK-së”. Kështu ka vlerësuar Ismajl Jonuzi nga komisioni për ekonomi i LDK-së gjatë një konference për medie të shtunën.
Jonuzi i cili është edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së ka dhënë vërejtje të shumta në buxhetin dhe prokurimin publik. “S`i komision i LDK-së jemi të preokupuar për shkeljet e shumta që janë bërë në vitin 2011, por edhe tani. Ka shumë vërejtje të dhëna nga auditori i përgjithshëm, meqë sistemi i kontrollit të brendshëm nuk funksionon si duhet” tha Jonuzi.
Jonuzi tha se edhe pse Komunës së Gjilanit i janë dhënë 9 rekomandime, vetëm dy raste i ka zgjidhur. Jonuzi tha se Komuna e Gjilanit ka mbi 2 milion euro borxhe, derisa mbi 1 milion euro janë pa procedura të tenderimit. Duke u nisur nga këto të meta Jonuzi e ka akuzuar zyrën e prokurimit e cila sipas tij po bënë shkelje të vazhdueshme meqë aty s`ka qasje mbi dokumentet zyrtare dhe nuk ka transparencë të mjaftueshme.
Jonuzi tha se në vazhdimësi janë 10-15 kompani që janë të lidhura dhe të afërta me zyrën e kryetarit e që marrin tender nga komuna.”Operatorët e tjerë ekonomik nuk janë të barabartë, meqë 90 % e bizneseve nuk kanë akces në zyrën e prokurimit. Këto politika selektive që po zbatohen nga zyra e prokurimit pastaj po marrin vërejtje edhe nga OSHP dhe KRPP-ja” tha Jonuzi.
Për të shmangur këtë kaos siç e quajti Jonuzi, tek zyra e prokurimit duhet të vendoset një sistem elektronik për të pasur qasje të gjitha palët shtoj ai. Duke ju referuar auditorit të brendshëm Jonuzi tha se ai është servis i kryetarit të komunës.
Jonuzi ka dhënë edhe shifra konkrete për shpenzimet enorme të vitit 2011. Sipas tij mbi 120 mijë euro janë shpenzuar vetëm për dreka e darka zyrtare. Shpenzimet e udhëtimit kapin shifrën e 118 mijë eurove, shpenzimet e PTK-së arrijnë në 75 mijë euro kurse karburant për vetura 200 mijë euro. /rajonipress/