Jonuz Musliu, Lis i madh i Luginës

Gjilan – Jonuz Musliu, padyshim që mbetet simbol i qëndresës dhe bashkimit në Luginë të Preshevës. Djali i tij Shqiprimi e ka quajtur Lis të madh të Luginës që erdhi në janar dhe u bë simbol qëndrese.
“Në Janar erdhe u bëre simbol qëndrese Lis i madh i Luginës, kurrë s’të mundi furtuna
As vdekja që të mori tinëz”, janë fjalët emocionuese që ka shkruar në rrjetet sociale djali i tij Shqiprim Musliu.
Jonuz Musliu ishte aktivist i hershëm i çështjes kombëtare, i cili ndërroi jetë më 18 janar të vitit 2018 në Edrene të Turqisë, ku qëndroi i shtrirë në spital për disa muaj dhe do të kujtohet gjatë si luftëtar i vullnetit e angazhimit të bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.
Jonuz Musliu ishte kryetar i kuvendit të komunës së Bujanocit, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe mbrojtës politik i të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe i vetmi që në vazhdimësi përsëriste qëndrimin se duam bashkim me Kosovën.
Jonuz Musliu, ish i burgosur politik dhe veprimtar në fillim rreshtohet në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pas luftës ishte pjesë e Trupave Mbrojtëse të Kosovës ndërsa ishte ndër themeluesit e parë të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc dhe ka drejtuar Këshillin Politik të UÇPMB-së , një formacion ushtarak i kryengritësve shqiptarë që luftonin për liri në këtë rajon.
Pas përfundimit të konfliktit, në pranverën e vitit 2001 me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtarë, Musliu themeloi Lëvizjen e Progresit Demokratik dhe u përfshi në jetën politike në Luginën e Preshevës.
Në zgjedhjet e dyta ai emërohet kryetar i kuvendit komunal, pozitë që e ka mbajtur disa mandate ndërsa në vitin 2014 zgjidhet Kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptarë,
Musliu ishte një nga përfaqësuesit e vetëm shqiptarë në Luginë të Preshevës që kishte në vazhdimësi mbështetjen e spektrit politik shqiptar e institucional të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë./rajonipress/