Januzaj, lojtari më i mirë i “FIFA Youth Cup”

Mesfushori kosovar i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj, është shpallur lojtari më i mirë i turneut prestigjioz për futbollistë të rinj “Blue Stars/FIFA Youth Cup”, që të mërkurën e të enjten u mbajt në Zuerich të Zvicrës.
Januzaj me U-19 të Manchesterit përfundoi në pozitën e katërt, por ai u shqua me lojëra të mira dhe në fund i takoi “Topi i Artë” i Adidasit, që i ndahet lojtarit më të mirë të turneut. Kjo është bërë e ditur në sajtin zyrtar të “FIFA Youth Cup” të enjten. Turneun e fitoi Zuerichu që në finale e mposhti Botafogon e Brazilit.
Ndërkohë, Borussia Dortmundi, për të cilën u paraqitën tre futbollistë të Prishtinës përfundoi e gjashta. Për Dortmundin në turne luajtën Enis Gavazaj, Liridon Latifi e Lorik Aliu. Në lojë për vendin e pestë, Dortmundi humbi nga Zenit St. Petersburgu me shifrat 1:0.
Në këtë ndeshje startuan Gavazaj e Aliu. “Më e rëndësishme është që skuadra gjermane është ndarë e kënaqur me paraqitjen e futbollistëve tanë dhe menjëherë iu është bëra ftesa e radhës për turneun prestigjioz që mbahet nga viti 1974 ‘Spax-Cup’. Turneu tre ditor mbahet nga 18 deri më 20 maj në Ennepetal, afër Dortmundit në Gjermani”, shkruan në sajtin zyrtar të klubit Prishtina.