“Jemi kundër hakmarrjes”

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gëzim ishte emri i tij. Ky emër, thonë prindërit Ismet dhe Hanumshe Hasani, i kishte shumë hije djalit tonë të madh. “Gëzim, në gjuhën shqipe ka kuptimin hare dhe lumturi”, shpjegon babai për gazetarët e huaj. Familja Hasani priti albinfo.ch dhe gazetën “Le Matin” me mbarë familjen e saj. “Asnjë shqiptar nuk ka pasur sjellje më të mira se djali ynë”.

Të hënën, në fillim të pasdites, djali i tyre 29-vjeçar, i njohur dhe i dashur për butësinë e tij, u vra në garazhin e tij në Chavannes-Pres-Renens (VD). Dorasi ishte kunati i tij. Atë ditë, sipas gjasave, për shkak të një divorci që nuk pranonte, V* (vrasësi) ka ndryshuar në mënyrë drastike rrjedhën e jetës të të paktën dymbëdhjetë vetave. Tre plumba mjaftuan. Arrestimi dhe rrëfimi i tij në natën e të mërkurës në polici nuk do të ndryshojë asgjë.

“Ky njeri ka vrarë djalin tonë për të na shkatërruar sa më shumë. Unë nuk e di se çfarë është një psikopat, por unë e di se ai ishte një psikopat. Sikur Anders Breivik, ai ishte i pandjeshëm ndaj dhimbjes së të tjerëve. Me veprimet e tij, ai la prindërit pa djalë, vëllezërit dhe motrat pa vëllezër dhe fëmijë pa baba. Por, prapëseprapë, nuk do të ketë hakmarrje. Jo, nga ne. Zvicra, ky vend falë të cilit kemi arritur të qëndrojmë në këmbë me gjithë vështirësitë, duhet t’i largojë të gjithë ata që mbrojnë apo praktikojnë dhunën. Neve na duhet të qëndrojmë dhe të mos harrojmë se jeta vazhdon. “Ismet Hasani, patriarku, impresionon me fuqinë dhe butësinë e tij. Këtë ditë, më shumë se kurrë, ish-punëtori i ndërtimtarisë ishte shtylla kurrizore e familjes. Ai nuk ka të drejtë të goditet. Lotët e dhimbjes rrjedhin nga sytë e gruas së tij, nënës Hanumshe dhe turren të bien edhe nga sytë e djemve, ndërsa babai i përpin. Nuk ka çare, i duhet të jetë i fortë për Gëzimin, nënën, vëllezërit dhe dy motrat e tij, për gruan dhe fëmijët e tij.

RCCOLA

Doresa, vajza më vogël e të ndjerit, një vogëlushe njëvjeçare, nuk zë vend dhe qeshet në duart e nënës, e pavetëdijshme për tragjedinë për të cilën po vajtohet para syve të saj. Një dramë që do të shënojë përgjithmonë jetën e saj. Nëna e Doresës flet: “Burri im ishte i qetë. Ai ishte i respektuar nga të gjithë. Ai kurrë nuk ka folur keq për të tjerët. Gjithkush e ka dashur. Nuk e ka merituar këtë vdekje”. Edhe ajo, sikurse vjehrri i saj, mundohet ta mbajë veten. Shikimi i Lenditës është i fikur, por ajo mundohet të përballojë fatkeqësinë. “Tani unë jam bërë nënë dhe baba i tre fëmijëve. Unë do t’iu kujtoj fëmijëve të mi se Gëzimi ishte një njeri i mirë”.

Pas fjalëve të resë, nëna e Gëzimit fillon të qajë. “Vrasësi na mori Gëzimin sepse ai ishte i fortë, më i qëndrueshëm dhe më i vlerësuar. Të gjithë e kemi dashur shumë”. Jo larg nga nëna e saj, Ibadetja gëlltit dhimbjen. Në fakt, motra e të vdekurit është edhe gruaja e vrasësit. Ajo nuk i lejon vetes të lëshojë asnjë lot para nesh. Pesha e fajit i nguron buzët. Pa të, Ibadetja duket që mendon se ujku V kurrë nuk do të kishte mundur të hyjë në kopenë e familjes Hasani. Pa mua, i thotë vetvetes Ibadetja, Gëzimi do kishte qenë ende në mesin e gjirit familjar. “Ndjehem përgjegjëse”, rrëfen ajo. “Unë kurrë nuk do të kisha imagjinuar se burri im të shkojë aq larg”. Pra, si për të paguar borxhin që ajo imagjinon se ka, Ibadetja refuzon të shohë sërish fëmijët e saj. Djali i saj dy vjet dhe vajza 5-vjeçare jetojnë për momentin në një strehimore për fëmijë.