FIDANISHTJA

Jehona e botimeve tona….

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Zejnepe Alili Rexhepi – Rreth vëllimit poetik “Mëkatar mos eja” -të Arsim Halilit, edituar nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, 2012.

Poezia e Arsim Halilit është pleksje motivacionesh të thella, e përpunuar asisoj që dukshëm të krijon bindjen se ka kaluar nëpër latimin fin të poetit, duke njohur domosdoshmërisht edhe vëmendjen e hollësishme prej kritiku letrar. Prania e përvojës së kritikut e eseistit, te autori, poezisë i jep frymë universale, identifikim ky që e adreson poezinë drejt ngritjeve të sigurta në perspektiva letrare.

Libri “Mëkatar mos eja” artistikisht, depërton mbi dritë-errësirën e sfondeve tematike, për të ngritur prej aty brigje vlerash metaforike. Në to, një ideal i përhershëm, nuk është vetëm vizioni për kohën, por edhe për situatën. Të veneruara këto mbi sfondet: sociale, historike, politike, kulturore…, veprës ia përvijojnë përmbajtjen dhe qëllimin, për të lënë gjurmët e një historie të tërë.

Ashtu si poezitë paraprirëse që shfaqin dashuritë më të mëdha të poetit, me dedikimet poetike Nënës dhe Babait, sepse me ikjen e tyre nga kjo botë, ne sikur e përjetojmë agimin e fundit, për të parë më pas muzgje malli e dhembjesh të pashtershme: “Në çdo petale më përkund uratat/Në prushin e buzëve tua ndjehet etje/Pasthirrmat shpirtin godasin” (“Qeshje e ngrirë, 5).

Sidomos, në ciklin nismëtar “Plejadë pavdekësie”, si nga një ruzare rubinësh vargëzohen emrat e heronjëve: Vëllezërit Gërvalla e Kadri Zeka, Ukshin Hoti, Artan Abazi, Sherif Jonuzi, Skerdilaid Llagami, Nijazi Kadriu…, Masakrat e Reçakut dhe poezia kushtuar Çlirimtarëve…, heronj e ngjarje këto që shkruan histori, historinë tonë më të re. Dhe ata, siç shkruan poeti, A. Halili, kishin: “Një zemër mal/Etjen e kësaj toke e shuan me gjak” (12). Prandaj, edhe historia që shkruan ata është si një “Pranverë e kuqe/mbi kala/…Perëndia e bekoi” (18) këtë histori.

Mobi Casa

Megjithëse, mund të ketë vizione të ndryshme në etapa të ndryshme, disa ngjarje i ruajnë vlerat e njëjta në çdo kohë. Respektivisht, trajtat historike, janë ato procese zhvillimore që i lartësojnë figurat dhe ngjarjet historike, gjë që e përjetëson ekzistencën historike të popullit. Lavdia e një populli jetësohet në këngë, në vargje… Madje, siç e pohon edhe Stefan Cvajg: “nuk është e mjaftueshme që një popull, një komb të japë shumë gjëra në luftë ose në kulturë, kjo është gjysma… në të vërtetë përparësi në historinë e kulturës sonë botërore kanë ata popuj të cilët kanë arritur që vetveten ta shfaqin sa më mirë dhe sa më poetikisht”. Kjo vjen si rezultat i faktit që përmasat e kohës rrjedhin, ndërrojnë…, përderisa njohja e kulturës së një populli është meritë e “shpirtit poetik” të krijuesve të tij. Për këtë edhe e vërteta universale ngrihet mbi njohjet individuale. Kultura e shkruar shqiptare, jo që nuk ishte e denjë të jetësojë historinë e vet, por të pamëshirshme e barbare ishin sundimet e huaja, gjë që mjaft bukur përmes ca vargjesh e përshkruan edhe A. Halili: “Fan Noli të priste krahëhapur/E ti u arratise në përjetësi/Librat sot flasin/Me gjuhën e dhembjes”.

Në ciklin tjetër “Peizazhe dhembjesh” mjaft poezi, vijnë si copëza jete që nuk kanë harrim, ku sikur ndihet edhe vaji i poetit që me kthjelltësi kumbimi përçon mesazhe njerëzore, herë për shpirtëra të anatemuar në tokën mëmë – të pushtuar, herë për mallin e pashuar që dremit përpara përgjërimit Zeusian, si atyre netëve të gjata kur buzëqeshja të ngrin në buzë. Është, si të thuash, vetë historia që përkundet shekujve, me poezitë kushtuar: Gjirokastrës, Kosovës, Mesharit, Kalasë së Pogragjës…, e në to “Kullat në legjenda/Tretin portrete të hijezuara” (38). Kjo e shpalos dhe anën trishtuese të poetit, përpara kohësh të pasigurta.

Cikli i tretë “Dritë jete poetike” pasohet nga kolona e poetëve më të dashur, më të veçantë për poetin Arsim Halili, por ata janë pishtarë lirie edhe për lexuesin shqiptar: Din Mehmeti, Rifat Kukaj, Visar Zhiti, Beqir Musliu, (Mikes) Majlinda Rama e Anjeza Saka…, që të gjithë të çmuar si poetë që ngrenë skena fati, mbi të cilat shënojnë plagët e gravuara të kombit tonë. Zëri i tyre poetik është si ato “Dallgët e Orfeut/Eh sot e mot në partitura” (47).

Mesazhi poetik drejtuar botës, në të cilin ngrihen grimca besimi të mbetura edhe pas molisjeve shpirtërore të poetit, bëhet pararojë gjatë kapërcimeve historike. Ato rrahën brigje të brendshme, shpirtërore të poetit, që kërkon mbështetje pas gjurmëve të dheut të të parëve. Poezitë, lënë të hapura mesazhet që do të bredhin nëpër kohë për aq sa të ketë lexues poezish…

Poeti i beson dhe ëndrrës. Ëndrra për të është e pashuar edhe atëherë kur rruaza gjaku ia mbërthejnë jetën dhe të amalgamuara shtegtojnë bashkë me përfytyrimet e poetit. Pak diell e ca acar e përshkojnë ndjesinë e poetit, por ai qëndron i padorëzuar, nuk luhatet nga ëndrra donkishotiane, për të shpërthyer si drita drejt largësive, ndonëse nganjëherë të pasfidueshme./rajonipress/