UBT

“Jemi një!“

/ 10 minuta lexim
ARKATANA

Nga Enver Robelli- Një shembull brutal i vetëposhtërimit: si e ftoi Akademia e Shkencave e Shqipërisë nënkryetarin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve në shënimin e 40-vjetorit të themelimit? Bash përfaqësuesin e një institucioni “shkencor dhe kulturor” serb që e ka përgatitur terrenin për shfarosjen e shqiptarëve, të cilët ideologu i saj Dobrica Ćosić i quan “fundërrinë e Ballkanit tribal dhe barbar”!

“Jemi një!” Poshtë e lart nëpër viset e banuara me shqiptarë po jehon një fjali-fantazmë. “Jemi një” – prej Sarande deri tek ura e Ibrit në Mitrovicë! S’paska “gjë më të mirë” se të jesh shqiptar! “Gjaku ynë i pastër” rrjedh luginave të Drinit të Bardhë e të Zi! Si me kovë hidhen në opinion grumbuj fjalësh të mëdha mbi patriotizmin, luftën, sakrificën, vetëmohimin e patriotëve shqiptarë për të themeluar shtetin shqiptar. Një orgji, një dëfrim i shthurur po shkon drejt kulmit, dita e ekstazës kombëtare po afrohet: 28 nëntor 2012 – 100 vjet Shqipëri, Shypni, Shqipni e pavarur! Një kakofoni ka përfshirë debatet publike. Një garë e madhe dhe bizare po zhvillohet mes shqiptarëve për t’ia bërë qejfin njëri-tjetrit, për ta bindur njëri-tjetrin se ç’lezet qenkësh të jesh shqiptar. Kjo është puna më e lehtë që mund të bëhet; mburrja mes llojit nuk kërkon shumë kreativitet; kur nuk ke ide madje as për një spot televiziv, “hajde vjedhim” diçka nga India; kur nuk ke talent për një logo si duhet, “hajde inspirohemi” në savanat afrikane!

20 vjet turp

Jubiletë e mëdha zakonisht janë, do të duhej të ishin – momente reflektimi. Një vend dhe një komb i bën bilanc historisë së tij, kontributit që ka dhënë për veten e për të tjerët rreth tij dhe më gjerë. Në momente të tilla është e udhës që vlerat të shpalosen përballë botës. Sepse, në fund të fundit, për çdo komb është me rëndësi të ketë një vend të ndershëm në arenën e popujve dhe jo të merret pandërprerë me vetveten, duke ndërtuar kulla e skena në ajër. Larg kremtimeve komerciale që organizohen andej-këndej pyetja me të cilën duhet të ballafaqohen sot shqiptarët kudo është: sa “jemi një?” A është kjo vetëm propagandë e popullistëve dhe tregtarëve të flamujve për të mbuluar dështimet kolosale, me të cilat sot shqiptarët e Shqipërisë turpërohen (ose do të duhej të turpëroheshin) para botës (qe 20 vjet asnjë palë zgjedhje të pakontestuara; qe 20 vjet vrasje, plagosje e grushtime politike; qe 20 vjet polarizim deri në ekstrem; qe 20 vjet dyluftim mes dy grupeve politike që e quajnë veten “demokratë” e “socialistë” – e në fakt janë vetëm përfaqësuese të turmave të biznesit; qe 20 vjet përpjekje për të zhdukur edhe fizikisht rivalin politik; qe 20 vjet me tentime për puçe dhe me afera korrupsioni galopant). Dhe me Kosovën dhe viset shqiptare në Maqedoni, ku pothuaj një me një kopjohet mentaliteti politik i Tiranës. Në këto rrethana shumë kollaj është të brohoritet: “Jemi një!” nga Çamëria në Leposaviq!

