FITORJA

Jetmir Krasniqi, shqiptari i tretë në U-21 të Zvicrës

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Pas Florent Hadergjonajt dhe Shani Tarashajt, edhe Jetmir Krasniqi do të mbrojë ngjyrat e kombëtares zvicerane në kategorinë U-21 të Zvicrës.

Vargut të djelmoshave me origjinë shqiptare që po shkëlqejnë në ligat e futbollit zviceran këtyre ditëve i është bashkangjitur edhe Jetmir Krasniqi.

Jetmiri ecjen e nisi bashkë me topin. Atë e pati edhe lodrën e tij të vetme të preferuar. Krahas regjistrimit në arsimimin e detyrueshëm, ai regjistrohet edhe në klubin futbollistik “Stade Nyonnais” të Nyonit.

Krasniqi, gjakftohtë e i durueshëm, çdo këshillë e sugjerim të trajnerëve të tij e zbaton me saktësi.

Është trajneri Julien Barut ai që e vështron me shumë vëmendje lojën e tij dhe shpejt heton se kemi të bëjmë me një talent të rrallë të futbollit. Barut pas konsultimeve me kolegët e klubit

“Stade Nyonnais” vlerëson që pavarësisht moshës së re, Jetmiri mund të kontribuojë edhe në ekipin e parë të Nyonit.

Propozimi i trajnerit Barut aprovohet nga të gjithë dhe Jetmiri bëhet pjesë e njëmbëdhjetëshit të parë në skuadrën e Nyonit.

Ky favorizim e obligon atë që edhe në të ardhmen të angazhohet maksimalisht. Falë punës së pakursyer dhe plot seriozitet brenda një harku të shkurtër kohor ai bëhet forcë motorike e këtij ekipi. Shkëlqimi i tij u bie shpejt në sy fqinjëve nga Lozana, të cilët pa hezituar Krasniqin, atëbotë vetëm 16 vjeç, e sjellin në radhët e veta.

Uji Dea

Besimplotë në vetvete dhe i cytur nga dashuria për lojën, këtë vit Krasniqi ka arritur të jetë titullar i KF “Lausanne Sport” dhe i shpresave U-20 të Zvicrës. Loja e bukur e tij në pozitën e qendërmbrojtësit ka rritur oreksin e bashkëlojtarëve dhe të shtabit teknik të “Lausanne Sport” për rikthim të sërishëm në “Raiffeisen Super League” të Zvicrës.

Në anën tjetër, detyrën e mbrojtësit të majtë Krasniqi po e kryen me mjaft sukses edhe në seleksionin U-20 të Zvicrës.

Përzgjedhësi i këtij grupi të moshave, Gerard Castella, njëkohësisht edhe kritik sportiv i futbollit në RTS Sport, ndihet i kënaqur me lojën dhe formën jashtëzakonisht të mirë të Krasniqit.

Përveç arritjeve në futboll, Krasniqi së shpejti do të marrë edhe Diplomë Pjekurie në Shkencat Ekonomike në Llozanë. Mirëpo tani për tani ky i ri 19-vjeçar gjithçka e ka orientuar kah futbolli.

Aktualisht djaloshi me origjinë nga Drenoci i Klinës së Kosovës objektiv e ka inkuadrimin e “Lausanne Sport” në elitën e futbollit zviceran, e pastaj kalimin e tij në ndonjërën nga skuadrat e Bundesligës gjermane.

Pa i përfunduar mirë këta pak rreshta, morëm lajmin që përzgjedhësi i grupmoshave U-21 të Zvicrës, Pierluigi Tami, i ka dërguar ftesë edhe Jetmir Krasniqit për të qenë pjesë e këtij seleksioni në takimin ku Zvicra do të luajë si mysafire përballë Gjermanisë.

Krasniqi në këtë seleksionim është shqiptari i tretë i natyralizuar pas Florent Hadergjonajt dhe Shani Tarashajt që mbrojnë ngjyrat e kombëtares zvicerane në kategorinë U-21 të Zvicrës.

Kalimi në këtë grup për Krasniqin është motiv shtesë që ai së shpejti të rreshtohet përkrah Shaqirit, Mehmedit, Behramit, Xhakes e Xhemailit në reprezentacionin e parë të Zvicrës. Këto synime të Jetmir Krasniqit i konsiderojnë të arsyeshme edhe krejt reale të gjithë ekspertët e futbollit. Ata thonë: “Krasniqi posedon të gjitha cilësitë për të qenë pjesë e ekipeve të mëdha të futbollit evropian”./albinfo/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.