Sa jemi një? Sebep i këtij shkrimi u bë një ftesë që Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me seli në Tiranë, i dërgoi Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (shkurtesa në serbisht: SANU) për pjesëmarrje në kremtimin e 40-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Akademia serbe, sipas njoftimeve të shtypit në Kosovë, e dërgoi në Tiranë nënkryetarin e saj, akademikun Ljubiša Rakić (Љубиша Ракић). Ky lajm vetëm në shikim të parë mund të jetë shqetësues. Befasues nuk mund të jetë. Pasi Tirana e Edi Ramës ia ka dhënë çelësin e qytetit këngëtarit Goran Bregović (i njohur sidomos me këngën e tij “Kallashnikov”, e cila në mënyrë bizare e përshkruan luftën si cirk të gjakderdhjes dhe seksit, ekstazës dhe djersës pseudopatriotike), pasi pjekja e “pleskavicave” nga kasapët e Leskovcit në Tiranë pothuaj për çdo vit shndërrohet në ngjarje kulturore, pasi në Shqipëri kanë depërtuar bizneset e oligarkëve serbë, shërbimet sekrete të Beogradit, mafia transballkanike – tani është “krejt normale” që mes Tiranës dhe Beogradit të “thellohet edhe bashkëpunimi shkencor”. Nuk ka rëndësi që Akademia Serbe e Shkencave dhe e Arteve ka kërkuar shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës dhe ka përgatitur terrenin politik, ideologjik dhe mental për vrasjen e nja 10 mijë shqiptarëve, dëbimin e 500 mijë të tjerëve (në vitet ’90) dhe shpërnguljen e dhunshme të gati një milion shqiptarëve në vitet 1998-99.

Memorandumi për vrasje

Ftesa e Akademisë së Shqipërisë për Akademinë Serbe është jo vetëm dëshmi e perversitetit intelektual, por edhe një fyerje e rëndë që i bëhet Kosovës, madje të gjithë shqiptarëve që kanë respekt për vetveten. Kjo ftesë tregon se në disa qarqe vendimmarrëse në Shqipëri – si në politikë ashtu edhe në mesin e intelektualëve zyrtarë – nuk ekziston kurrfarë vetëdije kombëtare. Edhe më keq: mungon ndjenja e vetërespektit!

Rrjedhimisht Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK) ka bërë mirë që nuk ka marrë pjesë, që e ka bojkotuar ceremoninë e Akademisë së Tiranës. Në një letër që ASHAK ia ka dërguar Akademisë simotër në Tiranë nënvizohet: “Akademia Serbe në vitin 1986 ka hartuar projektin famëkeq, me emrin ‘Memorandum SANU’, si platformë kryesore në të cilën u mbështet Milošević në ndërmarrjen e masave represive dhe zhvillimin e luftërave të përgjakshme në ish-Jugosllavi, veçanërisht ndaj shqiptarëve që nga viti 1987. Anëtar i ekipit të këtij ‘Memorandumi’ ishte edhe nënkryetari i sotëm i Akademisë Serbe, akademik Lubiša Rakić (…). Për shkak të këtij projekti, nga i cili kjo Akademi ende nuk është distancuar, ajo mbeti e izoluar deri vonë nga asociacionet e akademive evropiane, por dhe nga disa akademi të ish-Jugosllavisë, të cilat edhe sot nuk e ftojnë në asnjë takim. Vitin e kaluar Akademia Kroate e Shkencave dhe e Arteve, për shkak të këtij ‘Memorandumi’ nuk e ftoi Akademinë Serbe, madje as atë Malazeze, në 150-vjetorin e themelimit të saj”. Për të qenë edhe më e qartë situata, Akademia e Kosovës ia përkujton kryetarit të Akademisë së Shqipërisë, i cili e paskësh emrin Gudar Beqiraj, se ka qenë i njoftuar mbi “këtë fakt”, pra mbi njollat e Akademisë serbe.

Që ta dinë akademikët me mendësi gullashi në Tiranë se nuk janë vetëm “kosovarët trutharë e nacionalistë” ata që kanë mendim të qartë e kritik për Akademinë Serbe po sjellim këtu dy mendime të dy historianëve të huaj dhe padyshim shumë të respektuar në botën akademike. Ja çfarë shkruajnë ata për Akademinë Serbe:

GRANDEMALL

“Por, Millosheviqi nuk ka qenë doras individual, siç nuk ka qenë as Hitleri. Sidomos politika e tij ndaj Kosovës, falë indoktrinimit të opinionit publik që nga mesi i viteve 1980, gëzoi mbështetje të gjerë në popullsi dhe nga Shoqata e Shkrimtarëve e Serbisë, Akademia Serbe e Shkencave, Kisha Ortodokse Serbe, Armata Popullore e Jugosllavisë, bandat paramilitare serbe etj.” (Holm Sundhaussen, historian gjerman, profesor në Berlin, autor i disa veprave themelore mbi historinë e Serbisë dhe Jugosllavisë).

Historiani tjetër thekson:

“Përshkallëzimin e qëllimshëm të konfliktit të përgjakshëm (në Kosovë, v.j.) ashiqare dhe njëanshëm e dëshironte dhe e shkaktoi udhëheqja serbe. Për këtë është përgjegjëse një pjesë e madhe e elitës serbe, veçanërisht Akademia e Shkencave, e cila kurrë s’e ka marrë përgjegjësinë për veprimet e saj”. (Oliver Jens Schmitt, historian, profesor në Universitetin e Vjenës, autor i disa veprave të rëndësishme mbi historinë e shqiptarëve).

(Para disa vitesh një profesoreshë e Universitetit të Zürich-ut, pasi kishte lexuar një tekst kritik të autorit të këtyre radhëve mbi Akademinë Serbe dhe ideologun e saj kryesor Dobrica Ćosić, më mori në telefon dhe me shqetësim të madh tregoi se kishte marrë pjesë në një konferencë të Akademisë Serbe në Beograd pa e ditur në detaje anën e errët të këtij institucioni. Profesoresha tha se duke pasur parasysh këto rrethana do të ndërpriste bashkëpunimin derisa Akademia Serbe nuk distancohet nga roli i saj në të kaluarën).

Bujrëm Ćosić!

Akademia e Beogradit lëre që nuk është distancuar nga e kaluara, por ajo me fanatizëm e mbron këtë kapitull të saj të errët. Ja çfarë thotë Ljubiša Rakić, mysafiri i Tiranës, në një intervistë për gazetën “Politika”: “Në kohën e trandjeve politike të viteve ’80 dhe ’90 disa politikanë u përpoqën që Akademisë t’ia veshin pjesëmarrjen në aktivitete të caktuara politike, gjë që ishte krejt e papërgjegjshme dhe e padrejtë. Propaganda qëllimkeqe e kamarillës politike, e cila nuk mbështetej në fakte, iu vërsul Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve jo vetëm në opinionin vendor, por edhe atë ndërkombëtar. Anëtarët e Akademisë edhe atëherë, si në ngjarjet e tjera vendimtare të historisë së vonshme, gjithmonë kanë pasur qëndrime të ndershme dhe parimore”. Lexoni mirë: Rakić mendon se thirrja për luftë dhe krime e Akademisë dhe akademikëve serbë ka qenë “e ndershme dhe parimore”!

Në fund të këtij teksti dhe për nder të akademikëve të Tiranës edhe një citat nga ditari i akademik Dobrica Ćosić mbi luftën e Kosovës (1998-99) dhe mbi shqiptarët e Kosovës: “Kjo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit tribal dhe barbar krijon aleancë me Amerikën dhe me Bashkimin Evropian kundër popullit më demokratik, më të civilizuar dhe më të arsimuar ballkanik – kundër popullit serb”.

Kur Ćosić në vitin 2009 i quajti shqiptarët “fundërrina”, dy aktiviste të njohura serbe për të drejtat e njeriut, Sonja Biserko dhe Biljana Kovačević-Vučo (ndërkohë e ndjerë), nuk ngurruan që kundër ideologut serbomadh të paraqesin kallëzim penal në Prokurorinë e Qarkut në Beograd, duke e akuzuar për racizëm kundër një populli, në këtë rast kundër shqiptarëve. Tirana e akademikëve dhe e politikanëve “mendjehapur, liberalë, properëndimorë, proevropianë, mondialistë” nuk interesohet për këto fakte. Për të qenë konsekuente ndoshta do të ishte mirë që Akademia e Shqipërisë në kremtimin e 45-vjetorit të themelimit ta ftojë edhe Dobrica Ćosić-in si mysafir nderi, sepse “jemi një!”

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.